Roland Qafoku fillon sezonin e ri të “Debatit”: Sfidat e reja dhe problemet që media duhet ti lërë pas

Intervistoi: Doriana Metollari/Roland Qafoku është përherë i pari që ngjit shkallët e televizionit Channel One. Urren dembelizmin. Motoja e tij ka qenë përherë: gjithçka në kohën e vet, korrektësi – besueshmëri. Publiku kërkon lajmin në çdo emision – thotë. Rutina e përditshme është e mbushur me telefonata, një personazh ftohet, një tjetër largohet. Rolandi nuk harron të ketë hera – herës dhe “fytyra të reja në emision”. Bisedat i bën përherë në zyrë, me një kafe që porosit tek bari afër. Aty flitet për shumë gjëra, por mbi të gjitha Rolandi dëgjon. Si njohës i mirë gazetarisë shtyp, themelues i të përditshmes “Tirana Observer”, drejtues i gazetës “Panorama” dhe “Koha Jonë”, si analist dhe autor i librit (33 Kryeministrat e Shqipërisë), Rolandi e drejton stafin e tij duke kërkuar gjithmonë një ekuilibër në marrëdhëniet me ta, por është sa afër dhe larg, kur bëhet fjalë për cilësinë e regjisë, gazetarisë në terren. Një orë para emisionit të gjithë nxitojnë të vënë nëpër vende mikrofonat, ndërsa studioja e tij lart fillon të mbushet me të ftuarit që bisedojnë ose njihen me njeri – tjetrin. Rolandi kujdeset të jenë komod. Vajzat janë të fundit që ngjiten pas grimit. “Boll tani se nuk debatojmë dot pastaj” thotë me shaka ndonjë teksa çohet në këmbë. Është ora e Debatit në Channel One. Të gjithë e kanë përgatitur veten për të dhënë më të mirën, në një të drejtpërdrejtë që s’të fal. Janë kundërshtarë politikë, ose kolegë. Kjo nuk ka rëndësi, publiku kërkon profesionalizëm, Rolandi e di mirë. Futet në studio bashkë me të ftuarit dhe në pak minuta regjia jep sinjalin. Dikush pi pak ujë dhe përfundimisht është gjithçka gati. Tani fillon historia tjetër.

  1. Qafoku ka filluar sezoni i ri i Debatit ne Chanel One. Pak me herët se te tjerët që fillojnë thuajse në të njëjtën kohë. Pse ?

Nuk ka asnjë konspiracion këtu. Gjithnjë unë e kam nisur sezonin televiziv në ditët e fundit të gushtit ose ditët e para të shtatorit që përkon me të hënën ose të enjten, dy ditët e emisionit “Debati në Channel One”. I pari I ftuar për këtë sezon ishte kreu i ALUZINIT Artan Lame.

Ka ndonjë arsye të veçantë pse zgjodhët pikërisht Z. Lame? Më kujtohet p.sh që herë tjetër filloi më Nexhmije Hoxhen, apo vajzën e Eqerem bej Vlorës. D.m.th figura për më të shumtën historike…

 Kjo lidhet me rrethanat e të ftuarve. E vërtetë që dy sezonet e kaluar unë i kam startuar me Nexhmije Hoxhën dhe Ajnishah Vlorën, vajzën e Eqrem bej Vlorës. Por duke qenë se tema e legalizimeve prek 350 mijë familje shqiptare dhe ka sensitet të madh dhe për më tepër në muajin gusht kishte një interes akoma më të madh për shkak të fokusimit të punës me emigrantët që kishin ardhur në Shqipëri, vendosa që këtë sezon ta nisja me një të ftuar, interesi për të çështjet që ai do fliste do ishte i madh. Ato që dalin nga goja e personazheve që drejtojnë institucione të tilla unë i quaj lajme epidemike. Dhe vërtetë interesi që kishte emisioni i parë i këtij sezoni ishte edhe për mua vetë më i lartë se çfarë e mendova. Nuk arrija të hapja mesazhet në celular dhe në Facebook sepse intesiteti i tyre ishte shumë i madh. U kërkoj ndjesë shumë e shumë teleshikuesëve që nuk u ktheja dot përgjigje apo që nuk lexoja dot pyetjen që ata drejtonin për Artan Lamen.

Cila do ë jetë risia e këtij sezoni. Do të kemi ndonje personazh ekskluziv?

Unë përherë punoj që të kem të reja në një sezon televiziv dhe natyrisht edhe ky që sapo nisi do jetë i tillë. Janë një sërë personazhesh që pritet të jenë ekskluziv në emisionin “Debati në Channel One” për të shtuar galerinë e atyre që nuk kanë qenë në asnjë studio tjetër televizive përveç studios së emisionit që unë drejtoj.

Si mendoni cilat janë të veçantat e “Debatit në Channel One” ?

Një prej tyre është synimi i kësaj që përmenda më lart. Pra të ketë personazhe ekskluzivë që s’para u bie rruga nëpër televizione e studio televizive. E veçanta e dyta është inserti me 50 fakte dhe foto që është një lloj ADN-je dhe identiteti i këtij emisioni. E veçanta tjetër janë analistët dhe gazetarët e ftuar që nuk bëjnë xhiro në ekranet e tjera. Janë mbi 50 personazhe të fushave përkatëse që janë analistë të përhershëm në emisionet e e mia dhe që nga vitit 2009 që unë kam nisur një emision televiziv janë pjesë e emisioneve të mia.

Cilët prej të ftuarve që keni patur nëpër emisioni vërtet ju kanë impresionuar ?

Janë disa realisht që më kanë impresionuar në forma të ndryshme. Ajnishah Vlora, vajza e Eqrem bej Vlorës që vuajti në mënyrë të tmerrshme në kalvarin e sistemit komunist të diktatorit Hoxha kur e pyeta se çdo ti thoshte Enver Hoxhës nëse do ta kishte përballë ajo tha: Asgjë, nuk hakmerret gjaku i Eqrem bej Vlorës. Hëna Këlcyra, vajza e Ali Këlcyrës që tha se e donte Shqipërinë po aq shumë sa e donte babai i saj dhe se ishte dashuria më e madhe në jetë edhe për të ishte Shqipëria pastaj vinte familja. Mendo, pothuajse gjithë jetën jetoi jashtë Shqipërisë dhe prej Shqipërisë kishte marrë vetëm vuajtje dhe dhimbje që vetëm shpirti i saj e dinte. Akademiku Artan Fuga që me thjeshtësinë dhe pozitivitetin e tij edhe gjatë bisedës në studio tregoi se përherë njerëzit e mëdhenj janë ata më të thjeshtët dhe jo vanitozët që krekosen deri edhe me faktin se nuk dinë gjë prej gjëje. Ermonela Jaho, divja e muzikës operistike botërore e cila tregoi përulje që vetëm njerëzit e mëdhenj e kanë kur shprehen: Make up-in do ta bëj në televizionin tuaj. Pa asnjë mendjemadhësi sporanoja që rrethohet nga një ushtri që bëjnë truke dhe make up në skenat botës tregoi thjeshtësi. Por që Jaho funksionoi ndryshe nga disa të përkëdhelura që nuk kanë asnjë molekulë talenti, por rreken të reklamohen sikur janë të punësuar full time në La Scala. Servet Pëllumbi që gjatë emisionit, edhe pse me tensionin maksimal e kishte 19, jo vetëm qëndroi LIVE deri në fund të emisionit për të mos e ndërprerë atë por gjithnjë për korrektesën që e karakterizon mbajti ritmin e emisionit duke debatuar me të ftuarit dhe duke iu përgjigjur pyetjeve të tyre. Dhe natyrisht Ismail Kadare që kur gjatë intervistës i tregova letrën që Dhora Leka e kishte denoncuar te Sigurimi i Shtetit lëshoi vetëm një fjalë: Më dhimbset e shkreta. Gjynah !

Të tjerë që ju kanë lënë një shije të keqe, aq sa jeni penduar që i keni thirrur ?

Po patjetër që ka. Më së shumti janë politikanë që kur kanë interesin e tyre çfarë nuk bëjnë të jenë në studio, por kur arrijnë të kenë aq pushtet dhe nuk duhet kjo media, thonë se janë shumë të zënë. Pushteti është prova më e lartë e karakterit dhe çdokush në jetë e kalon me sukses apo dështim këtë provë. Natyrisht kjo vlen edhe për të tjerë që nuk janë politikanë, por edhe gazetarë, analistë, specialistë apo edhe drejtues të institucioneve të ndryshme

Kam vënë re që të ftuarit tuaj nuk shihen nëpër studiot e tjera televizive. Pse nuk i merrni në studiot tuaja ata që nuk i shohim në ekrane e tjera ?

Kjo pyetje është e formuluar të jetë retorike. Kjo është arsyeja. Unë nuk e quaj profesionalizëm të ftoj në studio një analist e gazetar që bën xhiro në emisionet e tjera. Sado me nivel, sado i fortë të jetë zëri i tij, sado ekzemplar të jetë ai, fakti që të hënën është në x emision, të martën në y emision, të mërkurën në z emision dhe të enjten në zh emision, vjen një pyetje pas kësaj; Cili është ai shikues që nuk e lë pa e parë këtë lloj personazhi. Për mua kjo nuk është profesionale.

Ka perceptime nga më të ndryshmet për shikueshmërinë e emisioneve sidomos ato politike. Ju si i keni indikatorët?

Po është e drejtë. Ka perceptime të ndryshme për shikueshmërinë sepse teknologjia përparon më shpejt se sa e mendojmë ne. Sot nuk ka vetëm një indikator dhe vetëm ata që masin me anë të cip-ave në aparateve televizivë. Sot është livestream në kompjuter, sot është youtube, sot është favebook-u, twitter, etj, etj. Fjala vjen, një nga emisionet e mia në youtube është afro 200 mijë shikime. Ditën e transmetimit natyrisht që këtë puntatë nuk e kanë parë 200 mijë persona. Por a llogaritet kjo 200 mijëshe në matësit tradicionalë të vjetër e të rinj. Pra perceptimi është i ndryshëm. Ndërkohë unë kam edhe një matës tjetër. Pothuajse çdo emision që unë drejtoj gjend vend dhe botohet në formë lajmi në gazetat e ditës në print dhe on line. Kjo padyshim në anën profesionale është një matës i madh. Një emision që nuk ka lajm brenda për mua nuk vlen. Por sërish pyes: A e përfshijnë matësit këtë mënyrë ? Pra edhe ky është një argument i fortë.

Janë disa emisione politike në Shqipëri si Opinion I Blendi Fevziut, Top Story i Sokol Ballës, Dritare i Rudina Xhungës, Tonight i Ilva Tares, Studio e Hapur e Eni Vasilit, Të paekspozuarit të Ylli Rakipit, dhe emisioni juaj Debati në Channel one. A ka një garë mes jush dhe si e vlerësoni ju njëri – tjetrin ? Si i keni marrëdhëniet me xhelozitë?

Duhet të pyesni secilin prej tyre dhe jo vetëm mua. Unë për veten time i vlerësoj si kolegë dhe drejtues që kanë dhënë dhe i japin medias shqiptare prej afro 2 dekadash. Në një formë apo tjetër ne kemi qenë pjesë e komunitetit të medias në gazeta dhe nuk është njohje e re mes nesh. Xhelozitë? Unë flas për veten time. Nuk është cilësia ime kjo.

Media shqiptare ishte më keq 10 vite më parë, apo është tani ?

Absolutisht që gazetaria evoluon, bëhet më e mirë, ndryshon teknologjia, ndryshojnë teknikat, ndryshojnë edhe nivelet e gazetarëve. Gazetarët sot dinë më shumë gjuhë të huaja, janë më të informuar, janë më të shkolluar. Për ta vërtetuar këtë po e ilustroj me një shembull: Më shumë se një dekadë më parë në stafet e gazetave dhe televizioneve kishte gazetarë që dinin edhe ndonjë gjuhë të huaj. Ndërsa sot në stafet e gazetave dhe televizioneve ka edhe ndonjë gazetarë që nuk di gjuhë të huaj. Është diferencë e madhe kjo që nuk mund ta kundërshtojë kush. Unë jam nga ata që besoj shumë te të rinjtë dhe këtë e them me shumë bindje. Mjafton kjo cilësi për të vërtetuar tezën time se gazetaria shqiptare, nga partizane dhe indroktrinuar është bërë më e drejtëpërdejtë. Sa për lirinë e medias dua të perifrazoj një koleg: Ne kemi gazetarë, por jo media të lirë.

Të flasim pak për “të katapultuarit” nëpër kolltuqet e mediave shqiptare. Dallohen sepse flasim për vlera kur në të vërtetë paraqesin të kundërtën e etikës, moralit, dhe aftësive, që gjatë punës nuk i kanë. A ka vend për kritika këtu ? Si mund ta përmirësojmë?

Është një risi kur unë lexoj debate brenda komunitetit të medias. Nuk ka më mirë se kjo. Por ajo që nuk më pëlqen është se janë të njëjtat biseda që bëheshin 20 vjet më parë përpara gotës së konjakut dhe sot bëhen në Facebook. Baza e medias janë reporterët dhe gazetarët e terrenit. Janë ata që marrin lajmin, janë ata që ndeshen me çdo gjë në rrugë, në zyra qeveritare e deri në presione nga më të paimagjinueshmet. Shefat dhe drejtorët që në shekullin e ri janë shtuar aq shumë në strukturat e medias mund të bëjnë deri spektakël me lajmin e sjellë në redaksi, por ama të mos harrojmë se atë spektakël ata do ta bëjnë me djersën dhe mundin e atyre që e kanë marrë lajmin dhe këta janë reporterët. Duhet një mirënjohje e madhe ndaj këtij grupi gazetarësh që janë thelbi i newsroom-eve, por që nuk vlerësohen sa duhet. Dhe a e dini përse? Një nga arsyet është sepse numri i drejtuesve, shefave, kryeredaktorëve, është gati më i madh se sa i reporterëve dhe gazetareve të terrenit. Kjo nuk është fare profesionale.

Politikanët janë gjysmë gazetarë dhe gazetarët janë gjysmë politikanë. Cila është marrëdhënia juaj me politikanët? Keni presioni?

E kam thënë edhe në një intervistë tjetër. Kam marrëdhënie të baraslarguara me politikanët. Nuk mund të shmangem kontaktit me politikanët, sepse ata janë lënda jonë e parë, por edhe të kem marrëdhënie tjetër veç punës nuk është normale për mua. Presioni i politikës nesh të medias është si ta trajtosh atë. Jo se në karrierën time nuk kam patur presione në një formë apo tjetër, por ndoshta dinjiteti që kam treguar është bërë pengesa më e madhe ndaj atij politikani që të mos e përsërisë atë presion.

Çfarë mund ta rrezikojë qeverisjen e kësaj mazhorancë sipas jush? A është në ekuilibër marrëdhënia PS – LSI ?

Edhe vetë dy liderët e PS dhe LSI kur kanë folur për këtë temë nuk kanë treguar dashuri në të njëjtin niveli si të asaj të prillit të vitit 2013. Por mendoj se besoj se kjo është normale në një koalicion që përveç bashkëqeverisjes ka edhe rivalitet politik. Personalisht mendoj se rreziku kryesor i kësaj koalicioni është vetëm një: Keqqeverisja. Nëse qeverisja do jetë sa më efektive edhe koalicioni do ishte dhe do jetë më mirë. Por kur qeverisja çalon, natyrisht do gjenden edhe sebepe, rrjedhimisht edhe koalicioni do jetë i tillë.

 

Si po funksionin opozita dhe kryetari i saj Lulzim Basha ?

Lulzim Basha është politikani i parë i nivelit të lartë në Shqipëri që pas vitit 1944 që është diplomuar në Perëndim. Kandidat për kryeministër, me profesion jurist, tre herë ministër dhe kryetar i bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha edhe erën e ka në favor. I kam vlerësuar shumë prurjet e tij të reja në PD me djem dhe vajza të diplomuar në perëndim si vetë ai dhe dëshirën e madhe të këtyre djemve dhe vajzave të bëjnë opozitë. Por të gjitha këto nuk mjaftojnë. Sepse në PD ka edhe të rinj që sillen më të vjetër se të vjetrit. Më tej, në PD ka të vjetër që akoma marrin frutet e kohës kur ishin ministra dhe nuk e kanë marrë vesh akoma që janë në opozitë. Në mënyrën e saj Jozefna Topalli ka të drejtë kur kërkon një opozitë më efikase, më energjike, më të fortë e më të vendosur. Në mënyrën e saj unë jam dakord por këto cilësi PD i tregoi në opozitën e periudhës 1997-2005 dhe nuk mund të përsëritet e njëjta mënyrë me opozitën e vitit 2013 e këtej. Që PD ka nevojë të shkundet kjo është e dukshme. Por që kjo shkundje nuk mund të vijë nga ata ish-ministra, ish-zyrtarë të lartë të qeverisjes së PD që ne në media i kemi akuzuar për korrupsion, abuzim me postin, arrogancë e gjithëfarësoj. Politika kërkon moral dhe moralin nuk mund ta sjellin ata që janë akuzuar për amoralitete. Në këtë mënyrë duket se Lulzim Basha betejën më të madhe në fillim e ka me këta personazhe brenda në PD, një betejë që në fakt është e munguar deri tani. Nëse ai do ta fitojë këtë betejë, ai ka fituar edhe betejën e madhe politike me qeverisjen që e pret. Nëse Basha do të vijë në pushtet edhe me këta personazhe, ne nuk do kemi thjesht një ndryshim pushtetesh për shkak të keqqeverisjes, por për shkak se erdhi radha e PD.

Vitin e keni botuar një libër të rëndë: “Historia e 33 kryeministrave të Shqipërisë”. Pse duhet ta shkruajë një gazetar dhe jo një historian për “33 kryeministrat e Shqipërisë”?

Kjo gjë njihet edhe në median e huaj, e sidomos në atë italiane që ti Doriana e njeh shumë mirë. Unë nuk prita që këtë libër ta lexoj nga një historian, prandaj e shkruajta vetë. Fillesa ka qenë historia e kryeministrave që vetë si gazetar i kam mbuluar apo kam shkruar për ata. Me të tjerët u mora me arkivat dhe kështu arrita ta kompletoja librin.

Patrioti më i madh i vendit të vet është ai që gjen më shumë gabime dhe defekte, sipas jush cili është defekti më i madh i shqiptarëve ?

DEMBELIZIMI. O zot sa më shqetëson kur shoh dikë që nuk punon, bën sikur punon ose bën punën me hile. Kjo është pasoja më e madhe që ne kemi si shoqëri. Dembelizmi sot është kudo, në politikë, gazetari, institucione shtetërore e private dhe këtu nuk na e ka fajin fare qeveria, as Edi Rama, as Ilir Meta e as Sali Berisha dhe Lulzim Basha. Është një cilësi që duhet ta përmbysim si shoqëri. Sepse dembelizmi gjithnjë shoqërohet me një sërë vesesh të tjera sidomos i pari sipas radhës: festivali i thashethemeve që në shoqërinë tonë është sport më vete. A e vini re që sa shumë fjalë dhe përfolje ka në shoqërinë tonë? Ky, ai, ajo, e me radhë. Përse? Nga dembelizmi që kuptohet fare lehtë kur shikon baret dhe restorantet plot, në të cilat ulet një popull që renditet nga më të varfrit në Evropë. Dembelizmi sjell edhe vese të tjera si servilizmi dhe spiunimin modern që do të thotë që për t’iu dukur mirë shefit, kryeministrit, pronarit apo drejtorit, dembelët bëjnë çmos që të mbajnë vendin e punës duke shpifur e deformuar për atë që e kanë frikë për shkak të zotësisë që disponon ai. Duhet të zhdukim këtë ves që gërryen shoqërinë dhe kjo arrihet vetëm nga brezi i ri. Unë besoj shumë tek ky brez. Hermesnews.al/

SHKARKO APP