Roli i Institucionit Suprem të Auditimit në zhvillimin e qëndrueshëm
Nga Sali Agaj dhe Bexhet Zeqiri/ Sistemi i auditimit publik si pjesë e kontrollit shtetëror përbëhet nga dy elementë kryesore në demokraci: auditimi i jashtëm (Institucioni Suprem i Auditimit) si instrument i Parlamentit dhe strukturat e auditimit të brendshëm pranë organeve të ekzekutivit.
Një lexim i thjeshtë i “Standardeve Ndërkombëtare të Auditimit Shtetëror” mund ta bëjë shumë të qartë dallimin. Detyra kryesore audituese e SAI-t është “të sigurojë dhe të nxisë transparencën publike”, ndërsa detyra e auditimit të brendshëm është t’i japë informacion Qeverise mbi besueshmërinë e raportimeve financiare dhe zbatimin e ligjeve dhe të vendimeve.
Në pjesën e I-rë të dokumentit fondamental të Organizatës Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit (INTOSAI) të ashtuquajtur Deklarata e Limës “Qëllimi i Auditimit”, theksohet se auditimi nuk mbaron thjesht kur ai përfundon si proces, por është pjesë thelbësore e sistemit rregullues, qëllimi i të cilit është të zbulojë shmangiet nga standartet dhe shkeljet e parimeve të ligjshmërisë, eficencës, efektivitetit dhe ekonomicitetit të menaxhimit për të bërë të mundur që të ndërmerren veprime rregulluese, për t’i bërë organet përkatëse që të pranojnë përgjegjësitë, për të bërë kompensimin ose për të ndërmarrë hapa për të parandaluar – ose të paktën për të zhdëmtuar këto shkelje.
Shumë vende shpesh kanë bërë ndryshime të rëndësishme për sa i takon operacioneve të ndërmarra nga SAI-t e tyre duke reflektuar metodat moderne të auditimit dhe përgjegjësitë në sektorin publik. Këto ndryshime kanë zgjeruar qëllimin funksional të auditimit, veçanërisht në fokusin e tij për paraqitjen e organit të auditimit për sa i takon vlerësimit të menaxhimit, eficencës, efektivitetit dhe ekonomisë, ndryshime të cilat u bënë edhe nga KLSH, me miratimin e ligjit të ri organik të institucionit, në vitin 2014.
Në vendet e vërteta demokratike është opozita ajo që interesohet për raportet e SAI-t dhe përdor zbulimet e kritikën e këtyre raporteve si armë të forta në ballafaqimin parlamentar me qeverinë.
Për të dy format e auditimit (auditim i jashtëm & i brendshme), audtimi pas-faktit i transaksioneve duhet të ketë ndikimin e kontrollit para-faktit të sistemeve dhe kostoja e auditimit duhet të jetë në përpjesëtim të drejtë me rezultatet e auditimit.
*Auditues të KLSH-së