Romani i magjishëm që “u shkrua vetë”
“Kronikë në gur” i Ismail Kadaresë
Nga Preç Zogaj
Kam vënë re se në shumicën e rasteve, ata që shkruajnë për veprën e Kadaresë-ithtarë të flaktë qofshim, apo thjesht dashamirës, kritikë profesionistë apo “çmitizues” tendenciozë-bashkohen në vlerësimin me pikët maksimale për romanin e tij “Kronikë në gur”.
A është “Kronikë në gur” romani më i mirë i Kadaresë? Po të thirreshin në votim të gjitha kategoritë e lexuesve që përmenda më sipër, besoj se “Kronikë…” do të votohej më shumë se romanet e tjera. Edhe unë do të votoja për të, pavarësisht se nga pikëpamja e peshës, fuqisë dhe mjeshtërisë së të shkruarit është një roman i tejkaluar nga vetë Kadareja. Librat e mrekullueshëm të këtij shkrimtari, që u shkruan më pas, kanë gjithnjë diçka nga “Kronikë në gur”. “Kronikë në gur” ngjan të jetë një lloj ‘libri i librave’ ku embrionalisht u programua gjithë vepra e autorit. Në të njëjtën kohë “Kronikë në gur” është një vepër unikale, e papërsëritshme. Më shumë se një roman tjetër i Kadaresë, atë e ka konkurruar dhe kaluar pjekuria e shkrimtarit. Unë gjithnjë e kam hequr mënjanë, domethënë e kam nxjerrë nga gara, kur më është dashur ta krahasoj me një vepër që dukej qartë se qëndronte më lart. Nuk mund ta përfshija në një sistem krahasimi, ku do më duhej ta kënaqja me medalje argjendi apo bronzi.
“Kronikë” ishte dhe mbetet për mua një libër që mund edhe të kalohet, por s’mund të jetë i dyti. Kjo marrëdhënie e veçantë lidhet edhe me faktin se bashkë me librin me poezi “Fije bari” të Uollt Uitmanit, ky roman zbriti apo ndërhyri në moshën midis adoleshencës dhe rinisë sime me një prarim që kurrë nuk e kisha ndjerë, dhe me një zë që kurrë nuk e kisha dëgjuar më parë. Gjithnjë e kujtoj si jam tronditur dhe përndritur kur e lexova për herë të parë. Besoj se jeta ime ndryshoi, në kuptimin që, duke e ndjerë e kuptuar në mënyrën time, perceptova intuitivisht tragën e re të prozës moderne shqipe. Më shumë se kaq-duhet ta them- në vetminë dhe mjerimin e jetës sime të atëhershme “Kronikë në gur” ishte një prej librave që krijoi një horizont, domethënë një strehë për pritjen e një adoleshenti të helmuar nga pamundësitë. Mendova se kisha përse jetoja.
Do të them përshtypjen e leximit të parë, të cilën e kam të gjallë sot e kësaj dite. Mua më dukej se këtë roman nuk e kishte shkruar njeri, por ishte shkruar vetë. Shkrimtari i kishte fryrë pëllëmbës së dorës si një magjistar dhe ja ku, nga tymnaja mistike që ishte ngritur përpjetë, kishin filluar të përftoheshin konturet e qytetit të Gjirokastrës, qytet i çuditshëm që dukej sikur kishte dalë në luginë papritur një natë dimri si qenie prehistorike dhe duke u kacavjerrë me mundime të mëdha, i ishte qepur faqes së malit; pastaj ishin përftuar Ismail Kadare fëmijë dhe shoku i tij Iliri, pastaj gjithë një fandaksje e jashtëzakonshme me gratë sureale në një minder të gjatë, Xhexhua, Selfixheja, Kako Pino dhe të tjerat, duke marrë lajme e duke dhënë gjykime mbi punët e botës; me plakat e jetës, mbi njëqind vjeçe, që nuk i shihte kush në rrugë prej dekadash, njëra prej të cilave do të vdiste nën gërmadhat e bombardimeve duke pyetur: “kush më vrau mua”; me Babazotin që pinte duhan me llullë, lexonte qitape dhe dëgjonte muzikën e jevgjve, që i jepej prej tyre si kompensim për qiranë e papaguar, me Dino Cicon, shpikësin grotesk dhe tragjik të aeroplanit prej druri, i madh sa një tabut, të cilin do ta merrte me vete mbi shpinë kur të evakuohej qyteti, për të mos e lënë nën kërcënimin e bombardimeve. Pastaj me radhë me Llukan Burgamadhin, që lirohej sa herë ikte një regjim dhe kthehej në burg sapo vendosej regjimi i ri, edhe pse nuk kishte më një dënim për të; me Avdo Babaramon, mitraljerin e vjetër, me Syrjanë që bëri të padëgjuarën duke vënë syze; me Gjergj Pulajn që ndryshonte emrin duke ia përshtatur okupatorit të radhës; me Lame Kareco Spirun, të vluarin e shtëpisë publike që ndiqte nga pas me të qara kamionin që largonte nga qyteti prostitutat italiane; me sheh Ibrahimin që do të nxirrte sytë me gozhdë për të mos parë mbërritjen e partizanëve në qytet; me shumë e shumë të tjerë burra dhe gra. Në magjinë e pëllëmbës, ashtu si personazhet, edhe ngjarjet kanë veshjen e groteskes. Edhe ato më tragjiket. Përshkrimet e pushtimit të qytetit nga italianët, grekët, italianët përsëri, gjermanët, ballistët, partizanët jepen shpeshherë me notat e humorit të zi. Shkrimtari ka përdorur naivitetin si formë të vështruari për të rrokur tërësinë e ngjarjeve kundërthënëse dhe për të dhënë me penelata të sakta larminë e tipologjive në teatrin e vogël ku lëvizin. Në gjithë këtë ndërthurje Gjirokastra duket si fundi i botës, ku Lufta e Dytë Botërore sheh në ëndërr marrëzinë e vet. Të paharrueshme janë faqet ku përshkruhet Vasiliqia, një magjistare e shtirur me sy të skuqur dhe flokë të lëshuar, që grekët e lëshonin në qytet njëherë e një kohë për t’u vënë gishtin atyre që duhej të vriteshin, të cilët ajo i caktonte pasi i shihte në sy.
Në një pikë të caktuar, realiteti i së magjishmes dhe magjia e reales shkrihen në një. Sidomos në kapituj e fundit të romanit që i kushtohen luftës. Gjithçka vjen dhe ikën, duke lënë pas gjurmën e një kujtimi, që me kalimin e kohës do të zbehet e tretet gjithashtu. Magjia që kemi parë të ngrihet nga pëllëmba e shkrimtarit i përcjell të gjithë dhe zhduket gjithashtu. Kurse qyteti i gurtë, më i pjerrëti në botë, mbetet ai që ka qenë, në përjetësinë e lëndës që e mban në këmbë. Kadare ka thënë diku se këtë roman nuk e ka shkruar, por e ka mbledhur, pasi ngjarjet dhe personazhet kanë qenë gjithmonë përbri tij, rreth e rrotull tij. Nuk di të ketë thënë edhe diçka tjetër themelore për këtë roman, diçka që unë nuk e kam menduar dhe nuk mund ta mendoja kur e kam lexuar, por më vonë. Ky është romani që paralajmëron romanet e mëvonshme. Në faqet e “Kronikë në gur” gjejmë sinopset e “Breznia e Hankonatëve”, “ Viti i mbrapshtë”, “Darka e gabuar”; gjejmë pikëvështrime që shkrimtari do t’i rimarrë më vonë për t’i përpunuar në nivelin e optikës së tij ideo-estetike për jetën. Megjithëse i shkruar në periudhën e komunizmit, hyrja e partizanëve në qytet celebrohet me një akt terrorist të mirëfilltë, të cilën autori ka arritura t’ia rrëshqasë censurës, duke e paraqitur me naivitetin e fëmijës. Nga kjo pikëpamje “Kronikë në gur” është jo vetëm ‘libri i librave’ të Kadaresë, por edhe testament i tij i parë i koduar i një shkrimtari që talenti e çonte drejt lirisë së mendimit. “Kronikë në gur” është padyshim një libër nostalgjie që u përkujton lexuesve të vjetër mrekullinë e leximit të një kryevepre të shkruar në shqip. Por “Kronikë në gur” mbetet një libër përherë i ri për lexuesit e rinj.
MAPO