Rrëfimi prekës i 10-vjeçares që ka frikë nga vdekja! Ervisa s’lufton dot vetëm…

Ervisa është diagnostikuar me sëmundje të rëndë të zemrës menjëherë pas lindjes, ndërsa sipas mjekëve kardiologë, ndërhyrja kirurgjikale është e pamundur dhe i vetmi shpëtim për 10 vjeçaren është transplanti.“Më mungon jeta ime. Nuk mund të jetoj dot me këtë vuajtje në zemër. Edhe zemra po e humbet fuqinë e saj për të përballuar këtë vuajtje”. Kështu nis letra që Ervisa Ruda, 10 vjeçe, i ka lënë nënës dhe tezes së saj me frikën që një ditë papritur do të iki nga kjo botë.

Për nënën e saj, këto 10 vite kanë qenë të mbushura me frikë, ankth dhe shumë pak shpresë. Ndërkohë babai i ka braktisur që në momentin e lindjes së fëmijës së sëmurë.

“Ai nuk do ta dijë farë, prandaj u ndava. Nuk na ndihmon farë”, shprehet Miranda Çili, nëna e vajzës.

Në kushte të vështira ekonomike familja e gjyshit e ka të pamundur të përballojë kurimin e vajzës, ata luten që dikush të mund t’i ndihmojë.

“Në muaj, vajza merre rreth 100 mijë lekë ilaçe. Ka raste që merr edhe më pak, por shpesh shkon edhe 150 e 200 mijë lekë ilaçe. Kërkojmë ndihmë nga shteti, nga bashkia që vajza të jetojë si të gjithë të tjerët, të jetë normale”, shprehet gjyshi i vajzës.

Ervisa është një nxënëse e shkëlqyer, edhe pse shpesh herë ditët e shkollës shndërrohen në krevate spitali ku i duhet të qëndrojë me ditë të tëra në oksigjen.

Në gjendje të rënduar psikologjike, 10-vjeçarja që tashmë ka kuptuar çdo gjë, e ka të pamundur të flasë./Top Channel

SHKARKO APP