“Rrëmuja” e shifrave – Qeveria parashikon rritje gati dy herë më të lartë se FMN, BB, KE

Aktorë të ndryshëm projektojnë një panoramë krejt të ndryshme për ekonominë shqiptare gjatë vitit që do të vijë, por edhe gjatë vitit aktual. Kryeministri Rama, së fundmi, foli për një rritje ekonomike të vendit tonë pranë 6.3% përgjatë vitit të ardhshëm. Banka Botërore, projekton thuajse gjysmën e kësaj norme për vitin e ardhshëm, vetëm 3.5%.

Deklarata e Ramës ndërkohë merr shtysë nga optimizmi i qeverisë në hartimin e projekt-buxhetit të vitit të ardhshëm, ku flitet për një normë rritje pak më shumë se 6%. Por, ndërkohë, absurdi i shifrave merr një përmasë edhe më të madhe kur vihet re se, në bazë të projekt-buxhetit, qeveria flet për një rritje të prodhimit të brendshëm bruto me plot 5.5% për vitin aktual

Ndërkohë që qeveria shqiptare projekton një normë rritje të ekonomisë për vitin e ardhshëm pranë 6.3%, Komisioni Europian projekton një normë rritje pranë 3.9%, dhe 3.7% për vitin aktual, Banka Botërore pranë 3.5% dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar pranë 3.7%. Ky  i fundit parashikon një rritje ekonomike të vendit tonë pranë 3.7% edhe përgjatë vitit aktual.

Por, nuk duhet lënë pa përmendur fakti se, ndërkohë që të treja institucionet ndërkombëtare kanë rishikuar në rënie projeksionet për ekonominë shqiptare në harkun e 6 muajve të fundit, qeveria shqiptare ka vendosur të përqafojë tendencën e krahut të kundërt, duke rishikuar në rritje projeksionet.

Paçka se, qeveritë kanë tendencën që të jenë më tepër se ç`duhet optimiste, sidomos në projeksionet mbi të cilat përpilohet projekt-buxheti, diferencat janë tepër të mëdha. Optimizmi i tepruar i qeverisë shqiptare për rritjen ekonomike gjatë viteve në vijim, në mbi 6% duket se merr shtysë nga besimi i verbër për një rritje të ndjeshme të investimeve, si atyre publike, ashtu edhe atyre të huaja.

Në projekt-buxhetin e këtij viti, qeveria projekton një rritje të Produktit të Brendshëm Bruto me thuajse 100 miliardë lekë. Në mënyrë që ky parashikim të realizohet duhet realisht që investimet të rriten frikshëm.

/SCAN

SHKARKO APP