Rriten mashtrimet financiare, Prokuroria: Në total 283 raste, 237 me sigurimet
Mashtrimi me sigurimin e automjeteve ka dominuar krimin financiar gjatë vitit të shkuar. Televizioni Scan ka zbardhur një raport të Prokurorisë së Tiranës, sipas të cilit në vitin 2016 janë regjistruar në total 283 procedura për veprën penale të mashtrimit financiar.
237 prej këtyre mashtrimeve i përkasin sigurimeve. 3 mashtrime janë kryer me subvencionet dhe në një rast bëhet fjalë për përdorimin e paautorizuar dhe përhapjen e informacionit të privilegjuar.
Në 8 raste Prokuroria e Tiranës ka nisur hetime për shkelje të së drejtës së pronësisë industriale. Nga të dhënat e prokurorisë së Tiranës mësohet se 88 e të dyshuarve për mashtrime me sigurimet janë dërguar për gjykim, ndërkohë që numri i të pandehurve të dërguar në gjykatë është 87.
Në total, për veprën e mashtrimit numërohen 143 procese gjyqësore me një numër prej 148 pandehurish. Ndërkohë që numri i të pandehurve të dënuar për krimin e mashtrimit arrin në 122 për vitin e shkuar.
Krahasuar me vitin 2015, vepra penale e mashtrimit ka shënuar një rritje pre 18%. Në vitin 2015, numri i procedimeve për mashtrim ishte 239, për të shkuar në 283 në vitin 2016.