Rriten me +50% lejet e reja të ndërtimit

Numri i lejeve të reja të ndërtimit u rrit në tremujorin e dytë të vitit me mbi +50%.

Sipas të dhënave të sotme të INSTAT-it, gjatë kësaj periudhe u dhanë gjithsej 98 lejet e reja për ndërtimin nga 65 të tilla që ishin dhënë në tremujorin e parë.

Numrin më të madh të lejeve me nga 18 të tilla e kanë dhënë Bashkia e Tiranës, ajo e Durrësit e Shkodrës.

Kurse qarku i Kukësit është i vetmi që nuk dha asnjë leje në këtë tremujor. Ky qark, për tre tremujorë rresht nuk ka dhënë asnjë leje, teksa shihet se qarqet e Vlorës dhe të Gjirokastrës kanë dhënë vetëm nga 1 leje ndërtimi.

Sipërfaqja e lejeve të ndërtimit të dhëna në tremujorin e dytë ishte rreth 59.331 m2.

Numri i lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa rezidente (ku përfshihen ndërtesat për banim) zë 62,2% të numrit gjithsej të lejeve, ndërkaq numri i lejeve miratuar për ndërtesa jorezidente (ku përfshihen ndërtesat për hotele dhe të ngjashme, zyra, ndërtesa tregtare, industriale dhe të tjera) zë 37,8%.

Banka e Shqipërisë ka analizuar se zhvillimet në sektorin e ndërtimit mbetën në kahun rritës, por ecuria e vlerës së shtuar konfirmon vazhdimin e trendit ngadalësues. Pas zgjerimit me 22.4% të vlerës së shtuar në ndërtim gjatë tremujorit të dytë të vitit 2015, aktiviteti ka ngadalësuar ritmet e rritjes duke qëndruar rreth 7.6% në tremujorin në analizë.

Sipas të dhënave të tërthorta të vlerës së përafërt të lejeve të ndërtimit, rritja e kësaj vlere krahasuar me një vit më parë u ndikua kryesisht nga kategoria e ndërtimeve për qëllime banimi dhe në një masë më të vogël nga ndërtesat e tjera.

Banka referon se sinjalet e marra nga të dhënat e vrojtimeve për normën e shfrytëzimit të kapaciteteve në ndërtim gjatë tremujorit të dytë janë pozitive.

SHKARKO APP