Rriten pagat për mësuesit, mjekët dhe infermierët
Qeveria parashikon rritjen e pagave për punonjësit e arsimit dhe shëndetësisë vitin e ardhshëm. Ka qenë ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, i cili e bëri me dijë këtë gjatë mbledhjes në komisionin e Financave, teksa prezantoheshin projektligjet për buxhetin e vitit 2018.
Deputeti i LSI-së, Edmond Haxhinasto e pyeti ministrin nëse kjo rritje do të tejkalojë vlerën e inflacionit.
Ahmetaj u përgjigj: Të ardhurat për frymë rriten nëpërmjet rritjes ekonomike. Rishpërndarja është një nga elementet që individët mund të përfitojnë. Rritje sektoriale për arsimin dhe për shëndetësinë.
Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave, nga rritja e pagave do të përfitojnë 31 mijë mësues në të gjithë vendin si dhe 18 mijë mjekë dhe infermierë.
Edhe pse nuk është vendosur përfundimisht se kur do të hyjë në fuqi rritja e pagave, varanti paraprak që po diskutohet parashikon që ajo të nisë nga 1 korriku 2018, ndërsa masa e rritjes mendohet se do të jetë rreth rreth 5 %