Rritet frikshëm paraja jashtë bankave
Teksa interesat e kursimeve kanë rënë në nivele të papërfillshme, individët duket se po priren të gjejnë alternativa të tjera investimi, përfshirë dhe jashtë sistemit.
Të dhënat e fundit zyrtare nga Banka e Shqipërisë tregojnë se në muajin shkurt paraja jashtë bankave u rrit me 11.8 për qind në terma vjetorë, duke shënuar një nga kërcimet më të forta të viteve të fundit.
Sipas Bankës, në fund të shkurtit, paraja që qarkullon jashtë sistemit bankar arriti në 217.3 miliardë lekë nga 194.2 miliardë që ishte në shkurt të vitit të kaluar. Kjo do të thotë se në një vit paraja cash (kesh) në ekonomi u rrit me 23 miliardë lekë ose gati 200 milionë dollarë.
Edhe pse në nivele të larta, paraja jashtë bankave ka qenë e stabilizuar për disa vjet me radhë. Por dy vitet e fundit ajo po rritet sërish, madje me ritme të vrullshme. Ekspertët mendojnë se fenomeni është nxitur nga ulja e ndjeshme e interesit të depozitave në banka.
Sipas të dhënave zyrtare, për depozitat me afat njëvjeçar normat e interesit kanë rënë me gati 4 herë në dy vitet e fundit duke cekur nivelin 1.5 për qind.
Disa ekonomistë besojnë se rritja e fortë e parasë jashtë bankave mund të sinjalizojë një tjetër fenomen shqetësues, atë të huadhënies informale. Një sërë vëzhgimesh të Bankës së Shqipërisë kanë konfirmuar se në Shqipëri ekziston dhe një treg financiar informal, ku biznese apo individë, në pamundësi për të siguruar kredi nga bankat, shkëmbejne financime jashtë sistemit.
Ky është një fenomen që ka lulëzuar veçanërisht tre vitet e fundit kur ekonomia u përball me ngadalësimin dramatik të kredisë. Një fenomen, i cili sipas ekspertëve mund të ketë shërbyer si amortizator për të kompesuar politikën shtrënguese të bankave, por që qartazi rrit rreziqet për ekonominë dhe sistemin financiar./TCH