Rritet kreditimi në lekë me 7.5%
Ulja e kostos së lekut ka nxitur qytetarët të rrisin kërkesat për kredi në monedhën vendase. Banka e Shqipërisë raporton se në 3 mujorin e dytë të këtij viti kredia në lekë u rrit me 7.5%. Arsyeja që ka nxitur qytetarët apo dhe bizneset të marrin kredi në lekë, është se interesat kanë qenë më të ulëta, si rezultat i vendimarrjes së Bankës së Shqipërisë, për uljen e normës bazë të interesit. Kjo normë aktualisht është në masën 2 %. Burimet zyrtare të BSH-së thonë nuk pritet të bëhet ndryshim i normës bazë të interest, të paktën deri në fund të 6 mujorit të parë 2016. Kredia në lekë është një produkt më i lehtë për të aksesuar edhe për faktin se shumica e kredimarrësve, e marrin pagën në lekë dhe nuk kanë kosto shtesë për shkak të kursit të këmbimit. Sipas BSH-së ecuria pozitive e kredisë në lekë ka ndikuar në rritjen në 42.5% të peshës së këtij portofoli ndaj totalit.
Kreditimi në valutë u tkurr me 0.7% në terma vjetorë. Sipas BSH-së dobësia e kreditimit në valutë është diktuar si nga ndërgjegjësimi i bizneseve për rrezikun e kursit të këmbimit, ashtu dhe nga orientimi i kërkesës për kredi për investime në lekë. Gjithsesi, kredia për biznese është rritur me 2.0% vit mbi vit në tremujorin e dytë të 2015. Përmirësimi i portofolit të kredisë për biznese është mbështetur si nga kreditimi për nevoja likuiditeti, ashtu edhe nga rritja e kredisë për investime. Pjesa më ë madhe e kredisë është thither nga sektorët e industrisë dhe shërbimeve.