Rritet numri i sipërmarrjeve të emigrantëve në Itali, shqiptarët të katërtit

Në Itali është çdo vit e në rritje numri i sipërmarrjeve të ngritura nga emigrantët e shqiptarët.

Ata renditen të katërtit në numrin e përgjithshëm të tyre.

Sipas të dhënave të publikuara nga Dhoma Italiane e Tregtisë deri më 30 qershor të 2017 në Itali numërohen rreth 580 mijë sipërmarrje të ngritura nga emigrantët.

Në gjashtëmujorin e dytë të 2017 janë regjistruar 6700 shoqëri më shumë duke bërë që sipërmarrjet e emigrantëve të përbëjnë rreth 10% të numrit të përgjitshëm të sipërmarrjeve në Itali.

Në vend të parë renditen sipërmarrjet me pronarë shtetas marokenë, në vend të dytë ato të ngritura nga kinezët, në vend të tretë sipërmarrjet e ngritura nga emigrantë rumunë e në vend të katër janë sipërmarrjet me pronarë shtetas shqiptarë.

Deri në gjashtëmujorin e parë të 2017 në Itali rezultojnë të regjistruara 31 641 sipërmarrje të drejtuara nga pronarë shqiptarë.

Ato operojnë në të gjithë territorin italian dhe pse një numër i konsiderueshëm i tyre rreth 5.3 %, është përqëndruar në territorin e provincës së qytetit të Firences ku numërohen rreth 1688 shoqëri sipërmarrëse me pronarë emigrantë shqiptarë.

Sektoret kryesore ku kryejnë aktivitetin e tyre sipërmarrjet e emigrantëve në Itali janë; sektori i tregtisë me rreth 208 mijë sipërmarrje, sektori i ndërtimit me 130 mijë sipërmarrje, sektori i hotelerisë e turizmit me rreth 45 mijë sipërmarrje e ai i manifakturës me mbi 40 mijë sipërmarje.

Një në çdo 3 shoqëri, sipërmarrja e emigrantëve është artizanale.

Rajonet kryesore italiane ku kanë ngritur aktivitetin e tyre shoqëritë e sipërmarrësve të huaj janë; Lombardia, Lazio e Toskana.

SHKARKO APP