Rritja e çmimit të energjisë është vrastare për industrinë

Nga Zef Shtjefni

Nëse ERE ia ka mbushur mendjen Qeverisë, se me skemën e re nuk do të kemi rritje të çmimit të energjisë elektrike, e ka gënjyer. Për të mos folur në tym, këtu poshtë kam dy faksimile të faturave të energjisë të një subjekti prodhues, njëra në korrik 2014, para rritjes së çmimit. Dhe tjetra, e shkurtit 2015, pas ndryshimit të çmimit. Pra rritja është qartazi dhe neto: për energjinë aktive 17. 27%, për energjinë e pikut 17. 23%, për energjinë reatikve 16. 96 %. Mund të jetë dhe e diktuar kjo nga FMN dhe institucionet e tjera kredidhënëse ndërkombëtare. Por, edhe pse jam një nga të shumtit shqiptar që mbështes me sa mundëm qeverisjen e zotit Rama, pasi jam koshinet se pa ligje, pa rregulla dhe reforma ky vend nuk ecën dot përpara e nuk europianizohet. Megjithatë, nuk kemi se si të mos themi të vërtetën, pasi dielli me shoshë nuk mbulohet, i thonë një fjale. Për mendimin tim aksioni masiv i ndalimit të vjedhjeve të energjisë, ishte emergjencë jetike për vendin. Por, rritja e çmimit të energjisë, ishte gabim. Më keq akoma, u bë në mes të dimrit. Ishte gabim, që nuk do të kalojë pa pasoja për Mazhorancën qeverisëse. Është një nga pak rastet që mund t’i japim të drejtë Opozitës, e cila në fakt, në të shumtën e aksioneve të saj, në vend që të merret me këto halle reale të popullit, merret me sharlatanizma politike, që i hynë në punë vetëm synimit të saj për karriget e pushtetit të humbur. Është fakt që hajdutët e energjisë dhe kultivuesit e drogës ia kanë mbushur Bashës e Berishës sheshet e mitingjeve këto kohë. Por, po ashtu është fakt se një pjesë e madhe e tyre janë ata që protestojnë jo pa të drejtë për rritjen e çmimit të energjisë. Hallin e rritjes së çmimit të energjisë nuk e kanë vetëm familjet e varfra shqiptare, por dhe çdo biznes e në mënyrë të veçantë, industria jonë prodhuese. Krahas krizës së madhe globale e lokale, që ajo po mban tash 2-3 vite në kurrizin e brishtë, t’i mëshosh tani plagës edhe me energjinë, më duket gabim i madh. Industria jonë kështu po katandiset më keq se ato familje e varfra që jetojnë me asistencë sociale e mëshira. Rrezikohet seriozisht falimentimin masiv i saj, (ku kostot veç rriten, ndërsa çmimet e prodhimeve shkojnë pikadë poshtë), siç ka ndodhur me ndalimin e plotë të industrisë qeramike, një nga më të mirat që kishim. E patëm paralajmëruar Qeverinë edhe për gabimin e bllokimit të lejeve të ndërtimit, por nuk na dëgjoi për inat të babëzisë së Lul Bashës me lejet poshtë digës së Liqenit Artificial. Duke bllokuar për disa muaj totalisht ndërtimet, u ndalua një zinxhir shumë i madh i ekonomisë kombëtare i lidhur me to, që llogaritet në afro 40% të fuqisë së ekonomisë sonë. Megjithatë u bë mirë që u reflektua dhe u rihap një dritare me Agjencinë e Mbikëqyrjes së Territorit, e cila mendoj se bën mirë të punojë shpejt, për të zhbllokuar ngërçin, pasi kemi dhe zgjedhjet para dhe kështu agonia mund të zgjatet. I duhet thënë troç Qeverisë se edhe heqja e taksës së sheshtë e rritja e tatim fitimit me 5% nuk janë gjëra me të cilat ajo mund të mburret. Duke i shtuar kësaj edhe përkeqësimin e situatës së rëndit publik, e cila frymëzohet dhe orkestrohet nga berishianët, për t’i thënë këtij populli se:” ja çfarë ju gjënë kur më largoni mue nga pushteti”. Në fakt t’i japësh të drejtë Ristanit, kampionit të antligjit në këtë vend, të vjen të pëlcasësh. Por kur faktet janë fakte, duhen thënë, me shpresë se Qeveria do të dëgjojë e reagojë në korrigjimin e tyre, siç edhe e bën shpesh herë.

Një pjesë e mirë e kabineteve tona qeveritare, fatkeqësisht vijnë nga hiçi i përvojës me punën. Kjo më pas i ka bërë Qeveritë të nguten dhe bëjë gabime që kushtojnë shtrenjtë. I tillë mund të jetë edhe rritja e çmimit të energjisë. Kur rritja u bë nga ERE, më e keqja ishte se u bë me një mashtrim të madh publik, duke deklaruar se asnjë lloj rritje çmimi nuk do të ketë. “Rrena e ka këmbët e shkurta”, thotë populli. Dhe ja, shikoni këto fatura, se flasin vetë…Kështu Qeveria humbet kredibilitetin në popull. Imagjinoni që të besueshmit do ribëhen prapë Ristanët, Palokat e gjithë berishianët që mashtrimin, hipokrizinë dhe anarkinë e kanë në gene. Këta zotërinjtë e ERE-së nuk kanë harruar asgjë pa tërhequr nga vetja, kur bënë lëvizjen e çmimit. Kanë llogaritur energjinë normale, atë reaktive dhe kohën e pikut. 

Unë e shumë si unë, që punojnë prej vitesh edhe ne Europë, e dimë mirë se ka dhe një pik tjetër pik , që ERE e ka harruar, ndoshta qëllimshëm dhe për t’iu bërë servile e Qeverisë për grada. ERE ka harruar kohen e pikut të ulët. Pra, konsumin e energjisë natën, kohë kur nuk ia blenë askush asaj energjinë. Atë e konsumon vetëm industria, që punon 24 orë. Në gjithë Europen, për të mos thënë në gjithë botën, çmimi i energjisë natën është deri 30% më i ulët se normali. Çdo shtet është i interesuar për rritjen dhe stimulimin e prodhimit të brendshëm, sepse krahas prodhimit e punësimit, ai t’i le kapitalet brenda vendit. Pse ERE nuk e merr para sysh këtë? Ndalimi i keqbërës ndaj industrisë e biznesit duhet të jetë një nga prioritet më të mëdha të çdo administratë publike. Sot industria jonë po bën luftë mbijetese të vështirë në shumë fronte:me krizën ekonomike, me kriminalitetin e shtuar, me rritjen e taksave, me rritjen e energjisë, me e kancerin e korrupsionit etj. Opozita ndoshta nuk meriton të dëgjohet , sepse i ka dalë boja, duke politizuar çdo gjë. Por Qeveria, nëse nuk mund të dëgjojë e besojë Opozitën, duhet të dëgjojë patjetër biznesin, sepse ai është edhe aleat i saj në çdo kohë. 

SHKARKO APP