Rritja e çmimit të ujit, Kryemadhi: Përgëzoj këshilltarët e LSI që ngritën zërin

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, nëpërmjet një statusi në rrjetin social facebook, ka reaguar lidhur me debatin për rritjen e çmimit të ujit për konsumatorët e Tiranës.

Kryemadhi ka përgëzuar këshilltarët e LSI-së, për faktin se ngritën zërin për rritjen e çmimit të ujit të pijshëm, e sipas saj është një reagim pa kompromise dhe interesa.

“Këshilltarët e LSI-së treguan sot se më shumë se kartoni dhe karriget në këshill ka rëndësi shërbimi ndaj qytetarëve, se më shumë se opinioni i grupeve të ngushta të interesit është parësor shërbimi ndaj qytetarëve. Ky është dhe do të mbetet qëndrimi ynë”, shkruan kryetarja e LSI.

Më tej znj.Kryemadhi, shton se vendi ka nevojë për një opozitë që lufton dhe përpiqet për qytetarët dhe jo për partitë politike. “Shqipëria sot ka nevojë për një opozitë që lufton dhe përpiqet për qytetarët dhe jo për partitë politike”.

Statusi i plotë

“Përgëzoj sot për kurajon dhe vendosmërinë grupin e këshilltarëve të LSI-së në Bashkinë e Tiranës. Më shumë se çdo aksion politik, sot është e rëndësishme të ravijëzohet një opozitë e vërtetë dhe konstruktive, pa kompromise dhe interesa të mëdha a të vogla. Shqipëria sot ka nevojë për një opozitë që lufton dhe përpiqet për qytetarët dhe jo për partitë politike. Këshilltarët e LSI-së treguan sot se më shumë se kartoni dhe karriget në këshill ka rëndësi shërbimi ndaj qytetarëve, se më shumë se opinioni i grupeve të ngushta të interesit është parësor shërbimi ndaj qytetarëve. Ky është dhe do të mbetet qëndrimi ynë”, shkruan Kryemadhi.

SHKARKO APP