Rritja e konsumit të birrës e pijeve freskuese, tatimet forcojnë kontrollet për kuponin tatimor

Shqipëria turistike edhe këtë verë ka hapur dyert për turistët, numri i të cilëve ka qenë në rritje dhe shumë më i shtuar se në çdo pjesë tjetër të vitit por edhe më shumë se verën e kaluar. Rritja dhe përqëndrimi i popullsisë e turistëve në zonat turistike kryesisht në bregdet, por edhe temperaturat e larta që kanë karakterizuar këtë verë vendin tonë, patjetër që sjellin për pasojë rritjen e konsumimit të pijeve freskuese, ujit dhe veçanërisht birrës.

Birra është pija e cila në këtë stine të vitit ka konsum të shtuar. Por edhe pse të dhënat dhe faktet tregojnë qarte se konsumi i birrës është rritur dhe kjo evidentohet si në njësitë tregtare, baret, restorantet, plazhet, etj., xhiro e deklaruar nga subjekte të ndryshme nuk reflekton rritjen e dukshme që reflektohet në konsumin e shtuar të këtij produkti, por jo vetëm. Duke marrë shkas nga kjo situatë, administrata tatimore, nuk është aspak e kenaqur me qarkullimin (shitjet) e vetëdeklaruara për birrën si për atë të prodhimit vendas dhe për birren e importit.

Është e qartë se tendencës në rritje nga muaji në muaj, të paktën për tre muajt e fundit i konsumit të birrës nuk i përgjigjet me të njëjtën tendencë rritje, xhiroja e deklaruar për birrën nga subjektet tregtare, rritje e cila është shumë e vogël krahasuar me atë që duhej të ishte duke iu referuar konsumit. Kjo tregon se mund të kemi tregtim të këtij produkti në mënyrë informale pa faturë tatimore. Për këtë qëllim si pjesë e luftës kundër informalitetit sektorial dhe sezonal veror, përqëndruar kryesisht në zonat turistike është vënë re se po organizohen verifikime, monitorime xhiroje për verifikim të shitjeve dhe blerjeve si në subjekte të mëdha prodhuese, importuese, distributorë, si dhe inspektime në njësi të vogla tregëtare, bare dhe restorante, për dokumentimin me faturë tatimore ose kupon tatimor për konsum final të tregtimit të birrës.

Mesa duket për t’u siguruar që dokumentimi bëhet me faturë tatimore në çdo hallke të zinxhirit të tregtimit që nga prodhuesit apo importuesit tek distributori, njësitë tregtare me shumicë-pakicë, bare, restorante e deri tek konsumatori final, këto verifikime do të shtrihen në të gjithë zinxhirin që nga tatimpaguesit e mëdhenj dhe deri tek konsumatori final që është i detyruar të marrë kuponin jo vetëm si detyrim ligjor me qëllim dokumentimin e transaksionit, por edhe si përgjegjësi qytetare në ndihmë të procesit të formalizimit.

Birra është produkt ndaj të cilit nuk paguhet vetëm Tvsh por edhe Akcizë. Kështu që mungesa e dokumentimit të transaksionit të shitjes, përveç se cënon formalizimin dhe nxit evazionin fiskal, por ndikon ndjeshëm të ardhurat në arkën e shtetit. E fokusuar mbi bazë sektoriale, verifikimet e administratës do të fokusohen si tek birra dhe pijet energjike si produkte akcize, por edhe tek lëngjet, pijet freskuese, uji dhe produktet e qumështit të gjitha këto me një konsum të shtuar sezonal që nuk justifikohet aspak nga xhiro e deklaruar e subjekteve për këto muaj kur pritshmëritë e administratës ishin më të mëdha si llogjikë e thjeshtë dhe normale e konsumit të shtuar.

Duke nxitur vazhdimisht vetëpërmbushjen e detyrimeve tatimore si dhe duke nxitur klientët të marrin kuponin tatimor si solidar në të drejta e përgjegjësi, në rast të konstatimit të shkeljeve do të aplikohen penalitetet përkatese sipas ligjit. Tregtarët dhe ofruesit e shërbimeve në sektorin e turizmit që do të verifikohen nga kontrollet e administratës duhet të disponojnë në çdo moment faturën tatimore të blerjes së këtyre produkteve për të dokumentuar mallin gjendje përndryshe malli do të konsiderohet i padokumentuar. Verifikimet dhe inspektimet nga informacionet dhe njoftimet që i kanë shkuar biznesit do të vijojne deri në fund të gushtit dhe kryesisht të fokusuara në sektorin e produkteve të birrës, pijeve, lëngjeve, ujit dhe të tjera produkte sezonale.

SHKARKO APP