Rritja e tarifave të ujit – ERRU ndryshon rregullat për dëgjesa publike me qytetarët

Teksa disa qytete po diskutojnë mundësinë e rritjes së çmimit të ujit, Enti Rregullator i Ujit ka ndryshuar rregullat që duhet të ndjekin operatorët e ujësjellës kanalizime për organizimin e seancave dëgjimore  me qytetarët mbi ndryshimin e  tarifave.

Përmes një vendimi, që mban datën 9 shtator, ERRU përcakton se seanca dëgjimore duhet të bëhet para paraqitjes së propozimit për ndryshim tarife tek ERRU, ndërkohë që ata operatorë që në zonën e tyre të shërbimit mbulojnë më shumë se një bashki, duhet të organizojnë seancë dëgjimore për secilën bashki të zonës së shërbimit.

Një prej risive të vendimit është detyrimi i operatorëve për përgatitjen e një relacioni shpjegues për justifikimin e rritjes së çmimit. Ky relacion duhet të përmbajë detaje që lidhen me një përshkrim të shkurtër të shërbimeve të furnizimit me ujë dhe kanalizimeve, duke dhënë treguesit kryesorë të performancës. Po ashtu,  relacioni duhet të përmbajë objektivat e shoqërisë për përmirësimin e treguesve kryesorë të performancës,  siç është kohëzgjatja e furnizimit me ujë apo norma e arkëtimit si dhe planet e veprimit që ka shoqëria për realizimin e objektivave të mësipërm.

Dokumenti duhet të jetë i publikuar në faqen web të shoqërisë së ujësjellës kanalizime, ndërsa për publikun që nuk ka akses apo mundësi përdorimi të internetit, shoqëritë duhet të ofrojnë kopje të thjeshtuara të printuara të relacionit pranë njësive të komunikimit me klientët.

Seanca dëgjimore duhet të zhvillohet të paktën 30 ditë kalendarike përpara dorëzimit të aplikimit për ndryshim të tarifave pranë ERRU-së, ndërsa ka për qëllim sqarimin dhe përfshirjen e publikut në procesin e propozimit të tarifave të reja, rritjen e transparencës, besimit dhe bashkëpunimit të publikut me shoqëritë  e ujësjellës kanalizime.

SHKARKO APP