Rritja ekonomike, ‘Rama II’ vazhdon të mbahet me projektet e qeverisë ‘Berisha’
Ndonëse qeveria aktuale ka hyrë në mandatin e saj të dytë, ekonomia shqiptare vazhdon të varet nga projektet e qeverisë së Sali Berishës. Instituti i Statistikave deklaroi se ekonomia shqiptare u zgjerua me 4.06 për qind në tremujorin e dytë të vitit, por sërish rritja e prodhimit erdhi kryesisht nga gazsjellësi Transadriatik, një projekt i kontraktuar nga qeveria e mëparshme e demokratëve.
“Aktiviteti i Ndërtimit pati rritje me 22,68 %, influencuar kryesisht nga investimet private të lidhura me TAP, si edhe nga kompanitë që bëjnë vepra publike si rrugë, stadiume etj,” deklaroi INSTAT.
Ky është një rast i paprecedentë, jo vetëm për Shqipërinë por edhe me gjerë, kur një qeveri në mandatin e dytë të saj vazhdon t’u gëzohet nismave ekonomike të qeverisë paraardhëse, ndërkohë që nuk ka asnjë investim madhor të kontraktuar gjatë qeverisjes së saj tashmë 5 vjeçare.
Të gjitha investimet nga Berisha
Nga krahu i kërkesës pjesa kryesore e rritjes ekonomike po vjen nga investimet, kryesisht ato të huaja. Sipas të dhënave zyrtare nga Banka e Shqipërisë, në harkun kohor të një viti, nga tremujori i dytë 2016 deri në fund të tremujorit të parë 2017, Shqipëria ka tërhequr në total 994.3 milionë euro investime të huaja.
Por 70% e kësaj shifre, ose 691.3 milionë i përkasin gazsjellësit TAP dhe Kaskadës së Devollit, dy projekte të kontraktuara nga qeveria e mëparshme e Partisë Demokratike.
Qeveria aktuale e ka trumbetuar si një nga sukseset e saj më të mëdha rritjen e investimeve të huaja direkte. Por në fakt ky është sukses i qeverisë paraardhëse, ndërsa investimet e kontraktuara nga qeveria aktuale janë thuajse inekzistente.
Sipas shifrave, nëse nuk do të ishte TAP dhe Kaskada e Devollit, investimet e huaja direkte në ekonominë shqiptare do të ishin vetëm 300 milionë euro në vit, një nivel i barabartë me atë të 15 viteve më parë.
/ SYRI.net