Rritje e fortë e parasë jashtë bankave, dalin 134 milionë euro

Paraja që qarkullon jashtë sistemit bankar ka shënuar një rritje të lartë në dhjetor 2014, duke u zgjeruar me 5.3% në raport me nëntorin 2014, për të arritur në 217.7 miliardë lekë, sipas statistikave mujore të publikuara nga Banka e Shqipërisë. Ndonëse kjo është një tendencë sezonale, e konstatuar gjithnjë në dhjetor, të dhënat historike të Bankës së Shqipërisë tregojnë se kjo është rritja më e madhe që nga viti 2008, kohë kur sistemi bankar  vuajti një hemoragji të depozitave për shkak të panikut nga kriza financiare ndërkombëtare. Në dhjetor 2014, paraja jashtë bankave u rrit në vlerë absolute me rreth 11 miliardë lekë (rreth 78 milionë euro). Në të njëjtin muaj të një viti më parë, dalja mujore ishte vetëm 3.1 miliardë lekë. Banka e Shqipërisë e ka pranuar që gjatë 2014-s ka pasur një rritje të fortë të parasë jashtë bankave, jashtë tendencave sezonale. Me bazë vjetore, paraja jashtë bankave në 2014-n është rritur me 9.4%, duke u shtuar në vlerë absolute me 18.7 miliardë lekë, apo 134 milionë euro, rrjedhja më e madhe që nga 2008-a. Një vit më parë ky ndryshim ishte 3.2%, apo rreth 6 miliardë lekë, pra tre herë më i ulët. Ulja e ndjeshme e normave të interesit të depozitave vlerësohet si një nga arsyet kryesore që ka shkaktuar këtë tendencë. Norma mesatare e interesit të depozitave 12 mujore është aktualisht rreth 1.5%, sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, duke reflektuar politikën lehtësuese monetare të Bankës së Shqipërisë, që ka ulur normën bazë 13 herë që nga shtatori 2011, për ta zbritur aktualisht në 2%. Kjo dalje e fortë e parasë jashtë bankave ka nxitur dhe rritjen e kreditimit informal.

 

 

5.3%

Në raport me nëntorin 2014 u shënua rritja e nivelit të parave që qarkulloi jashtë sistemit bankar në muajin dhjetor 2014, për të arritur në 217.7 miliardë lekë

 

SHKARKO APP