Rruga e Arbrit nuk bie nga Kina
Lajme E Hënë, 19 Prill 2021 07:41
Nga Përparim Spahiu*
Edhe pse është e shkruar e zezë mbi të bardhë, sërish nuk dua të besoj se në Shqipëri, mund të jetë dikush që sulmon ndërtimin e Rrugës së Arbrit. Aq më tepër të jetë lindur në Dibër, madje edhe të ketë marrë votat e banorëve të këtij Qarku, për t’i përfaqësuar në Kuvendin e Shqipërisë.
Në numrin e djeshëm të gazetës “Panorama” lexova me çudi shkrimin “Rama ka përcaktuar kompaninë kineze që jep rryshfet”, ku kolegu im Shrefedin Shehu, mes të tjerave, akuzon qeverinë Rama se do të japë me koncension përdorimi edhe Rrugën e Arbrit – sipas tij – pavarësisht se “kjo rrugë është ende në hartë dhe nuk është ndërtuar”.
Edhe pse këtë të fundit (rrugën e mbetur vetëm në hartë), mund ta kuptoj si një “ndjesë” të kolegut tim dhe të partisë së tij, për mashtrimin sistematik që i bënë dibranëve për 8 vite me radhë, sërish nuk kuptoj pse tashmë që Rruga e Arbrit, më në fund po finalizohet, një dibran si ne, një deputet i këtij Qarku si unë, “i bie nga Kina” për ta sulmuar. Rruga e vërtetë nuk kalon nga Kina, por përshkon luginat malore të Shpalit, Murrizës, kapërcen me tunel në veri të Qafë-Murrizës nga ana e Tiranës, duke dalë në anën e Matit në luginat e bukura malore të Xibrit e Gurit të Bardhë, në grykën e rrjedhjes së sipërme të lumit të Matit mbi Urën e Vashës, luginën e Planit të Bardhë, tunelin e Qafës së Buallit, luginën e mirënjohur të Vajkalit, Zallit të Bulqizës, Zerqanit, deri në fushën e Gjoricës të pellgut të Dibrës, për të vazhduar deri në Dibër të Madhe. Banorëve të këtyre trevave, zoti Shehu shumë më shumë, por edhe unë që ia kam premtuar vetëm dy vite më parë, ua kemi borxh Rrugën e Arbrit.
Megjithatë jam i prirur të besoj se deklarata e djeshme e deputetit Shehu, nuk është paralajmërimi i një vote kundra në Kuvend për marrëveshjen me gjigandët aziatikë “Chinese Exim Bank” për finalizimin e Rrugës së Arbrit. Jo se mungojnë votat e maxhorancës, por se nuk do të dëshiroja kurrë që, të paktën një bashkëpatriot, deputet i Qarkut të Dibrës, qoftë ky me PD e Berishës, apo atë të Bashës, të zbatojë urdhrat politikë për të votuar kundra Rrugës së Arbrit, vetëm e vetëm pse ajo do të përfundojë në mandatin e maxhorancës aktuale. Gjoja paracaktimi i konçensionarit kinez, i deklaruar dje nga deputeti Shehu, nuk do t’i sjellë dibranëve, por as qytetarëve shqiptarë, asnjë cent dëm financiar.
Por duket se kolegu im (ish-ministër i Financave në qeverinë Berisha) është bërë shumë i më i kujdesshëm me financat publike, që nga fundviti i kaluar, kur ministria e Financave e kallëzoi penalisht në Prokurorinë e Republikës sëbashku me ish-ministrin Bode, për një dëm financiar 60 milion euro, të shkaktuara nga një tender i 2009-ës për marrjen e një kredie 250 milionëshe nga bankat e nivelit të dytë, me përqindje interesi 13% dhe pa respektuar procedurën e prokurimit.
Edhe sikur vërtetë të ishte kështu, për Rrugën e Arbrit, kolegu Shehu nuk ka nevojë t’i bie nga Kina…
*Deputet i Qarkut të Dibrës. Gazeta Panorama