Rruga e Kombit, MTI: Tarifa e mirëmbajtjes nën mesataren e rajonit

Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës deklaroi sot se tarifa për përdorimin e rrugës së Kombit (Milot-Morinë) është nën mesataren e rajonit dhe se për shpalljen e kompanisë fituese është marrë edhe aprovimi i kompanisë konsulente IFC.

Në një deklaratë, këshilltari për mediat i MTI-së, Arbër Hitaj tha se tarifa për rrugën Milot-Morinë është 4.16 euro pa TVSH, ose 3.63 cent për km. Sipas tij, kjo tarifë e përcaktuar që në vitin 2014 bazuar mbi rekomandimin e konsulentit IFC është 3.7% më e lartë se sugjerimi i IFC-së që përbën një rritje të pakonsiderueshme dhe të konfirmuar nga konsulenti.

Ministria e Transporteve shpalli javën e shkuar fituesin e koncesionit më të rëndësishëm në infrastrukturën publike, atë të mirëmbajtjes së rrugës Milot-Morine. Komisioni i Vlerësimit të Ofertave ka shpallur fitues konsorciumin turk “Vendeka Bilgi Teknologji”, që sipas ministrisë është miratuar edhe nga konsulenti i këtij procesi IFC.

Pak ditë pas miratimit të fituesit për koncesionin e mirëmbajtjes së rrugës së Kombit, deputetët e opozitës u shprehën kundër këtij koncesioni me argumentin se penalizohen banorët e zonës, të cilët nuk kanë rrugë alternative. Po kështu, edhe tarifa 5 euro në një kohë që buxheti i shtetit do të subvencionojë kompaninë duket e lartë.

SHKARKO APP