Rruga Përrenjas-Librazhd e mbyllur, Rama shkon në Korçë me helikopter
Rruga Prrenjas–Librazhd vijon të mbetet e mbyllur për shkak të rrëshqitjeve të dheut dhe rrezikshmërisë së lartë për qarkullimin. Në këto kushte, kryeministri Edi Rama ka zgjedhur të udhëtojë me helikopter për të vijuar vizitën e tij në Korçë.
Sipas informacioneve, Policia e Korçës është njoftuar se kryeministri ka zbritur me helikopter rreth orës 11:00 në stadiumin “Skënderbeu”, ku pritet të marrë pjesë në inaugurimin e Polit të Dijes.
Duke qenë se aksesi rrugor që lidh Pogradecin me Korçën është i bllokuar, helikopteri është konsideruar si zgjidhja e menjëhershme për realizimin e programit zyrtar. Kryeministri nuk do të përdorë as aksin Maliq–Gramsh–Elbasan, i cili aktualisht është i vetmi segment i hapur për qarkullim në këtë drejtim.
Rruga Prrenjas–Librazhd pritej të hapej sot në mesditë pas ndërhyrjeve në zonën e njohur si “Arra e Gurrës”, por gjatë orëve të mëngjesit janë regjistruar sërish rrëshqitje dheu. Për shkak të rrezikshmërisë së lartë, mjetet e tonazhit të rëndë që po punonin për hapjen e rrugës janë tërhequr nga vendi, duke shtuar pasigurinë për rifillimin e qarkullimit.
KOHA JONË SONDAZH

