Rryma elektrike një nevojë e domosdoshme

Nga Besnik Bedollari

Po kalojmë një situatë dimërore nga ku mund të themi se ky dimër nuk ka qënë dhe aq i ashpër në llojin e vet. Megjithatë reshjet e borës javën e kaluar sollën jo pak probleme në rrjetin elektrik duke lënë pa drita fshatra të tërë. Po i referohemi rrethit të Korçës ku njesitë administrative Gorë, Moglicë dhe Dardhas, për shkak të lartësive si krahina malore dëmet ishin të konsiderueshme. Rrjeti elektrik pësoi defekte në këputje telash dhe rrëzime shtyllash. Po përmendim disa nga fshatrat që kaluan dhe po kalojnë ende këtë situatë të vështirë: Lozhan, Senisht, Tresove, Qënckë, Dolan, Zvarisht, Strelcë, Selcë,Velçan, Mesmal, Desmirë, Moçan, Babjen, Marjan, Gribec  dhe shumë fshatra në Moglicë. Ndërkohë vazhdojnë problemet në fshatrat  Dolanec, Dërdushë, Strekanj, Niçë, Osnat. Kjo situatë vuri para përgjegjësisë emergjente OSHE-në e cila po mundohet të riparonjë defektet e lëna në ‘gjumë’ për kohë të tëra. Normal që dimri krijon probleme në rrjetin elektrik. Por cilat janë masat paraprake nga vet OSHE? Degradimi nisi që herët me privatizimin e ÇEZ, i cili le që nuk bëri asnjë lloj investimi, por dhe shkurtoi administratën që merrej më pranë terenit. E megjithaqtë pasojat i kalon komuniteti që mbetet me ditë të tëra pa drita. Këtu nis problemi i investimeve zero në rrjetin elektrik të këto zona, si dhe neglizhenca dhe indiferentizmi. Sepse gjatë verës duhej bërë riparimi i mundshëm aty ku e kërkon nevoja. Ndaj një shtyllë e shtrembër apo izolatorë të ‘lodhur’ nuk përballuan peshën e borës dhe ‘përqafuan’ tokën. Normal se nuk ka si të ndodhë ndryshe. Dhe këtu nis dhe paradoksi. Sa të aftë dhe të përkushtuar janë punonjësit e OSHE-së të riparojnë situatën? Tek vëren në teren është vërtet për të erdhur keq. Mungojnë veglat e domozdoshme të punës. Edhe ato pak që janë nuk japin produkt. Ndërkohë që elektricisti i ndierë ‘i lodhur’ i fsheh kambalecat rrugës se i rëndojnë shpinën. Po telat në shtyllë si do të lidhen?  E nësë ata janë të konsiderueshëm në numër produkti mbetet fare i ulët. Baza materiale e cekët, dëshira për punë serioze e vakët. Ndërkohë banorët e këtyre fshatrave të ndëshkuar nga fati duhet të presin ‘qiririn’ e Naimit t’u japë shpresë dhe pak dritë. Të ndodhur në mes malësive ku mungojnë rrugët lidhëse me qytetin, mes dimrit dhe problematikave të tjera, duhet që të mbajnë mbi sype dhe pasojat e rrymës elektrike e cila mbetet jetikë. Terr informativ dhe bateria e celularëve zero. Tashmë ironia e fatit i ka izoluar dyfish. Nëse u kërkohet të paguajnë rrymën elektrike duhet dhe t’ju jepet si duhet ky shërbim. Po presim të hapen negociatat për në BE, por vet Europa a ka probleme me energjinë? Është e dhimshme të diskutosh rrymën elektrike, apo më keq të rrish dhe  javë të tëra në terr në vitin 2018. Kjo për shkakun se investimet janë zero. Dhe OSHE të jëtë ‘zgjuar’ në kohën e duhur dhe të nisë në punë njerëzit e punës dhe jo njerëzve që u gjendet një punë, të cilët dremitin më pas. Po kur kthehen dhe e gjejnë rrymën elektrike në shtëpitë e tyre, ose më keq akoma i gjen dhe duke u rehatuar në ndonjë kafene. Por ata njerëz që sot mbeten ende në terr janë po aq të barabartë si të tjerët. I paguajnë taksat si të gjithë . Nuk kërkojnë të mëshirohën, por të respektohen si qytetarë të një vendi demokratik. Dhe tashmë me sytë nga zoti se një ditë po iu ndizet llamba elektrike.

SHKARKO APP