Rubrika “Tatimet Këshillojnë”, DPT: Tatimpaguesit, kategoritë që kanë detyrimin për t’u regjistruar

Në rubrikën “Tatimet këshillojnë” u publikua informacioni për regjistrimin e tatimpaguesve, mënyra e regjistrimit, dokumentet e nevojshëm dhe hapat që duhen ndjekur. Detyrimin per t’u regjistruar në sistemin tatimor e keni nëse bëni pjesë në kategoritë:

Persona që kryejnë një veprimtari ekonomike –tregtare

Organizata jo fitimprurëse, fondacione, entet publike, organizata politike dhe organe të tjera të ngjashme me to;

Të vetëpunësuari në veprimtari ambulante dhe ‘kryefamiljar” që punëson persona si puntorë shtëpie;

Individë që realizojnë të ardhura vjetore mbi 2 milionë lekë në vit;

Ku dhe si kryhet regjistrimi fillestar?

Regjistrimi fillestar kryhet në qendrën kombëtare të biznesit (QKB)

Çdo person që do të kryejë një veprimtari ekonomike tregtare, është i detyruar të bëjë regjistrimin fillestar të tij në Qendrën Kombëtare te Biznesit.

Konkretisht :

Personat fizikë,

Shoqëritë tregtare,

Degët dhe zyrat e përfaqësimit të shoqërive të huaja,

Shoqëritë dhe unionet e kursim-kreditit,

Shoqëritë e bashkëpunimit reciprok,

kryejnë regjistrimin fillestar në Qendrën Kombëtare të Biznesit, sipas procedurave të përcaktuara në ligjin nr.9723, datë 03.05.2007  “Për Qendrën Kombëtare të Biznesit”, i ndryshuar.

Regjistrimi fillestar bëhet me aplikim pranë çdo sporteli shërbimi tek “Qendra Kombëtare e Biznesit”. Regjistrimi kryhet nëpërmjet dorëzimit të aplikimit përkatës, të cilit i bashkëngjiten dokumentet shoqëruese, që provojnë të dhënat që regjistrohen.

Regjistrimi, në përputhje me ligjin “Për Qendrën Kombëtare të Biznesit” shërben njëkohësisht si regjistrim në tatime, në skemat e sigurimit, shoqëror dhe shëndetësor në inspektoratet e punës dhe organet doganore;

QKB, përcakton NIPT-in dhe ju pajis me Certifikatën e Regjistrimit, si për adresën kryesore dhe për adresa dytësore.

Kush kryen regjistrimin në Drejtorinë Rajonale Tatimore?

Regjistrimin pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore të juridiksionit sipas ndarjes administrative, e kryejnë personat e mëposhtëm :

OJF

Ente Publike

Përfaqësuesit Tatimor

Ambulanti

Kryefamiljari

Fermerët

Shtetasit e huaj subjekt i deklarimit individual të të ardhurave

Formulari “kërkesë për regjistrim” mund të shkarkohet lehtësisht nga faqja zyrtare e tatimeve  www.tatime.gov.al, dhe pasi të plotësohet nga aplikuesi, dorëzohet pranë DRT-së përkatëse.

Si kryhet regjistrimi i Organizatave jofitimprurëse?

Organizatat joftimprurëse, regjistrohen për qëllime tatimore pranë drejtorive rajonale tatimore të juridiksionit përkatës.

Dokumente të nevojshme për regjistrim:

Vendimi i Gjykatës,

Akti i Themelimit,

Statuti,

Fotokopje të Kartës së Identitetit ose të Pasaportës së administratorit apo përfaqësuesit ligjor,

Kontratën e qerasë, apo dokumentin e pronësisë për selinë dhe vendet e tjera të ushtrimit të aktivitetit.

Administrata Tatimore përcakton menjëherë NIPT-in dhe pajis me Certifikatën e Regjistrimit për selinë dhe për çdo adresë.

Përgjegjësitë tatimore dhe llojet e tatimeve që duhet të paguajë një OJF, varen nga objekti dhe natyra e aktivitetit.

Kategoria për efekt të sigurimeve shoqërore e shëndetësore për tatimpaguesit OJF, është vetëm statusi “punëdhënës”

Si kryhet regjistrimi i Enteve Publike?

Entet Publike (qendrore e vendore, si dhe njësitë e zbatimit të projekteve) regjistrohen në administratën tatimore, pasi është marrë më parë vendimi për krijimin e tyre, në përputhje me legjislacionin e fushës.

Dokumente të nevojshme për regjistrim:

Kërkesë me shkrim;

Baza ligjore e krijimit;

Dokumentin e emërimit të administratorit apo përfaqësuesit ligjor dhe fotokopje të Kartës së Identitetit ose të Pasaportës së tij;

Autorizimin për personin e ngarkuar për të kryer regjistrimin;

Formularin e regjistrimit të plotësuar.

Të dhënat për pronësinë e selisë (kontratë qiraje ose akt pronësie);

Pas marrjes së certifikatës së NIPT-it subjekti pajiset dhe me fjalëkalimin që do të shërbejë për deklarimin online.

Si kryhet regjistrimi i Përfaqësuesit tatimor?

Përfaqësuesi tatimor është personi përgjegjës për pagesën e TVSH-së , i caktuar nga një person i tatueshëm që nuk është i vendosur në Republikën e Shqipërisë, vend në të cilin duhet të paguhet TVSH-ja,

Një person caktohet si përfaqësues tatimor i personit që nuk është i vendosur në Republikën e Shqipërisë vetëm në qoftë se ai ka një vend të veprimtarisë ekonomike në Republikën e Shqipërisë.

Dokumente të nevojshme për regjistrim:

Vendim ose prokurë e caktimit apo emërimit të përfaqësuesit tatimor,

Një kopje të vërtetuar të marrëveshjes së përfaqësimit tatimor ndërmjet aplikuesit për përfaqësues tatimor dhe personit që ai përfaqëson;

Një kopje të vërtetuar nga autoritetet tatimore të shtetit përkatës, të certifikatës së regjistrimit tatimor të personit jorezident në vendin e tij të rezidencës.

Si kryhet regjistrimi i Ambulantit?

Ambulanti, është personi fizik, që ka mbushur moshën 16 vjeç, i vetëpunësuar, i cili tregton mallra ose shërbime për publikun pa pasur një vend biznesi fiks, që ushtron aktivitetin në njësi të vetme tregtimi të lëvizshme dhe lejohet të tregtojë në ambiente publike.

Ambulanti ka detyrimin për të paguar sigurime shoqërore dhe shëndetësore.

Dokumente të nevojshme për regjistrim:

Kërkesë me shkrim;

Fotokopje të Kartës së Identitetit ose të Pasaportës të personit të vetëpunësuar;

Formularin e regjistrimit të plotësuar;

Lejen nga bashkia nën juridiksionin territorial dhe administrativ, që i vetëpunësuari lejohet të tregtojë në vende publike të përcaktuara paraprakisht nga Bashkia dhe që ushtron aktivitetin në njësi tregtimi të vetme dhe të lëvizshme.

Si kryhet regjistrimi i Kryefamiljarit?

Kryefamiljari, konsiderohet një person i cili punëson individë si punëtorë shtëpie.

Kryefamiljari, ka detyrimin e pagesës së kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe të sigurimit të kujdesit shëndetësor, për punëtorët e shtëpisë që ka punësuar.

Dokumente të nevojshme për regjistrim:

Kërkesë me shkrim;

Fotokopje të Kartës së Identitetit ose të Pasaportës të kryefamiljarit;

Kopje të marrëveshjes së punës së nënshkruar midis tij dhe të punësuarit, e cila përveç të tjerave duhet të përmbajë detyrimisht :

Numrin e sigurimit shoqëror të personit të punësuar,

Kohën e fillimit të punës,

kohëzgjatjen e saj “me ose pa afat”,

Pagën mujore bruto.

Si kryhet regjistrimi i Fermerit?

Fermeri, i cili është prodhues bujqësor, i vetëpunësuar, që zhvillon aktivitetin me krahun e vet të punës dhe me mjetet e punës që disponon, në veprimtarinë e prodhimit bujqësor, pyjor dhe peshkimit..

Fermeri nuk ka asnjë detyrim tatimor.

Dokumente të nevojshme për regjistrim:

Aplikimin për regjistrim sipas formularit përkatës të plotësuar e nënshkruar nga kërkuesi

Dokumentin origjinal të identifikimit (letërnjoftimit)/ose kopje të noterizuar e tij.

Vërtetimin prej drejtorisë rajonale të Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Adm.të Ujërave,

Fusha e veprimtarisë prodhuese bujqësore ;

Specimeni i nënshkrimit (firmës) të individit-fermer.

Si kryhet regjistrimi i Individëve?

Individët rezidentë, që realizojnë të ardhura të tatueshme në territorin e Shqipërisë dhe jashtë saj. detyrohen të plotësojnë dhe të dorëzojnë Deklaratën Individuale Vjetore të të Ardhurave, në qoftë se ato realizojnë të ardhura bruto vjetore nga të gjitha burimet, mbi 2 000 000 (dy milionë) lekë.

Regjistrimi i shtetasve shqiptarë:

Vizitoni faqen e internetit : www.tatime.gov.al

Në menunë Shërbimet, zgjidhni “eShërbimet -Tatimet e mia”, dhe klikoni  “Regjistrohuni Këtu”

Plotësoni të dhënat personale në të gjitha fushat e Formularit që do t’ju shfaqet:

Pasi të jeni regjistruar ju do të keni mundësi të plotësoni dhe dorëzoni Deklaratën tuaj Individuale Vjetore, duke përdorur si Emër përdoruesi Numrin tuaj Personal në letërnjoftim si dhe Fjalëkalimin që keni vendosur në momentin e plotësimit të formularit

Individët jorezidentë, që realizojnë të ardhura të tatueshme me burim në Republikën e Shqipërisë, detyrohen të plotësojnë dhe të dorëzojnë Deklaratën Individuale Vjetore të të Ardhurave, në qoftë se ato realizojnë të ardhura bruto vjetore me burim në Shqipëri, mbi 2.000.000 (dy milionë) lekë

– Regjistrimi i shtetasve të huaj,(jorezidentë)

Për tu regjistruar, çdo individ i huaj (ose një person i autorizuar prej tij) duhet të paraqitet në zyrat e shërbimit të tatimpaguesve, ku do të pajiset me fjalëkalimin përkatës.

Regjistrimi dhe identifikimi i individit jorezident, bëhet me një kod fiskal dhe si i tillë, shërben Numri i Identifikimit Personal në Letërnjoftimin e individit jorezident.

Për më shumë informacion klikoni në www.tatime.gov.al, drejtohuni në sportelet e shërbimit ndaj tatimpaguesve në çdo Drejtori Rajonale Tatimore, ose telefononi në numrin pa pagesë 0800 00 02 të Qendrës së Thirrjeve pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.

SHKARKO APP