Ruçi: Diplomatët mendonin se isha i KGB-së

Gramoz Ruçi mbetet akoma edhe sot një nga figurat kryesore të Partisë Socialiste.

Megjithatë, për shkak të kaq shumë spekulimeve rreth tij, ai pranon në një intervistë se gjërat nuk kanë qenë të lehta.

Duke folur për gazetarin Ylli Polovina, që ka publikuar një libër me titull “Të jesh apo të mos jesh PS”, ai thotë se në vitet e para të demokracisë, Sali Berisha dhe Pjetër Arbnori e prezantonin si një njeri të ish-Sigurimit, që kishte mbaruar ndonjë shkollë speciale të KGB-së.

“Ndërsa kisha qenë vetëm një mësues dhe dy muaj ministër i Brendshëm. Nuk kisha qenë as portier i kësaj ministrie në kohën e diktaturës,” thotë Ruçi në intervistën e publikuar nga Panorama.

“Me shumë nga politikanët unë jam takuar. Edhe me mjaft nga këta, diplomatë dyshues. Ja një rast: takoheshim me kryetarin e politikës së jashtme të Parlamentit Europian. Ai erdhi në Shqipëri si i dërguar i këtij institucioni dhe u takua edhe me përfaqësues të tjerë të PS-së, por ne i dërguam një ftesë personale që të kalonte, nëse dëshironte, një darkë me ne. Pranoi. Në këtë darkë isha unë, Kastriot Islami dhe Namik Dokle. Kur ai u prezantua me mua, shtangu. E kapa ç’po ndodhte dhe i thashë: “Miku im, çfarë prisje të shihje?”. M’u përgjigj: “Një burrë me kasketë, të paktën 60 vjeç”. Vazhduam bisedën miqësisht dhe i sqarova se kisha qenë ministër i “Sigurimit” vetëm dy muaj, në një qeveri teknike dhe kjo e gjitha pas pluralizmit. Në fund të bisedës së nisur nga fjalët: “Pse, ju jeni Gramoz Ruçi?”, ai shqiptoi: “A e di çfarë kanë thënë për ty?” Filloi të më tregonte çfarë i kishin dëgjuar veshët në zyrat e shtetit dhe nuk harroi të bënte shaka: “E paskan hak që të shajnë, shih ç’më bëre mua”. E kisha bërë për vete”.

“Edhe një ndodhi tjetër. Ish-sekretari i Ambasadës Franceze po organizonte takimet e lamtumirës, sepse i kishte mbaruar shërbimi në Shqipëri. Vjen në selinë e PS. E priti thuajse e gjithë kryesia ekzekutive. Kur iu prezantova “Gramoz Ruçi”, gjeta vend dhe shtova: “Sigurisht nuk më mendonit kështu”. M’u përgjigj: “Po”. Vazhdova: “Mos mendonit të ishit përpara një 60-vjeçari?”. “Po”, përsëriti”.

Ruçi thotë se edhe shokët e tij të ngushtë kishin rezerva.

Edhe pse nuk ia thonin në sy, sërish ai thotë se “mërmërima më vinte te dera e zyrës”.

SHKARKO APP