Rusia ia dha botës shembuj të papërsëritshëm

 

Nga Alexander Karpushin

Para së gjithash më lejoni në emër të Ambasadës Ruse në Tiranë t’ju përshëndes përzemërsisht në këtë sallë, kujemi mbledhur me rastin e festës sonë kombëtare – Ditës së Rusisë, dhe t’ju falënderoj që sot ju jeni pranë nesh.

 

Kjo festë jo vetëm se shënon Rusinë e sotme, e cila doli në skenë një çerek shekulli më parë pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, por edhe gjithë rrugën historike shumëshekullore të vendit tonë. Është e rëndësishme për ne dhe për partnerët tanë ndërkombëtarë të mos harrojmë se Rusia ia dha botës shembuj të papërsëritshëm të forcës shpirtërore në fushën ushtarake, civile dhe atë të punës. Se në vendin tonë janë krijuar kryevepra të vërteta kulturore dhe janë bërë zbulime unike shkencore. Se populli rus ka dhënë një kontrubut vendimtar në shpartallimin e fashizmit dhe në përparimin e tërë qytetërimit.

Nga viti në vit kjo festë po bëhet gjithnjë e më e rëndësishme, ndërsa vazhdon thellimi i transformimeve në botën e sotme. Duke zënë një vend të denjë në keto procese, Rusia është e hapur ndaj çdo gjëje të re dhe përparimtare, si dhe ndaj bashkëpunimit me të gjithë partnerët pa përjashtim në bazë të respektit dhe përfitimit të ndërsjellë.

Është tejet e qartë se ngjarjet e fundit në Ukrainë dhe në Lindjen e Mesme kanë tronditur fort situatën ndërkombëtare dhe ndikimi i tyre do të ndihet për një kohë të gjatë. Po ashtu, duket e qartë se refuzimi i bashkëpunimit mes të gjitha fuqive kryesore nuk do të kontribuonte aspak në zgjidhjen e konflikteve kudo në botë.

Siç u theksua gjatë takimit të fundit të vendeve anëtare të G7, vetëm nëpërmjet përpjekjeve kolektive mund të ndërmerret një kundërveprim efektiv ndaj sfidave të ndryshme, si terrorizmi, trafiku i drogës, përhapja e armëve të shkatërrimit në masë, migracioni i paligjshëm, ndryshimi i klimës dhe shumë të tjera. Rusia është e përkushtuar për të ruajtur një axhendë pozitive në hapësirën euroatlantike. Jemi të bindur në perspektivën e krijimit të një hapësire të përbashkët ekonomike dhe humanitare nga Atlantiku deri në Oqeanin Paqësor, në të cilën mund të hynin vendet e Bashkimit Evropian, vendet anëtare të Unionit Ekonomik Euroaziatik, si edhe vendet që gjenden në mes të këtyre blloqeve të integrimit.

Rusia vazhdon t’i përmbahet parimit të veprimeve kolektive mbi një bazë solide të së drejtës ndërkombëtare, por me kusht se ajo e fundit të mos përdoret si instrument në dobi të interesave të pjesëmarrësve të veçantë të komunikimit ndërkombëtar. Siç u shpreh para pak ditësh Presidenti i Rusisë Vladimir Putin, “marrëdhëniet ndërshtetërore duhet ndertuar mbi një bazë afatgjatë: jo sipas logjikës së konfrontimit, por sipas filozofisë së bashkëpunimit”. Megjithatë, ende situata mbetet pak ndryshe.

 Nuk ka asnjë dyshim se bota do të përballet me vështirësi të reja që janë të lidhura me rreziqe dhe mundësi shtesë. Por jemi të sigurt se Rusia, pavarësisht të gjitha rrethanave, do të mbetet një aktor i madh global, çka parashikon vazhdimin e politikës sonë aktive në të gjitha drejtimet, përfshirë këtu edhe avancimin e marrëdhënieve tona me vendet e Evropës Juglindore.

Rusinë dhe Shqipërinë i lidhin ngjarje të shumta të shënuara historike. Veç kësaj, na bashkon angazhimi i përbashkët për të qenë të fortë dhe të begatë dhe për të garantuar mirëqenien dhe sigurinë e qytetarëve tanë. Prandaj është e rëndësishme që të dëgjojmë dhe të respektojmë njeri-tjetrin, të gjejmë pika të përbashkëta dhe të bashkojmë forcat tona rreth një axhende pozitive dhe konstruktive.

Të dashur miq shqiptar!

Për herë të parë unë e kremtoj këtë festë bashkë me ju në cilësinë e Ambasadorit të Rusisë në Shqipëri. Më duhet të them se që nga ardhja ime në Tiranë familja ime dhe unë personalisht me të vërtetë kemi rënë në dashuri me vendin tuaj unik dhe shumë interesant, si edhe me popullin e mrekullueshëm shqiptar, i cili është shumë i ngashëm me atë rus për nga shpirti, mentaliteti, niveli i mikëpritjes dhe sinqeritetit. Më lejoni t’ju uroj me përzemërsi suksese në të gjitha fushat dhe drejtimet e jetës. Dua t’ju uroj shëndet të fort, mirëqenie dhe mbarësi juve dhe të afërmve tuaj. I uroj Shqipërisë dhe të gjithë qytetarëve shqiptarë begati dhe arritje të tjera të mëdha!

Bindja ime e palëkundur është se, pavarësisht të gjitha pengesave, vendet tona do të ruajnë vullnetin për të zhvilluar edhe më tej gjithë kompleksin e marrëdhënieve tona dypalëshe në bazë të pragmatizmit dhe respektit të interesave të njeri-tjetrit.

Më lejoni të ngre një dolli për Rusinë e fortë, të lirë dhe të begatë. Për zhvillimin dhe forcimin e miqësisë dhe bashkëpunimit Rusi – Shqipëri.

Fjalimi i ambasadorit Rusi në Festën e Rusisë të organizuar në Tiranë

SHKARKO APP