Sa do të paguhen kryebashkiakët e rinj?

Pagat e kryetarëve të rinj të bashkive do të variojnë nga 37.400 lekë në 92.500 lekë.

Kjo përcaktohet nga Ministria e Financave, e cila ka miratuar klasifikimin e funksioneve, grupimin e njësive të qeverisjes vendore për efekt page dhe të kufijve maksimalë dhe minimalë të pagave për funksionarët e zgjedhur, të emëruar, për nëpunësit civilë dhe punonjësit e tjerë në organet e qeverisjes vendore, duke bashkëfirmosur me ministrin për Inovacionin dhe Administratën Publike, vendimin “Për një ndryshim në vendimin nr 1619, datë 02.07.2008 të Këshillit të Ministrave “Për klasifikimin e funksioneve, grupimin e njësive të qeverisjes vendore për efekt page dhe caktimin e kufijve të pagave të punonjësve të organeve të qeverisjes vendore”.

Kështu, për njësitë administrative me 20.001 deri 50.000 banorë, administratori paguhet 51.500 deri 92.500 lekë. Ndërsa për njësitë administrative me 5.001 deri 20.000 banorë, administratori paguhet nga 41.400 deri 79.500 lekë.

Sipas Ministrisë së Financave, për njësitë administrative me më pak se 5.000 banorë, administratori paguhet nga 37.400 deri 56.100 lekë.

Ministria e Financave bën të ditur gjithashtu se në zbatimin e këtij vendimi nuk ka efekte financiare shtesë, pasi për pagat e administratorëve do të përdoren fondet e pagave të përdorura për funksionin “kryetar” në njësitë e qeverisjes vendore që, deri para miratimit të ndryshimeve ligjore, ishin komuna dhe aktualisht nuk do të jenë më të tilla.

Sipas ndarjes së re territoriale, do të jenë plot 323 administratorë të cilët pritet të emërohen nga 61 kryetarët e rinj të bashkive për çdo ishkomunë apo ishnjësi bashkiake siç është rasti i kryeqytetit. 

SHKARKO APP