“Sa shumë po lodhet ky baba për ta bërë vajzën prostitutë”
Nga Koloreto Cukalli
Para pak javësh, në një orë fare të vonë, në Zonën e Lirë të Arian Çanit u zhvillua një nga debatet më interesante që mund të kem pasur rastin të shoh aty. Diskutohej nëse është kthyer “modelingu” në një aferë prostitucioni e klasit të lartë. Pa dhënë emra e raste, të ftuarit treguan se kishin dijeni për faktin se shumë “modele” në kompani ose spektakle të caktuara në të vërtetë përdoreshin nga organizatorët si “qerasje” për sponsorët e ndryshëm. Në atë debat dikush mbronte idenë që këto janë raste shumë të rralla, dikush që janë të rëndomta. Por si qendron e vërteta?
Vajzat
Ka më shumë vajza sot që duan të bëhen modele (dhe të famshme) sesa ka vajza që duan të bëhen mjeke, mësuese, piktore, etnografe, të marra sa bashku. Arsyet janë të shumta. Sistemi nuk promovon punën, studimin, karrierën profesionale. Sistemi na bombardon me mesazhe modelesh që janë të suksessëshme sepse “dinë të ecin” (?). Në të vërtetë, modelet kanë vetëm një vlerë, janë të bukura. Është komode pra, të bëhesh i pasur (kështu kujtojnë) dhe i famshëm (tepër relative) pa punuar, thjesht duke ecur e duke treguar këmbët e gjata. Por, sidomos Shqipëria nuk është vendi për modele.
Modelet
E pra, Shqipëria ka më shumë vende pune për mjeke sesa për modele. Për një arsye të thjeshtë, ne nuk kemi industri mode. Po të hapësh TV, reklamat kryesore janë të operatorëve telefonikë, një pjesë janë të huaja e të dubluara, të tjerat janë aq pak e aq bazike sa mund të mos quhen fare “biznes reklamash”. Ata që punojnë në fushën e marketingut e dinë sesa pak kërkesa ka, sa pak paguhesh, sa e varfër është bota e reklamave, dhe “modelet” jo rrallë përfundojnë duke shpërndarë fletushka rrugëve. Ndaj gënjeshtra për një botë aktive modelingu është e pakapërdishme. Të vetmit që e hanë, janë kryesisht prindërit, por dhe vajzat e vogla e papërvojë që nuk dinë gjë nga jeta.
Babai i vajzës
“Sa shumë po lodhet ky baba për ta bërë vajzën prostitutë” është batuta e një punonjësi në një TV, teksa shihte babain që rendte lart e poshtë për ta bërë vajzën modele, kap këtë e kap atë, hyj mik këtu e hyk mik atje. Kjo batutë fsheh një realitet të ndyrë. Baballarët nuk dinë. Nuk dinë se ç’ndodh. Duan që vajza të ecë para në jetë, por në një fushë që ata nuk ia kanë haberin sesi funksionon. E pra, modelingu është prostitucion hi class dhe në botë.
Fashion TV
Modeli më flagrant i prostitucionit të një niveli të lartë është Fashion TV. Yachtet e FTV që promovohen rëndshëm e ku zhvillohen party-t e famshme e ku ka vetëm femra të bukura, nuk janë gjë tejtër vetëm një vitrinë super-luksoze, ku milionerë të privilegjuar vijnë për të zgjedhur “modelet” e ardhëshme. E vetmja mënyrë për ët mbijetuar për shumicën e vajzave të modelingut botëror është të krijojnë lidhje seksi me sheikë e pasanikë me shpresën që diku mund t’u hapet një rrugë. Ato vajza presin një “projekt” si këmbim.
Jo se bota e modës nuk ka nevojë për modele të mira e të bukura. Por, rruga për atje është e shtruar me kompromise erotike. Meshkujt e femra që arrijnë të dalin në ndonjë reklamë të famshme e dinë se çfarë kanë paguar për të hyrë aty. Jo se kam gjë kundër. Ky është një biznes botëror sheikësh. Por, të paktën njoftoni të atin e vajzës.
Gazeta "Dita". Titulli orgjinal i shkrimit "Të paktën njoftoni babanë e vajzës".