Sa të varfër janë shqiptarët? Eurostat zbulon shifra të reja lidhur me ushqimin

A është konsumi i lartë i bukës dhe brumërave një shenjë e varfërisë?! Të dhënat krahasuese të Eurostat duket se e vërtetojnë këtë. Shqipëria, një nga shtetet me të ardhurat më të ulëta të Europës, renditet si vendi, ku banorët e saj shpenzojnë më shumë për bukë dhe drithëra në raport me të ardhurat e tyre. Sipas tabelave të publikuara nga Instituti Europian i Statistikave (Eurostat), shpenzimet nominale për bukë dhe drithëra, si përqindje e Prodhimit të Brendshëm Bruto (GDP) ishin 4.9%, më të lartat në Europë.

Shteti i dytë pas nesh është Mali i Zi, me 3.9% të GDP-së si shpenzime për bukë dhe drithëra, i ndjekur nga Bosnjë-Hercegovina me 3.3% dhe Maqedonia me 2.9%. Listën e vijon sërish një vend i Ballkanit Perëndimor, Serbia, me 2.7% (të dhënat për Kosovën mungojnë). Edhe Greqia, ndonëse një vend në Bashkimin Europian, shpenzon 2.7% të GDP-së për bukë dhe drithëra.

Mesatarja e vendeve kandidate dhe potenciale kandidate (përjashtuar Turqinë dhe Kosovën) është 3.3% e GDP-së, shumë më e lartë se mesatarja prej 1.1% e 28 vendeve të Bashkimit Europian.

Të dhënat e Eurostat tregojnë se jo vetëm shqiptarët shpenzojnë më shumë për të siguruar këtë nevojë bazë jetike, por kjo përqindje është më e lartë se 10 vjet më parë. Në 2007-n, viti më i hershëm kur i raporton të dhënat INSTAT, kjo përqindje ishte 4.4, ndërsa në 2016-n u shënua niveli maksimal prej 4.9% e PBB-së (të dhënat e Eurostat janë përditësuar në qershor 2017).

Në vlerë absolute, shpenzimet mesatare për banor për bukë e drithëra janë 183 euro në vit, më të lartat në rajon. Vendet e zhvilluara shpenzojnë më shumë për frymë për këtë produkt, pasi është më i shtrenjtë, por për shkak të të ardhurave të larta, ai nuk rëndon në xhepat e tyre.

Sipas metodës së fuqisë blerëse (ku mesatarja e Bashkimit Europian merret si referencë me 1), shqiptarëve u kushton blerja e bukës 84 herë më shtrenjtë se një europiani.

Shqiptarët, jo vetëm e paguajnë më shtrenjtë bukën në raport me të ardhurat e tyre, por edhe cilësia e saj lë për të dëshiruar. Së fundmi, prodhuesit vendas janë ankuar se mielli serb pa standarde që po importohet nga Kosova, po konkurron me çmime qesharake. Shqetësimi i industrialistëve shqiptarë të blojës ka si shkak importin nga Kosova të miellit serb që po hyn në Shqipëri me çmime gati 20% më të larta se prodhimet e fabrikave tona. Sipas tyre, ky miell nuk plotëson standardin minimal për proteinat (12%), futet edhe kontrabandë, nuk kontrollohet nga doganat dhe ka manovra shmangie taksash që nisin që nga importi prej Serbisë.

Buka është ende ushqim bazë në Shqipëri, pasi konsumi për person në ditë llogaritet në rreth 300 gramë dhe si i tillë çon në kequshqyerje dhe në anemi, sidomos te fëmijët. Fortifikimi i miellit nënkupton një nivel të lartë proteinash në miell dhe është elementi kryesor që Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe Organizata për Mbrojtjen e Fëmijëve (UNICEF) lobojnë për të siguruar një jetë më të shëndetshme në vendet e varfra.

Prodhuesit vendas pohojnë se mielli nga Kosova ka një nivel proteinash 7 deri në 10% maksimumi, ndërsa fabrikat shqiptare të blojës aplikojnë standardin 13% për proteinat, në të kundërt paralizohen. Ky problem i hershëm për prodhuesit shqiptarë duket se tashmë ka arritur kulmin, pasi kriza ekonomike i ka çuar gjithnjë e më shumë prirjet e konsumatorëve drejt produkteve të lira. Ndaj mielli i Kosovës ka avancuar në treg dhe kontrolli i tij nga autoritetet shqiptare ka probleme të shumëfishta që nuk lidhen vetëm me standardin. /Monitor/

SHKARKO APP