Sabri Skënderi: Punonjësit shëndetësorë, s’duhen pushuar nga puna”
Flet Presidenti i Urdhrit të Infermierit dhe njëkohësisht sindikalisti i njohur në sektorin e shëndetësisë, Sabri Skënderi
Z.Skënderi, punonjësit e shëndetësisë në rang vendi janë përballur javët e fundit me alarmin për shkurtime të vendeve të punës, por edhe paralajmërime, duke krijuar një situatë kaotike. Kush i mbron realisht këta punonjës?
Si sindikalist i vjetër, por edhe në kuadrin e drejtimit të Urdhrit të Infermierit, pasi mes tyre ka edhe shumë infermierë që u shkurtohet vendi i punës, mund të them se në Shqipëri ka një të vërtetë. Që sindikatat janë të përgjumura, për të mos thënë që sot janë të harruara fare, janë formale dhe nuk janë në misionin e tyre. Kur ekzistenca e sindikatave është shumë e lidhur me demokracinë e një vendi. Por mungesa e tyre është e lidhur me atë që te ne mungojnë hapësirat për t’u zhvilluar sindikalizmi si i tillë, sepse është e ditur në të gjitha vendet e botës që punëdhënësit nuk i kanë qejf sindikatat, nuk duan që punonjësit të jenë të organizuar në to, të kërkojnë të drejtat, kushte pune, më tepër motivim, mirëqenie apo paga. Dhe nisur nga kjo, ata bëjnë ç’është e mundur që të mos ekzistojnë sindikatat. Bile nëse merresh me sindikalizëm, në kohën e sotme je i përndjekur, klasifikohesh madje, si i bashkuar me opozitën e atij vendi. Dhe pikërisht, është kjo sjellje, kjo mungesë hapësirash, kjo mosmbështetje e sindikatave, që ato janë të përhumbura. Ose është edhe ai mentaliteti tjetër, që te ne sindikatat janë të ndara në dy grupime të mëdha, ku njëri mbështet njërin kah politik dhe tjetri kahun tjetër. E kur vjen njëri krah politik në pushtet, vepron si gjuetia e peshkut në det, ku gjen 2-3 elementë përkrahës të tij në krye të këtyre sindikatave, i afron ata në Këshillin Kombëtar të Punës, si për të qenë në rregull e për të thënë që “ja ne i kemi edhe përfaqësuesit e punëdhënësve dhe të sindikatave në institucione”. Teksa sindikalistët e vërtetë mungojnë sepse janë të trembur, janë të pabesueshëm. Sepse mund të indoktrinohen dhe të anojnë nga krahu i punëdhënësve, kur dihet se punëdhënësi më i madh sot në Shqipëri është shteti. E gjithë problematika është aty. Mirëpo shteti ka dy role, edhe të punëdhënësit, edhe rolin politik të zgjerimit të hapësirave demokratike, që sindikalizmi si një nga shtyllat e demokracisë së një vendi të zhvillohet dhe kur zëri i tyre nuk dëgjohet dhe ata që janë të zgjedhur e humbasin besimin tek sindikalisti, sepse thonë që edhe kur u ngrit nuk u dëgjua zëri i tij etj.. Ndërsa në legjislacion, e kemi të shkruar që drejtuesi sindikalist nuk përjashtohet nga puna, vetëm nëse ai ka bërë një vepër të rëndë që i kërkohet sindikatës për ta larguar. Pra është pikërisht kjo përndjekje dhe kur themi nuk dëgjohet zëri i sindikatës, në fakt nuk dëgjohet zëri i punonjësve. Punonjësit tanë, konkretisht ata në sektorin e shëndetësisë, mund të thuhet se shkojnë “të terrorizuar” në punë, sepse thonë që u rrezikohet në çdo moment vendi i punës, nuk janë të sigurt në punën që bëjnë. Ata nuk janë të motivuar në punën që bëjnë dhe ky motivim qëndron pikërisht tek fakti që pagat janë shumë të ulëta, që tek kushtet e punës, që tek veshjet, kujdesi i shëndetit dhe rreziqet në vendin e punës, ku aktualisht edhe nga punëdhënësi shtet nuk është menduar asnjëherë rreth tyre. Pra, jemi përballë një situate, kur punonjësit kanë frikë të flasin. Ata përfaqësohen nga disa të ashtuquajtur ‘sindikalistë’ që i zgjedhin vetë drejtuesit e qendrave shëndetësore, spitaleve, për të heshtur dhe mos dalë kundër rrymës asnjëherë, mos kryejnë misionin e tyre. Teksa realisht punonjësve po u ndalen padrejtësisht kuotat nga një federatë “fantazmë” e krijuar, që nuk ka lidhje fare me këta punonjës dhe me në krye një person që nuk është punonjës shëndetësie. Janë ndalur kuotizacione në grup nga disa institucione pa dijeninë dhe miratimin e punonjësve se në çfarë sindikate aderojnë, Kontrata e Nivelit të Parë edhe po të ishte e rregullt dhe e ligjshme nuk ka fuqi detyruese për të gjitha institucionet e shëndetësisë, sindikalistët e çdo institucioni janë të lirë të zgjedhin vetë në mënyrë pavarur sindikatën dhe drejtuesit. Ne do kërkojmë ligjërisht mbrojtjen e tyre për padrejtësitë që po bëhen duke u ndalur para në pagë.
Çfarë ka ndodhur në fakt me punonjësit e shëndetësisë shqiptare ndër vite? Si menaxhohet punësimi dhe mbrojtja e tyre nga shteti?
Që nga viti 1993-2013, kemi pasur një kontratë kolektive me Ministrinë e Shëndetësisë që nënshkruhej nga dy sindikatat e mëdha që ekzistojnë në vend e nënshkrimi i saj bëhej në mënyrë të vazhdueshme prej tyre, si grupimet më të mëdha që ishin në sistemin shëndetësor. Pas përfundimit të kësaj kontrate, të gjitha kërkesat që janë bërë nga këto dy sindikata për të negociuar mbi përsëritjen e kontratës, nuk ka pasur reagim nga ministria e papritur, një ditë na del një person tjetër që nuk e dimë kush e ka zgjedhur dhe vete nënshkruan një kontratë tjetër me ministrin e Shëndetësisë. Aktualisht, në bazë të ligjit, kur kontrata kalon afatin e nuk ka reagim nga palët, atëherë nga kontratë me afat, ajo kalon pa afat dhe quhet e mirëqenë. Dhe aktualisht, ne e quajmë të mirëqenë kontratën që ekziston mes dy sindikatave me MSH-në sepse ne kemi kërkuar për ta përsëritur, ata nuk kanë reaguar dhe prandaj mbetet në fuqi e para. Mirëpo, mbi këtë kontratë vete dhe nënshkruhet një tjetër… Ndërkaq, kemi me dhjetëra infermierë nga rrethet, që falë disa reformave, të cilat nuk na janë bërë të ditura, me spitalet e vogla ç’do bëhet për shembull, nuk dihet as se ç’do bëhet me këta punonjës. Sepse ne për shembull jemi vendi që kemi numrin më të vogël për infermierë për banorë, më të vogël se të gjitha vendet e Europës. Por edhe mjekësh. E për ne nuk është e drejtë, që pa një studim, të pushohen njerëz nga puna. Për ne, është e gabuar që dërgohen organika në spitale dhe u thuhet duhet të shkurtohen 30-60 veta. Është e vërtetë që mungojnë shumë mjekë specialistë e në vend që ata të gjenden, merret një hap tjetër i gabuar, shkurtohen infermierët, që nesër të përballemi me dy probleme të mëdha: gjetjen e mjekëve, por dhe të infermierëve. Pra, para se të bëhen këto veprime, duhet hartuar një strategji se ç’do të bëhet me ta dhe problemi i organizimit e shpërndarjes së burimeve njerëzore në shëndetësi nuk mund të bëhet me urdhra, por me një studim strategjik që sot mungon. Bëhet edhe me grupe bashkëpunimi për të parë nevojat dhe mundësitë. Duhet të dimë se punonjësit shëndetësorë nuk janë tepër asnjëherë, ata janë si roli i policisë dhe i ushtrisë, që duhet të jenë në gatishmëri për rastet që mund të ndodhin. Prandaj për mendimin tonë, ata janë të domosdoshëm në ato vende pune. Dhe për ne, shkurtimi i punonjësve shëndetësorë është i gabuar. Nëse do të ketë vend për t’u shkurtuar në sistemin shëndetësor, duhet parë mirë administrata, e cila është fryrë së tepërmi. Aty duhet parë shkurtimi dhe rregullimi i sistemit.
Përmendët më lart kushtet e punës, veshjet, pagat e shpërblimet, çfarë mendoni ju për veshjet me ngjyra të punonjësve, po për shpërblimet?
Veshjet janë një kërkesë e domosdoshme për punonjësit e shëndetësisë si për ata vetë për t’u mbrojtur nga infeksionet, por edhe për mbrojtjen e pacientit. Ne e kemi theksuar që uniforma e punës është një kërkesë etike dhe ajo ka të bëjë me paraqitjen e jashtme të punonjësit që aty lind besimi tek pacienti, sa serioze dhe sa e pastër është ajo. Ne kemi përcaktuar edhe në Kodin Etik disa kërkesa për këtë paraqitje, por në institucionet tona shpesh mungojnë veshjet ose u jepen vetëm nga një palë, që nuk është e mundur të përdoren çdo ditë.
Duhen dy lloj veshjesh dimërore dhe verore sepse një veshje me mëngë të shkurtra tani në dimër me kushtet që kanë institucionet tona do të ishte e papërshtatshme dhe jo serioze. Për sa i përket ngjyrave shëndetësia, gjithmonë ka qenë tek e bardha, por në ambiente të caktuara si salla reanimacioni etj., ka qenë edhe jeshile edhe blu, por unë do të doja të theksoja standardizimin e këtyre veshjeve dhe jo preferencat e atyre që bëjnë tenderat apo çfarë copash iu kanë ngelur pa shitur nëpër magazina.
Lidhur me shpërblimet ne kemi në Kontratë rrogën e 13, por kemi pasur edhe një VKM për 10 000 lekë shpërblim, tani ka dy vjet që shpërblehen të dalluarit, por ne nuk kuptojmë cilët janë dhe si zgjidhen, çfarë kriteresh vihen dhe nuk bëhet transparencë se ku shkuan shpërblimet.
Nga njëra anë shkurtime, nga ana tjetër diplomime pa fund nga viti në vit të punonjësve të rinj shëndetësorë. Si mund të na e shpjegoni këtë kontrast që ndodh në Shqipëri?
Ka një të vërtetë, që tregu shëndetësor në vendin tonë është i tejngopur dhe aktualisht kemi dy gjëra të kundërta: këtej kemi shkurtime dhe nga ana tjetër, kemi rritje të kuotave për infermieri etj.. Dikush thotë që le të dalin, se ka nevojë bota, por ato janë para’ të taksapaguesve shqiptarë e s’mund të harxhohen ato për të ndihmuar botën, aq më tepër që lind pyetja se a është niveli i punonjësve shëndetësorë shqiptarë për të konkurruar në tregun europian? Ne kemi vite që kërkojmë se duhen riparë kurrikulat apo formimi i këtyre infermierëve edhe në sistemin publik, a janë këto kurrikula të standardizuara brenda vendit. Sepse ne kemi probleme me konkurrimin në tregun evropian të punës jo vetëm me gjuhën e huaj që është numri një, por edhe me kurrikulën tonë, e cila ende nuk e ka gjetur veten brenda tij. Edhe në sistemin publik ne kemi shumë kuota, kur na duhen vetëm rreth 500-600 infermierë e aktualisht dalin 1000-1600, atëherë ku do shkojnë këta? E kjo lind edhe problematikën tjetër. Duhet të shihen të dyja krahët. Sasia, ndonjëherë e rëndon cilësinë, kur ne duhet t’i japim më shumë rëndësi kësaj të fundit.
Mbingopja e tregut shëndetësor është shoqëruar së fundmi edhe me lajmin për mundësi punësimi në Gjermani. Na thoni diçka konkrete rreth tij. Sa ekzistojnë mundësitë?
Ne kemi më shumë se një vit që kemi pasur kontakte me Gjermaninë, kemi qenë edhe si sindikatë, edhe si UISH, ku sipas tyre brenda pesë viteve atyre u duhen rreth 30 mijë punonjës shëndetësorë. Por a jemi ne të përgatitur për këtë treg? Këtu është gjithë problemi. Në fakt, jo vetën Gjermania, por edhe Anglia, Italia, madje dhe SHBA-të kanë nevojë për punonjës të kualifikuar shëndetësorë. Teksa tregu shqiptar ka mbipopullim të tyre. Porse ky i fundit, ndërsa punonjësit janë duke pretenduar tregun e huaj dhe po u futen gjuhëve të huaja pas 5-10 vitesh, mund të krijojë një problem. Po nuk e pe me syrin që është një profesion i vështirë, që duhet vlerësuar dhe motivuar më shumë, duhet trajtuar më mirë e jo si gur shahu, që rri urtë se unë të heq, e ardhmja në shëndetësi do jetë e vështirë. Prandaj unë mendoj që duhet të përmirësojmë cilësinë dhe aftësitë e formimit praktik të tyre. Sepse gjermani e çdo europian do t’i testojë, jo vetëm për gjuhën, por edhe praktikën. Sikundër duhet të miratojë edhe programin që ata kanë realizuar, nëse ai është në përputhje me programet evropiane sepse nëse jo, atëherë do të ketë probleme. Sepse ata kanë kërkesa cilësie të larta. Atje është puna punë, këtë duhet ta kuptojnë mirë të gjithë.