Sakja: E diela çliron Kavajën nga monopoli i krimit, PD i rikthehet bastioni

Kjo e dielë është një detyrim dhe përgjegjësi për 3.4 milion shqiptarë që me të drejtë vote dhe të lirë, ti drejtohen qendrave të votimit për të vendosur fatin e tyre dhe rrugëtimin e partive në krijimin e qeverisë. Zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, prej disa mujash kanë mbartur me vete peshën e zgjedhjeve të pjesshme lokale në Bashkinë e Kavajës, ky aty më 7 maj, u dhanë shenja të destibalitetit dhe sinjale për “kurban”.

Të dielën, përveç votës tek kutia që përcakton qeverinë e madhe, Kavajësit kanë edhe detyrën me më përgjegjësi për fatin e tyre, atë të votimit për kryetarin e ri të Bashkisë. Në këtë garë janë tre kandidatë, të tre forcave kryesore në vend: PS, PD dhe LSI.

Edhe pse një qytet i vogël, Kavaja gjithmonë lëviz në sytë e politikës dhe më 25 qershor ka peshën e fatit që do të ketë bashkia e re, pas 6 viteve të drejtuara nga PS-ja. Në këto zgjedhje lokale, Partia Demokratike është në garë me një figurë të njohur e të respektuar në qytet, që ka potencialin e duhur për të drejtuar bashkinë. Kandidati Isa Sakja shprehet se qytetarët e kanë mirëpritur projektin e tij “Për Kavajën”.

PD-ja pas humbjeve të thella në zgjedhjet vendore të 2011 dhe ato të 2015, këtë herë kërkon fitoren dhe rikthimin e Kavajës si bastion i PD-së dhe këtë do ta sigurojë me Sakjën që prezanton një projekt ku sjell pranë qytetarit shërbimet publike.

Isa Sakja kërkon besimin për projektin që premton transparencë në llogaridhënie dhe konsultim publik për çdo vendimmarje me qytetarin. “Çfarë do mëkati të ketë PD-ja në Kavajë nuk mund të ketë shenjë barazimi midis këtij mëkati dhe turpit të socialistëve”,-thotë Sakja.

Njëherësh edhe kreu i degës së PD-së në qytet, Sakja prej gati një muaj, aq sa zgjati fushata elektorale, është veçuar me stilin e sjellë për herë të parë në takimet me votuesit, në çdo cep që përfshin Bashkia e re e Kavajës, pas ndarjes së re territoriale. Me përgjegjësinë, komunikimin dhe trajtimit të qytetarit siç i takon një përfaqësuesi politik, Isa Sakja ka bindjen se me vënien e qytetarit në fokus, qyteti do të ketë ndryshim.

“Prej një muaji, ekipi ynë i fitores u angazhua në një fushatë pozitive me qytetarët e bashkisë së të Kavajës, duke i propozuar atyre një kontratë të re që ka në qendër qytetarin, dëgjimin me respekt dhe vëmëndje të tij, hallet dhe shqetësimet. Ishim në çdo portë, në çdo derë, në çdo shesh, në çdo lagje, në çdo biznes, në çdo treg. Se ne jemi shumë! Ne jemi shumica e re në qytet! Shpjeguam programin tonë për Kavajën dhe projektin e Lulzim Bashës për republiken e re”,-deklaron Sakja në një prononcim për “Koha Jonë”.

Thirrja e tij por dhe e kreut Basha, mbetet që në Kavajë PD-ja vjen me një ekip të ri, me energji pozitive dhe larg arrogancës dhe të mospasjes të kulturës drejtuese. “Ne vijmë si një ekip të rinj, të shkolluar dhe plot energji pozitive e dashuri për Kavajën! Ta largojmë atë nga drejtimi i një bande që trajton qytetarët me arrogancë në mungesë totale të kulturës drejtuese”,-shton Sakja.

Sakja vë theksin tek investimet që përmirësojnë jetën e qytetit, ku bën heq paralele me palmat e kalbura. “Ne vijmë të bëjmë gjërat që i mungojnë qytetit, që nuk do të kalben si palmat e Rilindjes por do të mbeten aty, investime që përmirësojnë jetesën e tyre në qytet”.

Por mesazhi më i fortë i Isa Sakjës në këtë garë, larg premtimeve klishe, është ai i një pune e cila do ta çlirojë Kavajën nga monopoli i krimit, nga gjobat politike, taksat dhe tatimet. Plani i një pune me zhvilim të qëndrueshëm duke nxitur sipërmarrjen e lirë në qytet e cila hap vende të reja.

“Ne vijmë që të mos e ndajmë Kavajën kaq fort të lidhur njëri me tjetrin siç ka bërë Rilindja duke hequr nga lista e ndihmës ekonomike çdo të pamundur e të varfër ekonomiksht me bindje të djathta. Ne vijmë të punojmë gjithë bashkë për Kavajën me zhvilim të qëndrueshëm duke nxitur sipërmarrjen e lirë në qytet të hapë vende të reja punë jo ta mbysim atë në gjoba politike, taksa e tatime. Ne vijmë ta çlirojmë Kavajën nga monopoli i krimit”.

Pas një fushate e cila mbyllet sot dhe nesër kalohet në heshtje zgjedhore, Isa Sakja, ka një falenderim për të gjithë bashkëqytetarët që mbështetën PD në këtë sfidë të dyfishtë dhe e mirëpritën atë.

“Një falenderim për ata që braktisën Rilindjen dhe mbushën takimet e PD-së duke treguar edhe një herë se qyteti që sfidoi diktaturën nuk pyet për diktatorucë! Faleminderit Rinisë së mrekullueshme kavajase që u shndërrua në përcjellësin më të mirë e më të bukur të mesazheve tona. Ata janë shpresa dhe siguria jonë për fitoren! I jam pafundësisht mirënjohës çdo bashkëqytetari për çdo prezencë, mesazh, telefonatë dhe me përulje i kërkoj atyre të punojnë dhe këto orë me çdo mik, shok, fqinjë që fitorja jonë të jetë plebishitare”, e mbyll qëndrimin e tij Isa Sakja, me besimin se kavajësit do ti japin një mundësi “Republikës së Re”, dhe atij për të qenë kryetari që premton transparencë qytetare.

Redjon Shtylla/Koha Jonë

SHKARKO APP