“Salianji duhet të jetë pjesë e garës për kryetar”, Jorida Tabaku: PD nuk ka luksin të përjashtojë askënd
Deputetja demokrate, Jorida Tabaku, ka deklaruar se PD nuk e ka luksin të humbasë asnjë figurë të saj, teksa u pyet nga të rinjtë e Shkodrës nëse Ervin Salianji duhet të lejohet të kandidojë përballë Sali Berishës në zgjedhjet e brendshme në parti.
Sipas Tabakut partitë nuk duhet të trajtohen si monopol, por vota duhet të jetë elementi që vendos për ecurinë e tyre.
“E kam ndjekur në media diskutimin e zotit Salianji dhe kërkesa ime për të është që betejën ta bëjë në PD, boll ka vuajtur PD këto vite për betejë të bërë në studiot televizive. Nuk ka rëndësi ku jam unë apo Salianji nesër, por ku do të jetë PD dhe demokratët. Për mua ky debat duhet të bëhet brenda PD, kur bëhet jashtë është shqetësuese. Nuk e shoh te PS, për shembull, që të ndodhë jashtë. Kemi boll forume për të folur. Gabimi që bëra tre vite të shkuara nuk do ta bëj sot, nuk kam për të dhënë mendime që kam për t’i dhënë në forumet e partisë. Nuk di të ketë një vendim të Kryesisë për t’i mbyllur dyert. Le t’i lëmë kohë institucioneve dhe debatit të brendshëm që të marrë vendimin e duhur. Për mua PD nuk ka luksin të humbë askënd, ne duhet të shtohemi e zgjerohemi, t’ia shtrijmë dorën kujtdo. Në një parti politike vendos vota”, tha Tabaku.
KOHA JONË SONDAZH

