Ervin Salianji në Berat: Berisha të mbajë përgjegjësi për humbjet, t’i hapi rrugë brezit të ri!
Foltorja e Ervin Salianjit këtë të mërkurë është ndalur në Berat, aty ku ka zhvilluar një takim me anëtarë dhe simpatizantë të Partisë Demokratike, që janë të zhgënyer nga selia blu. Gjatë fjalës Salianji tha se shqiptarët e kanë humbur besimin te qeveria e Edi Ramës dhe se kryeministri kërkon të bëjë ndryshime ligjore për të pasur garanci që të mos preket nga SPAK.
“Shqiptarët e kanë humbur besimin. Çfarë garancish jep kjo qeveri, si do rriten familjet me këto shërbime mizerabël? Çfarë lehtësie i ka ofruar Edi Rama shqiptarëve në 13 vite? Qeveria këtë punë ka, të ofrojë shërbime. Ka sjellë vetëm rëndesë, mashtrim dhe degjenerim I keni parë ministrat dhe fuksionarët e PS që ngjajnë si sheikë, këtu do t’i rrisin qytetarët shqiptarë fëmijë e tyre, në këto kushte? I keni parë si bien rrugët e reja të ndërtuara me miliona euro, kanë vjedhur edhe hekurin këta të babëzitur. I keni parë si shtrëngojnë adminisrratën për bukën e gojës? Shkurt, kjo nuk është qeveri që përfaqësn interesat e qytetarëve shqiptarë,e trajton shtetin si plaçkë, një qeveri që ka dëbuar shqiptarët. Këto ditë, Edi Rama ka propozuar ndryshime në ligj, ndryshon ligjin për t’i garantuar vetes së vet, garanci që mos të preket nga SPAK”, theksoi ai.
Nuk mungoi as thirrja ndaj Sali Berishës, që të mbajë përgjegjësi politike për rezultatet e dobëta dhe humbjet elektorale PD po shënon në çdo palë zgjedhje, Për më tepër, Salianji kërkoi që ti hapet rruga brezit të ri në PD. “Kryetari i PD-së duhet të mbajë përgjegjësitë e veta, duke mos i vënë bisht demokratëve që kanë mbajtur përgjegjësi dhe e kanë respektuar. Ne duam që PD të jetë forcë qeverisëse në Shqipëri. Njësoj si i biri i vetë politikë ishte kryer në të kaluarën; Basha dhe kryetari aktual, funksionon thuajse njësoj, me të njëjtat vese, me të njëjtat gabime, me të njëjtën mënyrë të shpërfilljes së demokratëve. Partia Demokratike duhet të fitojë dhe duhet të bëjmë një zgjedhje të qartë: të qëndrojmë peng i së shkuarës apo të hapim rrugën për një brez të ri. Të gjithë proceset po pilotohen, flasin për hapje dhe bashkim, ndërkohë përjashtohen të rinjtë nga garat, përjashtohen anëtarët nga anëtarësia”,- tha Salianji.
Fjala e plotë e tij në Berat:
Ju jam thellësisht mirënjohës, pasi e di që nuk është e lehtë.
Nuk është e lehtë t’i flasësh demokratëve pas 13 vitesh opozitë.
Kemi shkelur çdo pëllëmbë të Shqipërisë dhe kam parë të njëjtën skenë, të njëjtin zhgënjim nga politika.
Është e vështirë të flasësh për politikë sot. Të flasësh për vlera, për përgjegjësi, për sakrificë.
Duket sikur shoqëria shqiptare është futur në kafaz.
Dhe sonte ju kam mbledhur pikërisht për këtë. Jo thjesht për të folur për politikën, por për të folur për fatin e Shqipërisë.
Për të folur për vendin tonë të bekuar që sot është më i lodhur se kurrë.
Për një vend ku shpresa është bërë më e rrallë se zhgënjimi.
Për një vend ku të rinjtë nuk pyesin më: “Si mund ta ndërtoj jetën këtu?”
Por pyesin: “Kur të iki?”
Dhe kjo është tragjedia më e madhe e këtij regjimi.
Sepse kur rinia ikën, gjithçka fiket në Shqipëri.
Kjo nuk është Shqipëria që meritojnë shqiptarët.
Shqipëria sundohet nga një gënjeshtër e madhe.
Me media të kapura, me shtetin që është bërë pronë private, me ekonominë që kontrollohet nga 2-3 duar, me institucione të paafta, të korruptuara.
Me politikanë që mirë përgjegjësi, por që duket që as dashuri nuk kanë për vendin.
Duket sikur të gjithë qytetarët janë lënë vetëm përballë pasigurisë, si jetimë. Këtë ndjejmë gjatë takimeve tona.
Një ndjenjë të thellë braktisjeje.
Motra dhe vëllezër,
Shqipëria po zbrazet.
Dhe këtyre as nuk u vjen as turp.
As nuk skuqen e as nuk zverdhen, po dalin si të pacipë duke qeshur e duke u krenuar. Një maskarallëk me përmasa historike.
Në çdo cep të Shqipërisë kemi takuar demokratë, qytetarë të lirë, socialistë. Askush nuk flet një fjalë të mirë për këtë qeveri.
Shqiptarët nuk kanë më besim tek kjo qeveri.
Dhe kanë të drejtë.
Të gjithë e dinë që kemi:
Një qeveri që nuk jeton me hallet e njerëzve.
që nuk e njeh realitetin e familjes shqiptare.
Çfarë garancish jep kjo qeveri për një kryefamiljar që ngelet pa punë, për gratë shtatzëna, për fëmijët në shkollë.
Si do rriten familjet me këto shërbime mizerabël.
Me shëndetësi pa mjekë. Me arsim pa mësues.
Ore çfarë lehtësie i ka krijuar Edi Rama shqiptarëve këto 13 vite? A di kush të japë një përgjigje. Se qeveria këtë punë ka. Të ofrojë shërbime, të sigurojë infrastrukturë, të mbrojë jetën, pronën, familjen e të jetë një garanci për ditën e keqe.
Çfarë kanë bërë këta?
Vetëm rëndesë, mashtrim dhe degjenerim total i të gjithë shtetit.
A i keni parë shefat e komisariateve që ngjajnë si sheikë.
A i keni parë se si janë shkrirë me krimin e ecin në mes të pazareve shërbëz krah për krah me ta.
Përse, këtu do t’i rrisin fëmijët shqiptarët.
Si mendon Edi Rama me të tijtë që nuk pipëtijnë. Në këtë maskarallëk do të ngrihen familjet shqiptare.
A keni pasur ndonjëherë ndonjëri nga ju ndonjë njeri sëmurë dhe a i keni çuar në spital. Larg o zot, s’jua uroj.
Tragjedi për pacientin, tragjedi për familjen. Por edhe tragjedi financiare. Çdo gjë me para. Vetëm kredia i bën ballë.
A i keni parë si bien rrugët e reja. Kanë vjedhur hekurin këta të babëzitur. Kanë thënë ishalla nuk bie shi. Rrezikojnë jetën e qytetarëve çdo ditë.
A i keni parë se si i shtrëngojnë administratën dhe sipërmarrjet me bukën e gojës. I mbajnë të lidhur për mos t’i lënë të lirë. Se po të ishin të lirë shqiptarët do t’u afronin gurmazin këtyre hajdutëve të pacipë.
Shkurt kjo nuk është qeveria e shqiptarëve. Kjo është një qeveri e papërgjegjshme, që nuk jep llogari për asgjë. Një qeveri hajdute që e trajton shtetin si plaçkën e babës.
Një qeveri që ka dëbuar shqiptarët e që po kthehet në një dramë ekzistenciale tashmë.
Por miq
Le ta themi të vërtetën deri në fund.
Është e vërtetë si drita e diellit se qeveria dhe e gjithë politika në fakt është e lodhur, e konsumuar, e korruptuar dhe e komprometuar.
Ndryshimi nuk vjen vetëm sepse qeveria dështon.
Ndryshimi vjen vetëm kur opozita bëhet e denjë për ta udhëhequr atë ndryshim.
Dhe këtu fillon përgjegjësia jonë.
Sepse Shqipëria nuk mund të ndryshojë kurs nëse Partia Demokratike nuk ndryshon më parë veten.
Kjo është e vërteta.
Dhe ne nuk duhet të kemi frikë ta themi.
Partia Demokratike është partia që solli lirinë në Shqipëri.
Është partia që rrëzoi diktaturën.
Është partia që solli pluralizmin.
Është partia që i dha shqiptarëve dinjitet.
Por sot nuk mjafton historia.
Historia të jep respekt.
Por vetëm ndryshimi të jep të ardhme.
Ne nuk mund të jetojmë me lavdinë e së shkuarës. Kemi 13 vite që vetëm humbasim.
Askush nuk mban përgjegjësi.
Në bindjen time e shkuara duhet të mbajë përgjegjësi.
Sali Berisha duhet të mbajë përgjegjësi.
Partia Demokratike krenohet që është forca opozitare më e fortë.
Por Partia Demokratike nëse nuk ka fuqinë për të sjellë rotacionin, nuk i shërben Shqipërisë por vetëm një grushti njerëzish.
Shqiptarët do të na urrejnë dhe historia do të na përçmojë nëse ne nuk ndryshojmë kurs.
E them hapur. Partia Demokratike nuk mund të fitojë me këtë udhëheqje.
Nuk e bashkon dot opozitën, nuk i çon dot shqiptarët drejt kutive të votimit për të përmbysur Edi Ramën.
Ka një tezë interesante nga lidershipi i PD. Fantazmagorike, imagjinare. Nga këto që kemi 13 vite që i dëgjojmë.
Që Edi Rama nuk përmbyset me votë. Por si do përmbyset Edi Rama?
Do e zgjedhim ne kryetarin e PS.
Do e zgjedhim ne kundërshtarin. Çfarë është kjo idiotesi që gënjehen njerëzit.
Edi Rama përmbyset me ndihmën e SPAK që po e dërmon, me ndihmën e SHBA dhe BE, dhe më pas llogaritë e fundit bëhen në kutitë e votimit.
Partia Demokratike do të vijë në pushtet vetëm duke bashkuar opozitën dhe shqiptarët e lirë rreth saj, duke e mundur Partinë Socialiste dhe Edi Ramën në kutitë e votimit. Kjo është demokracia zotërinj.
Të tjerat janë dokrra dhe zvarritja e opozitës me këto dokrra është një papërgjegjshmëri ekstreme.
Partia Demokratike duhet të fitojë të ardhmen.
Dhe për ta fituar të ardhmen, ne duhet të bëjmë një zgjedhje të qartë:
Të qëndrojmë peng i së shkuarës,
apo të hapim rrugën për një brez të ri?
Sepse kjo është e vërteta:
Shqipëria nuk ka nevojë për një opozitë që kujton.
Ka nevojë për një opozitë që frymëzon.
Ka nevojë për energji të reja.
Për njerëz të rinj.
Për një gjeneratë që nuk mban mbi supe peshën e humbjeve të së shkuarës.
Ndryshimi i gjeneratave nuk është luks.
Është domosdoshmëri.
Është ligj i historisë.
Është ligj i demokracisë.
Është ligj i mbijetesës politike.
Por si bëhet ndryshimi i gjeneratave? Natyrisht me votë.
Ata që humbasin me votë hapin rrugën. Të tjerët zgjidhen me votë.
Kontribuuesit mbështesin të rinjtë dhe kështu fitohet.
Por çfarë po ndodh në PD sot?
Të gjitha proceset po pilotohen. Na flasin për hapje, për bashkim, për rini.
Si do e gjejë rrugën një i ri, nëse anëtarësisë i imponohet një kandidaturë nga ata që kanë humbur 7 palë zgjedhje dhe anëtarësia është ajo e ’90-ës?
Kush është modeli i PD-së? A duhet që dikush që humb mos të ketë të drejtë kandidimi?
Si mund të afrohen njerëz, kur shohin që edhe pasi zgjidhesh me votë, prapë nuk merr gjë si në rastin e primareve. Është çmenduri.
Tani kanë dalë me tezën e përjashtimit.
Më thonë që jam i përjashtuar. Pse?
Se po them të vërtetën, se dua PD-në fituese.
Se po i jap zë asaj që mendon shumica dërrmuese. Demokratët u zgjuan nga lëvizja jonë.
Në zgjedhjet e 11 Majit PD ka humbur më thellë se në ’97-ën. Kudo ku ka pasur njerëz që nuk kanë mbajtur përgjegjësi për rezultatet, humbjet kanë qenë më të thella. Kemi humbës që bëhen deputetë që nga viti ’96.
Ne ndërkohë kemi dhe raste suksesi dhe fitoreje, edhe në zona të majta.
A kemi folur ndonjëherë për këto? Për t’i marrë si shembuj, për të fituar?
Kemi rënë dakord që kryetari i partisë, nëse humbet zgjedhjet, tërhiqet.
Këta nuk duan të lejojnë as garën. Përse isha hero i demokracisë unë deri para 3 muajsh dhe tani jam njeriu i zi në PD?
Se po kërkoj përgjegjësi. Po kërkoj garë. Si do ngrihet kjo parti pa garë reale për lidershipin? Kush janë normat tona? Parimet tona?
Demokratët duan garë. Duan ndershmëri. Duan respekt.
Unë dua garë.
E pyes nga kjo sallë Sali Berishën, kundër kujt do të kandidosh në Prill zoti kryetar?
Si do e sjellësh rotacionin, me helikopter, me avion apo me karrocë? Se ne dimë që gjërat në politikë zgjidhen me votë.
Çfarë është kjo papërgjegjshmëri para demokratëve dhe shqiptarëve. Njerëzit duan ndryshimin, këta i mbajnë zvarrë me revolucione imagjinare dhe qeveri imagjinare.
Turpi i mbuloftë ata që tallen me popullin opozitar.
Miq,
Rotacioni nuk është një slogan.
Rotacioni është një nevojë kombëtare.
Sepse çdo pushtet që zgjat, korruptohet.
Çdo pushtet që nuk sfidohet, degjeneron.
Çdo pushtet që nuk ndryshon, shkatërron shpresën.
Shqiptarët sot nuk kërkojnë luks.
Kërkojnë normalitet.
Kërkojnë drejtësi.
Kërkojnë dinjitet.
Dhe është detyra jonë historike t’ua japim këtë shans.
Por le ta themi qartë:
Rotacioni nuk vjen vetë.
Rotacioni fitohet.
Fitohet me besim.
Fitohet me moral.
Fitohet me njerëz që frymëzojnë.
Jo me njerëz që justifikojnë humbjen.
Jo me njerëz që mbajnë peng të ardhmen.
Fitorja nuk arrihet me humbës serialë.
Fitorja arrihet me njerëz që përfaqësojnë shpresën.
Pushteti i korruptuar ka frikë nga një Parti Demokratike e fortë, e hapur dhe e bashkuar.
Dhe pikërisht këtë duhet të bëhemi.
Miq,
Shqipëria është në një udhëkryq.
Nga njëra anë kemi një rrugë që të çon drejt vazhdimit të këtij sistemi të korruptuar deri në palcë.
Nga ana tjetër një rrugë që na çon drejt ndryshimit dhe frymëmarrjes së re.
Ky ndryshim kalon nga ne. Nga Partia Demokratike.
Nga guximi ynë për të ndryshuar.
Nga guximi ynë për t’u hapur.
Nga guximi ynë për të vendosur meritokracinë.
Nga guximi ynë për t’i dhënë hapësirë brezit të ri.
Sepse vetëm një Parti Demokratike e ripërtërirë mund ta udhëheqë Shqipërinë drejt ndryshimit.
Vetëm një Parti Demokratike e fortë mund ta mundë këtë qeveri.
Vetëm një Parti Demokratike që frymëzon mund të fitojë.
Sonte, nga kjo sallë, mesazhi duhet të jetë i qartë:
Koha e kësaj qeverie ka mbaruar.
Koha e ndryshimit ka ardhur.
Koha e rotacionit ka ardhur.
Koha e një brezi të ri ka ardhur.
Ne nuk do të ndalemi.
Ne nuk do të tërhiqemi.
Ne nuk do të dorëzohemi.
Sepse kjo nuk është thjesht një betejë politike.
Kjo është një betejë për Shqipërinë.
Dhe këtë betejë do ta fitojmë.
Për Shqipërinë.
Për demokracinë.
Për të ardhmen.
KOHA JONË SONDAZH

