Salla: Rreshjet shkaktojnë përmbytje në Lezhë dhe Durrës, hidrovoret operojnë normalisht
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andi Salla, deklaroi sot se strukturat në terren po monitorojnë situatën e krijuar nga reshjet intensive të 48 orëve të fundit, të cilat kanë shkaktuar rritje të niveleve të ujit në lumenj dhe kanalet kulluese.
Në Qarkun Lezhë, kryesisht në njësinë administrative Mamurras, për shkak të prurjeve të mëdha të lumit Droje dhe dëmtimit të një segmenti të argjinaturës, janë përmbytur toka bujqësore dhe disa zona të banuara, veçanërisht në Thumanë dhe Dukagjin.
“Drejtoria e Ujitjes dhe Kullimit Durrës ka dislokuar dy mjete të rënda pranë segmentit të dëmtuar, por ndërhyrja mbetet e vështirë për shkak të niveleve të larta të ujit,” tha Salla.
Megjithatë, kanalet kulluese dhe hidrovoret në Lezhë dhe Kurbin po punojnë normalisht, dhe situata paraqitet e qëndrueshme, me përmbytje të lokalizuara. Ndërkohë, nivelet e ujit në lumenjtë Drin dhe Mat kanë rënë rreth 50 cm.
Në Qarkun Durrës, situata mbetet e ndërlikuar, sidomos në zonën e Hamallajt, megjithëse niveli i ujit ka pësuar një ulje prej rreth 50 cm në Hamallaj dhe në kanalin e ujërave të larta “Tone”.
Salla njoftoi se është konstatuar rritje e niveleve të ujit në lumenjtë: Shkumbin, Seman, Vjosë, Shushicë, Drinos, Pavlla e Madhe, Pavlla e Vogël, Bistrica e Madhe dhe Bistrica e Vogël. Aktualisht, rrjedhat janë brenda shtratit përveç lumit të Kalasës, i cili mbi urën e Gajdarit ka dalë nga shtrati dhe ka shkaktuar përmbytje, duke bllokuar segmentin e rrugës kombëtare Sarandë–Delvinë.
Ministri theksoi se të gjitha hidrovoret në ultësirën perëndimore, përfshirë Shkodër, Lezhë, Kurbin, Rrogozhinë, Lushnje, Divjakë, Fier, Vlorë dhe Sarandë, po funksionojnë me kapacitet të plotë, duke punuar për shkarkimin maksimal të ujërave.
Strukturat emergjente janë vazhdimisht në terren, ndërsa qytetarët ftohen të respektojnë masat e sigurisë dhe të shmangin zonat e përmbytura.
KOHA JONË SONDAZH

