Samiti, Rama: Blloqet e lira të naftës në dispozicion të investitorëve

 

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në samitin “Albania Oil, Gas e Energy 2015”:

Më lejoni ta filloj duke përgëzuar të gjithë organizatorët e një aktiviteti kaq të pasur në pjesëmarrje dhe kaq të rëndësishëm për nga tematika, që lidhet me një sektor jetik për të ardhmen e vendit tonë dhe të secilit prej vendeve të rajonit, por dhe të vetë Europës.

Ju të gjithë jeni të informuar, besoj, se energjia ka një hapësirë të posaçme në programin e qeverisë tonë si një sektor ku ne shohim një nga burimet më të rëndësishme të rritjes sonë ekonomike, por edhe ku ne kemi gjetur ndoshta problematikën më të ndërlikuar, sëbashku me nevojën emergjente për një ndërhyrje agresive për të parandaluar krizat sistemike, që kjo problematikë komplekse kishte nisur të gjeneronte dhe për të ndryshuar rrënjësisht, drejtimin dhe qasjen.

Drejtimi ynë është ai i politikave energjetike të Bashkimit Europian, për të cilat ne besojmë se janë çelësi i integrimit rajonal dhe i rajonit të Europës Juglindore, që të arrijë të përdorë me kapacitet të plotë potencialin e vet natyror dhe gjeografik.

Përsa i përket rajonit tonë, unë mendoj se fjalët kyçe të politikës sonë energjetike duhet të jenë ndërlidhje energjetike dhe ndërlidhës energjetikë, që kanë të bëjnë me zhvillimin e infrastrukturës së energjisë, e cila mundëson rrjedhje të dyanshme, veçanërisht mes vendeve të Europës Lindore dhe Jugore.

Ballkani ka një pozicion strategjik shumë të rëndësishëm, sepse, mund të luajë një rol vendimtar në diversifikimin e burimeve të energjisë, në uljen e varësisë energjetike të secilit prej vendeve të rajonit dhe në sigurimin e një Europe më të gjelbër, më të lirë, më të sigurt dhe pa dyshim edhe më ambicioze në këtë drejtim.

Por që qasja jonë të mos ngelet thjesht vizion apo vullnet, ne e kemi shumë të qartë se duhet të jetësojmë reforma rrënjësore, investime të konsiderueshme dhe një bashkëpunim e harmonizim ndërsektorial në shkallë kombëtare dhe në shkallë rajonale.

Përsa i përket shkallës kombëtare, ne e kemi filluar punën tonë këmbëngulëse duke ndërhyrë me masa të rëndësishme reformuese në bazën ligjore që sjell lehtësime dhe thjeshtëzim procedurash për të gjithë investitorët.

Më 12 Mars, pak ditë më parë, Kuvendi ka miratuar një ligj të ri për hidrokarburet dhe me hyrjen në fuqi të këtij ligji do të fillojë dhe procesi i dhënies së blloqeve të lira të naftës, me procedura tërësisht të ripara.

Për ne është me shumë rëndësi që qeveria të jetë aktore aktive në këtë treg, por shteti të marrë një rol rregullator në funksion konkurrencës dhe standardeve.

Procedurat e reja synojnë të nxisin bashkëpunimin mes qeverisë dhe investitorëve, duke shmangur pengesat, me të cilat ata që janë tashmë në treg kanë pasur të bëjnë në të kaluarën dhe duke bërë që qasja e shtetit si rregullator të vazhdojë të sjellë efekte pozitive në tregun e naftës. Ashtu si kundër po shohim deri tani shenjat e para janë shumë inkurajuese.

Unë shpresoj që ndryshimi 180 gradë në qasje, i konkretizuar me reforma dhe hapa administrativë të jetë një apel domethënës për kompanitë serioze, që mund tё përballojnë investimet në kërkimet e reja dhe që mund t’i shfrytëzojnë mundësitë e reja që ofron Shqipëria.

Së shpejti, qeveria nëpërmjet Ministrisë sё Energjisë do tё kryejë sizmikën e blloqeve të lira detare, me qëllim përgatitjen e bazës sё nevojshme tё tё dhënave për tё filluar dhe organizimin e procedurave për dhënien e blloqeve të lira edhe në det. Ne jemi shumë të vendosur që të sigurojmë në vijimësi regjimin favorizues për eksplorimin dhe zhvillimin e këtij sektori në fushën e naftës dhe të gazit, duke ofruar garanci për kthimin e investimit, si dhe duke garantuar klauzola stabilizuese fiskale për gjithë jetёgjatёsinё e kontratës.

Ky do të jetë edhe viti i përfundimit të një procesi të stërzgjatur privatizimi të shoqërisë shtetërore Albpetrol, për të cilën po përgatitet vlerësimi financiar dhe dokumentet e privatizimit, me asistencën e institucioneve financiare ndërkombëtare. Por ky privatizim do të jetë rezultat i një ndryshimi radikal në qasje ndaj të ardhmes së kësaj shoqërie. Shteti do të marrë të gjitha të drejtat që sot i gëzon Albpetrol-i si inerci e një të shkuare shumë të largët. Ndërkohë, Albpetrol-i do të ndahet nga blloqet e lira të naftës, të cilat do të vihen në dispozicion të investitorëve. Për ne, qysh ditën e parë, ka qenë e qartë që Albpetrol-i është një atavizëm i një kohe të shkuar dhe një hibrid që nuk mund t’i rezistojë sfidës së kohës që vjen. Por padyshim që, sidoqoftë, mbetet një aset i vlefshëm. Ne do të sigurojmë që të gjithë aktorët seriozë të sektorit, që do të shprehin interes, të kenë një proces transparent përmes një gare tё hapur dhe konkurruese, ku do të ftohen tё gjithë të interesuarit.

Ne jemi të bindur se jetojmë në një moment unik për vendin tonë, por edhe rajonin. Konkretisht, Gazsjellësi Trans-Adriatik është një mundësi unike. Përfshirja e Shqipërisë në këtë korridor gazi natyror përkon me hapjen e një kapitulli krejt të ri për zhvillimin e sektorit energjetik në vendin tonë dhe në rajonin tonë. Kemi përgatitur dhe nxitur gazifikimin e rajonit dhe për të zhvilluar ndërlidhjet energjetike ne jemi në një fushatë intensive bashkëpunimesh të shumëfishta që e bëjnë vendin tonë një vend mundësish të mëdha në numër dhe në potencial në sektorin energjetik. Ne po punojmë intensivisht për të trajtuar masterplanin për gazin natyror, duke synuar zhvillimin e tregut tё gazit dhe diversifikimin e burimeve tё energjisë në vend. Ndërkohë, Ministria e Energjisë po zhvillon edhe një program të veçantë për ngritjen e kapaciteteve teknike për gazin në Shqipëri.

Siç, besoj të gjithë e dini, kemi pasur një fokus të veçantë gjatë gjithë kësaj periudhe tek elektriciteti në veçanti dhe jemi në fazën e investimit të një volumi të konsiderueshëm financiar për të përmirësuar sistemin tonë të shpërndarjes. Janë, fjala vjen, 150 milionë dollarë që përbëjnë investimin më të madh që Banka Botërore ka bërë ndonjëherë në Shqipëri, që përmes Bankës Botërore i dedikohen pikërisht sektorit të shpërndarjes së energjisë elektrike. Dy prej arsyeve kryesore të këtij investimi janë sigurimi i rritjes të qëndrueshme të sektorit energjetik në vend dhe krijimi i besimit tek investitorët në këtë sektor me potencial të jashtëzakonshëm. Sepse ne jemi shumë të vetëdijshëm që një nga pikat e dobëta që trashëgojmë dhe një nga pikat që duhet të bëjmë investimin më të madh është besimi i investitorëve tek qëndrueshmëria në raport me sektorin.

Nëse e shohim sot gjendjen e infrastrukturës ballkanike, qartazi ka probleme të mëdha menaxhimi, probleme kapitali si para, por mbi të gjitha ka probleme të kapitalit njerëzor, probleme të dijes dhe probleme që të gjitha ndërthuren, në fund fare, tek dija.

Më lejoni ta mbyll duke thënë se, padyshim, aty ku mblidhen njerëz që merren me naftën, perceptimi i parë i gjithkujt është që janë mbledhur njerëzit që merren me paranë. Por, për mua, edhe ky takim por edhe çdo kontakt me kompanitë serioze në këtë fushë është, në radhë të parë, një kontakt me dijen, jo me paranë.

Kjo është arsyeja pse unë besoj, që ky event është i rëndësishëm dhe çdo kontakt me kompani serioze në këtë fushë është i rëndësishëm së pari dhe mbi të gjitha; është dija. Dhe ajo çka ne duam mbi të gjitha përmes këtij takimi dhe përmes këtyre kontakteve është të përftojmë më shumë dije se si të shfrytëzojmë më mirë këto resurse fantastike, sepse në fund dallimi mes vendeve nuk bëhet me sa ato kanë, por me sa ato dinë. Në fund diferenca në botën e sotme mes vendeve nuk është e bazuar mes burimeve të tyre natyrore, por bazuar në dijen se si të marrin më të mirën nga këto burime. Nëse jemi të pasur, – siç moderatori tha, – dhe nëse përmes syve të shqiponjës mund të kemi pasqyrën e mundësive që ofron toka jonë, kjo nuk është domosdoshmërisht një kusht për të qenë të begatë. Për ta transformuar këtë pasuri në mirëqenie e prosperitet është një kusht themelor dhe i pandryshueshëm; dija. Kur vjen fjala te dija ne të gjithë kemi për të mësuar. Ndaj ju falenderoj të gjithëve që erdhët për të qenë këtu me ne jo vetëm sepse ju keni paratë, por më e rëndësishme sepse ju keni dijen.

Faleminderit!

***

 

Kompani ndër më prestigjiozet në botë në fushën e hidrokarbureve u bashkuan sot në Tiranë, në një Samit dyditor mbi energjinë. Qëllimi është promovimi i burimeve natyrore tё Shqipërisë dhe informimi pёr procedurat e dhënies sё blloqeve tё lira tё naftës dhe gazit.

Ministria e Energjisë dhe IRN International çelën punimet e ditës së parë të “Albania Oil, Gas & Energy 2015”. Të ftuar të veçantë në samitin dy ditor ishin kompanitë SOCAR, SHELL, BP, Exxon Mobil, Anadarko, ENI, Fluxis, NIS e Repsol.

Ministri Gjiknuri deklaroi se shumë shpejt, nëpërmjet Ministrisë sё Energjisë do tё fillojnë procedurat për dhënien e tre blloqeve të para për kërkim tek shoqëritë e interesuara, nëpërmjet procedurave negociuese konkurruese, duke synuar afrimin e shoqërive mё serioze dhe që mund tё përballojnë investimet nё kërkimet e reja në Shqipëri. Kjo do tё evitojё dështimet e sё kaluarës, tha Gjiknuri, ku blloqet e naftës iu dhanë aktorëve jo seriozë, tё cilët nuk ishin nё gjendje tё realizonin angazhimet e marra.

Qeveria shqiptare do tё angazhohet gjithashtu, tё kryej sizmikën në blloqet e lira detare, me qëllim përgatitjen e bazës sё nevojshme tё tё dhënave, për tё organizuar ankandet për blloqet e tjera të lira edhe në det. Në total numërohen 13 blloqe të lira të naftës dhe gazit në vend. Ato janë të shtrirë në zona të ndryshme dhe për të gjitha janë kryer kërkime të mëparshme, ku është konkluduar se ka potencial për rezerva. Kryesisht blloqet ndodhen në zonën lindore dhe juglindore.

SHKARKO APP