Sejko: BERZH, investime në fusha kyçe të ekonomisë

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko priti në një takim zyrtar Presidentin e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Sir Suma Chakrabarti, me të cilin diskutoi për kontributin dhe prespektivën e rëndësishme, ne mbështetjen konkrete të BERZH me investime financiare në fusha kyçe të ekonomisë shqiptare.

Guvernatori Sejko vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera të bashkëpunimit me Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, të cilat kanë shërbyer si udhërrëfyes koherent për hartimin e agjendës së zhvillimit të vendit.

Më tej, Guvernatori e njohu  Chakrabarti me zhvillimet më të fundit ekonomike dhe financiare në vend. Guvernatori theksoi se rritja ekonomike e vendit është në një trajektore pozitive zhvillimi. Rritja ekonomike pritet të vijë në përmirësim dhe balancat kryesore ekonomike do të forcohen gjatë viteve të ardhshme.

Swiss Digital Desktop Reklama

Për sa i përket sistemit bankar, Guvernatori theksoi se sot sistemi shfaqet me tregues mjaft të mirë financiarë. Guvernatori Sejko nënvizoi se trajtimi i çështjes së kredive me probleme ka qenë një ndër angazhimet kryesore të Bankës së Shqipërisë, e shoqëruar me një plan veprimi të mirëmenduar për reduktimin e tyre, ku përfshihen një sërë përmirësimesh ligjore, fiskale dhe rregullatore. Zbatimi i këtij plani ndihmoi në zbritjen e nivelit të kredive me probleme në 18.2 %, në fund të vitit 2015.

Swiss Digital Mobile Reklama

Një tjetër çështje me rëndësi e diskutuar gjatë bisedimeve ishte dhe nxitja e kreditimit dhe masat e marra mbështetur nga politika monetare stimuluese, e cila ka dhënë efektet e saj duke ndikuar në uljen e çmimit të kredisë, në të gjitha segmentet e tregut financiar në vend.

Nga ana e tij, Chakrabarti vlerësoi Bankën e  Shqipërisë për politikat e ndërmarra prej saj, të cilat kanë kontribuar në ruajtjen e stabilitetit makroekonomik të vendit dhe konsolidimin e vazhdueshëm të sistemit financiar në Shqipëri. Më tej  Chakrabarti u shpreh se Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim do të vazhdojë të japë kontributin e saj në Shqipëri lidhur me projekte të rëndësisë së veçantë, në fusha të tilla si: agrobiznesi, infrastruktura, energjia etj me qëllim zhvillimin e sektorit publik edhe atij privat.

Në përfundim, ai shprehu angazhimin për të vazhduar bashkëpunimin me Bankën e Shqipërisë mbi përforcimin e sektorit financiar nëpërmjet mbështetjes së sistemit bankar përmes linjave të kreditimit dhe lehtësirave të tjera.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Mendoni se Berisha do ta bllokojë kryeministrin me turma popullore?