Sejko në Klubin e Guvernatorëve të Azisë Qendrore: Normalizimi monetar në Europë, jo efekte negative në Shqipëri
“Normalizimi monetar në Evropë, nuk pritet të ketë efekte negative në Shqipëri”, tha Guverantori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko gjatë fjalës së tij në takimin e 38të të Klubit të Guvernatorëve të vendeve të Azisë Qendrore, Rajonit të Detit të Zi dhe Ballkanit.
“Madje këto efekte mund të jenë pozitive, duke pasur parasysh sinkronizimin që gëzon politika monetare e Bankës së Shqipërisë me atë të Bankës Qendrore Evropiane si dhe integrimin aktual që ka Shqipëria në tregjet evropiane”.
Diskutimet e këtij takimi ishin fokusuar në dy drejtime kryesore: teknologjitë financiare, trendet botërore dhe kuadri rregullator; si dhe normalizimi i politikës monetare të Bankës Qendrore Evropiane dhe Bankës së Anglisë e ndërlikimet e mundshme për ekonomitë e vendeve anëtare të Klubit.
Guvernatori theksoi se Banka e Shqipërisë mbetet e gatshme të marrë të gjitha masat e nevojshme duke dhënë kontributin e saj në mbështetje të një rritjeje ekonomike të qëndrueshme dhe garantimit të stabilitetit makroekonomik të vendit.
Përsa i përket zhvillimit teknologjik, Guvernatori Sejko parashtroi masat e ndërmarra nga Shqipëria në drejtim të inovacionit dhe digjitalizimit. Nga ana tjetër, Sejko theksoi se sistemi bankar sot prezantohet me produkte inovative, duke ndjekur zhvillimet e fundit në fushën e shërbimeve të këtij lloji.
Takimi i Klubit të Guvernatorëve u zhvillua në Moskë, ku drejtohej nga Guvernatorja e Bankës së Rusisë, Elvira Nabiullina dhe në të merrnin pjesë drejtuesit e bankave qendrore të 24 vendeve anëtare të Klubit.