Sejko në konferencën e Bankës Qendrore të Bosnje Hercegovinës: Të kontribuojmë në forcimin e bashkëpunimit rajonal
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko mori pjesë në konferencën ndërkombëtare të organizuar nga Banka Qendrore e Bosnje Hercegovinës me temë “20 Vitet e Stabilitetit”, në Sarajevë. Kjo konferencë u organizua me rastin e 20-vjetorit të themelimit të Bankës Qendrore të Bosnje Hercegovinës.
Sejko ishte i ftuar në një ndër panelet kryesore me temë “Sfidat e bankave qendrore gjatë procesit të integrimit të vendeve në Bashkimin Evropian”, së bashku me guvernatorë dhe përfaqësues të tjerë të bankave qendrore të rajonit.
Diskutimet e këtij paneli u fokusuan në sfidat e reja të bankave qendrore në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian si dhe ndikimet e zhvillimeve aktuale në Eurozonë dhe rajon për këto vende.
Gjatë fjalës së tij, Guvernatori Sejko prezantoi progresin e Shqipërisë në procesin e integrimit evropian duke nxjerrë në pah disa momente kryesore të konvergjencës, si dhe trajtoi sfidat me të cilat përballet vendi ynë në të ardhmen.
Sejko theksoi se e ardhmja politike dhe ekonomike e vendeve të rajonit të Evropës Juglindore është e lidhur drejtpërdrejt me procesin e integrimit të këtyre vendeve në Bashkimin Evropian.
Ai gjithashtu nënvizoi se një treg financiar i shëndetshëm dhe efikas është një parakusht i domosdoshëm për një rritje afatgjatë, si dhe një faktor i rëndësishëm në procesin e konvergjencës.
Guvernatori vlerësoi se bankat qendrore kanë një rol mjaft të rëndësishëm në avancimin e procesit, nëpërmjet ruajtjes së parametrave makroekonomikë dhe forcimit të stabilitetit financiar, duke veçuar se, si politikëbërës, duhet të vazhdojmë të kontribuojmë në drejtim të forcimit të mëtejshëm te bashkëpunimit rajonal.