Sejko: Rritja ekonomike pritet të përmirësohet

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, mori pjesë në Mbledhjet Vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe të Grupit të Bankës Botërore (BB), të cilat u zhvilluan në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Këto mbledhje përfaqësojnë një forum të nivelit të lartë ku mblidhen së bashku për të diskutuar zhvillimet më të fundit të ekonomisë botërore, vendimmarrësit më të lartë të FMN-së dhe BB-së, së bashku me guvernatorët e ministrat e financave të vendeve anëtare të këtyre institucioneve ndërkombëtare financiare.

Çështja kryesore që mbizotëroi diskutimet në këto takime ishte gjallërimi i mëtejshëm i ekonomisë botërore. Në deklaratën për shtyp të Komitetit Ndërkombëtar Monetar Financiar të FMN-së konstatohet se: “Ekonomia globale vazhdon të rritet ngadalë dhe në mënyrë jo të njëtrajtshme, pasiguritë dhe rreziqet në kahun rënës janë rritur, ndërkohë zhvillimet e pafavorshme afatgjata vijojnë”. Për këtë qëllim, Komiteti rekomandon që stimulimi i rritjes dhe garantimi i stabilitetit financiar të vendeve dikton nevojën për zbatimin e politikave fiskale të orientuara drejt rritjes ekono-mike, vazhdimin e politikave monetare mbështetëse, vendosjen e përparësive lidhur me reformat strukturore, ndërmarrjen e politikave efektive në fushën e sektorit financiar si dhe zgjerimin e thellimin e bashkëpunimit global.

Gjatë pjesëmarrjes në këto mbledhje, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Sejko, zhvilloi disa takime të rëndësishme me personalitete të njohura të fushës financiare ndërkombëtare, ndër si: nga FMN-ja me  Tao Zhang; zv/drejtor i përgjithshëm i FMN-së, Carlo Cottarelli; Drejtor Ekzekutiv për Shqipërinë, Poul Thomsen; Drejtor i Departamentit Evropian, Dong He; zv/drejtor i Departamentit të Tregjeve Monetare e Kapitale dhe nga grupi i BB-së me  Cyril Myller; zv/president i Bankës Botërore për Rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore, Patrizio Pagano; Drejtor Ekzekutiv për Shqipërinë, Ellen Goldstein; Drejtore Vendore dhe Koordinatore Rajonale për Evropën Juglindore, etj. Gjatë këtyre mbledhjeve përfaqësuesit e FMN-së dhe BB-së u shprehën pozitivisht lidhur me bashkëpunimin e suksesshëm të deritanishëm me autoritetet shqiptare, vlerësuan progresin e arritur me reformat e theksuan rëndësinë e zbatimit të mëtejshëm të tyre. Në këto takime, Guvernatori Sejko prezantoi panoramën ekonomike të vendit ku theksoi se rritja ekonomike është në një trajektore pozitive zhvillimi. Ai gjithashtu u shpreh se rritja ekonomike pritet të vijë në përmirësim dhe balancat kryesore ekonomike do të forcohen gjatë viteve të ardhshme. Më tej, ai bëri një ekspoze të sfidave kryesore me të cilat përballet ekonomia shqiptare, kuadrin e politikave makroekonomike dhe reformave strukturore të nevojshme për të nxitur rritjen ekonomike.

Guvernatori gjithashtu u ndal në masat e ndërmarra nga Banka e Shqipërisë në fushën e politikës monetare dhe në atë të stabilitetit financiar të vendit. Nga ana e tyre, përfaqësuesit e FMN-së dhe BB-së vlerësuan pozitivisht rolin dhe politikën e ndjekur nga Banka e Shqipërisë, e cila ka kontribuar në zhvillimin makroekonomik dhe stabilitetin financiar të vendit. Një tjetër çështje me rëndësi e diskutuar gjatë bisedimeve ishte nxitja e nivelit të kreditimit dhe ulja e kredive me probleme. Guvernatori Sejko theksoi se politika monetare lehtësuese e ndjekur nga ana e Bankës së Shqipërisë i ka dhënë efektet e saj duke ndikuar në uljen e çmimit të kredisë, në të gjitha segmentet e tregut financiar në vend dhe rritjen e kreditimit të ekonomisë, megjithatë kjo ecuri vlerësohet ende e brishtë.

 

SHKARKO APP