Sejko: Sistemi bankar shqiptar i mbrojtur, nëse Greqia del nga euro

 

Guvernatori i BSH për Monitor: Edhe nëse ndodh më e keqja janë marrë të gjitha masat për sigurimin e likuiditetit dhe menaximin e bankave….

 

Kur frika është shtuar se Greqia mund të dalë nga euro, teksa qershorit po i vjen fundi dhe nuk ka në horizont një marrëveshje mes shtetit helen dhe kreditorëve, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë ka pohuar se sistemi bankar shqiptar është i mbrojtur edhe nëse do të ndodhë më e keqja.

Nga Becici, ku ndodhet për të ndjekur Samitin rajonal të Guvernatorëve dhe ministrave të Financave, z.Genti Sejko ka pohuar në një intervistë të posaçme për Monitor.al se bankat shqiptare me kapial grek janë me tepricë likuiditeti dhe të mirëkapitalizuara dhe operojnë normalisht dhe në mënyrë të sukseshshme, ashtu si dhe bankat e tjera të sistemit bankar. “Bankat me kapital grek janë me autofinancim me burime nga depozituesit shqiptarë, duke e kryer aktivitetin ekonomik brenda territorit të Shqipërisë”.

Sejko shton se Banka e Shqipërisë ka marrë masa prej kohësh që ekspozimet nga tepricat e likuiditetit të bankave greke të mos jenë të vendosura tek mëmat e tyre.
Ekspozimi i bankave greke monitorohet çdo ditë, në mënyrë që ato të mos kryejnë dot transferime likuiditeti.

Sejko shton se edhe nëse ndodh më e keqja, janë marrë të gjitha masat për sigurimin e likuiditetit dhe menaxhimin e bankave.

Aktualisht bankat me kapital grek zotërojnë 17% të totalit të aktiveve të sistemit bankar. Pesha e tyre është ulur në krahasim me pesë vjet më parë, para se të fillonte kriza greke, kur ato zinin gati 25% të totalit të aktiveve të sistemit./Monitor

SHKARKO APP