Sekretet shtetërore, Shqipëria siguron NATO-n dhe BE-në

Shqipëria tashmë ofron siguri dhe garanci ndaj  NATO-s, BE-së, shteteve apo organizatave të tjera ndërkombëtare lidhur me sigurimin fizik të informacionit të klasifikuar si “sekret shtetëror”. Dhe kjo, falë zyrtarizimit të një ligji të ri qeveritar, i cili forcon rregullat ekzistuese për një proces të tillë. Kujtojmë sakaq, se vendi ynë është përfolur shpesh që nga momenti i anëtarësimit të tij në Aleancën e Atlantikut të Veriut për mosdhënien e garancisë së duhur për ruajtjen e informacioneve të ndryshme të cilësuara pikërisht si “sekrete”. Por mesa duket, tashmë përmes ligjit të ri në fjalë, kjo do të jetë e mundur. Ku me “sigurim fizik” kuptohet tërësia e masave fizike, teknike, elektronike dhe procedurale për ruajtjen e zonave, ndërtesave, zyrave, dhomave dhe pajisjeve ku prodhohet, regjistrohet, shfrytëzohet, transmetohet, ruhet, arkivohet dhe shkatërrohet informacioni i klasifikuar “Sekret shtetëror” i NATO-s, BE-së, shteteve dhe organizatave të tjera ndërkombëtare. Masa këto që synojnë ruajtjen e tij pikërisht nga veprimtaria e shërbimeve të huaja, sulmet terroriste, vjedhja, dëmtimi, komprometimi, humbja, shkatërrimi, etj; njohja nga persona të paautorizuar, të pacertifikuar, etj; -aksesi i personave të paautorizuar në një nivel të caktuar informacioni të klasifikuar. Dhe është pikërisht brenda perimetrit të hapësirave të institucionit, ku qarkullon informacioni i klasifikuar “Sekret shtetëror” i NATO-s, BE-së, shteteve dhe organizatave të tjera ndërkombëtare, aty ku edhe përcaktohen zonat e sigurisë. Këto të fundit ndahen përkatësisht në tre zona: a) “Zona e Sigurisë e Klasit të Parë” është zona që ka një perimetër të mbrojtur dhe të përcaktuar qartë, ka kontrolle të brendshme të rrepta dhe të përforcuara, ka të kontrolluar regjimin e hyrje-daljeve, ku lejohen vetëm personat e certifikuar përshtatshmërisht dhe të autorizuar specifikisht për të hyrë. Në këtë zonë prodhohet, regjistrohet, shfrytëzohet, shumëfishohet, ruhet, transmetohet dhe arkivohet informacion i klasifikuar “Sekret shtetëror” i NATO-s, BE-së, shteteve dhe organizatave të tjera ndërkombëtare, të nivelit “Konfidencial” e lart dhe ku, si rregull, administrohet një volum i madh i këtij informacioni. Konkretisht, zona të Sigurisë të Klasit të Parë janë zyrat e informacionit të klasifikuar (protokoll/arkivi, kartoteka, arkivi, dhoma e serverit, shifrës), Zyra e Regjistrit Qendror të NATO-s, Zyra e Nënregjistrit Qendror të NATO-s, zyra e titullarit në çdo institucion shtetëror si dhe çdo objekt tjetër që, sipas specifikave të institucioneve, konsiderohet i rëndësishëm. b) “Zona e Sigurisë e Klasit të Dytë” është zona që ka një perimetër të mbrojtur dhe të përcaktuar qartë, ka të kontrolluar regjimin e hyrje-daljeve, ku lejohen vetëm personat e certifikuar përshtatshmërisht dhe të autorizuar specifikisht për të hyrë. Në këtë zonë prodhohet, regjistrohet, shfrytëzohet, shumëfishohet, ruhet, transmetohet dhe arkivohet informacion i klasifikuar “Sekret shtetëror” i NATO-s, BE-së, shteteve dhe organizatave të tjera ndërkombëtare të nivelit konfidencial e lart. c) “Zona administrative” është zona përreth zonave të sigurisë së klasit të parë dhe të dytë, me një perimetër të caktuar, ku ekzistojnë mundësitë për monitorimin dhe kontrollin e personave dhe të mjeteve. Në këto zona administrohet vetëm informacioni i klasifikuar i nivelit “I kufizuar”.

 

 

RREGULLAT

 

– Në zyrën ku administrohet informacioni i klasifikuar “Sekret shtetëror”, duhet të ketë banakë ndarës ose rrjetë metalike për ndarjen nga mjedisi i brendshëm, dyer të blinduara me mbyllje elektronike dhe mekanike, kasaforta me mbyllje elektronike, dollapë metalikë, dritare të sigurta, pajisje kundër ndërhyrjeve të paautorizuara dhe pajisje kundër zjarrit.

 

– Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, në bashkëpunim me institucionet shtetërore, në mënyrë periodike, kryen dezinfektimin elektronik të ndërtesave, zyrave, dhomave, pajisjeve etj. ku prodhohet, regjistrohet, shfrytëzohet, transmetohet, ruhet, arkivohet dhe shkatërrohet informacioni i klasifikuar “Sekret shtetëror”.

 

– Në rastet kur organizohen takime apo konferenca, në të cilat trajtohet informacioni i klasifikuar i NATO-s, ndërmjet institucioneve shtetërore dhe strukturave civile ose ushtarake të NATO-s, masat e sigurimit fizik merren në përputhje me politikën e sigurisë së NATO-s, direktivat mbështetëse dhe me rregulloren për organizimin e aktiviteteve jashtë selisë së NATO-s.

 

– Informacioni i klasifikuar “Sekret shtetëror” i shteteve dhe organizatave të tjera ndërkombëtare mbahet në kasaforta apo dollapë metalike, të vendosura në ambientet brenda perimetrit të sigurisë. Informacioni i klasifikuar i NATO-s mbahet vetëm në kasaforta të sigurta, të përshtatshme dhe të autorizuara nga Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar.

 

MASAT

 

Edhe për hapjen e

kodeve, duhet urdhër

 

“Hapja e zarfit dhe përdorimi i çelësave dhe kodeve bëhet me urdhër të eprorit të drejtpërdrejtë dhe të titullarit të institucionit, në prani të një komisioni, jo më pak se tre anëtarësh, të ngritur prej eprorit të drejtpërdrejtë për informacionin e klasifikuar “Sekret shtetëror”, të shteteve dhe organizatave të tjera ndërkombëtare dhe të titullarit të institucionit për informacionin e klasifikuar të NATO-s dhe BEsë, për të cilët mbahet procesverbali përkatës”, citon ligji në fjalë.

 

KRITERI

 

Ndalohen pajisjet elektrike

por edhe pirja e duhanit

 

“Ndalohet futja dhe përdorimi, në ambientet ku punohet me informacionin e klasifikuar, i pajisjeve personale, të tilla si laptop, kamera, aparate fotografike, regjistrues zëri, etj. Ndalohet mbajtja e furnelave elektrike, të gazit, fenerëve ndriçues me lëndë djegëse si dhe pirja e duhanit në ambientet ku punohet me informacionin e klasifikuar. Ndriçimi dhe rrjeti elektrik të vendoset sipas kërkesave të shërbimit të mbrojtjes nga zjarri”, citon ligji në fjalë.

 

SIGURIMI ELEKTRONIK

“Sigurimi elektronik është marrja e masave për vendosjen e pajisjeve, mjeteve dhe sistemeve të sinjalizimit e kontrollit, me qëllim parandalimin e ndërhyrjes, nga persona të paautorizuar, në zonat e sigurisë dhe mjediset ku punohet me informacionin e klasifikuar “Sekret shtetëror” të NATO-s, BE-së, shteteve dhe organizatave të tjera ndërkombëtare. Institucionet shtetërore, në çdo zonë sigurie dhe në mjediset ku punohet me informacionin e klasifikuar, të marrin masa për vendosjen e pajisjeve dhe sistemeve të sigurimit elektronik si: sistem sinjalizimi kundër ndërhyrjeve të paautorizuara, sistem alarmi kundër zjarrit, sistem zbulimi me rreze infra të kuqe të lëvizjeve, sistem monitorimi të rrjetit të kamerave me qark të mbyllur, etj”.

 

 

 

SHKARKO APP