Sekuestron 108 goma të përdorura kontrabandë
Ditën e sotme Dega Doganore Fier ka bërë të mundur zbulimin dhe më pas sekuestrimin e një sasie të konsiderueshme gomash të përdorura kontrabandë, të cilat ishin fshehur në një kamion.
Nga një kontroll i ushtruar nga doganierët e Degës së Doganës Fier në kamionin me targa AA 320 EL të personit Artur Skender Veliaj, janë zbuluar 108 goma autoveturash të përdorura, të padeklaruara më parë nga subjekti në doganë. Gomat e përdorura janë të ndaluara me ligj të hyjnë në territorin shqiptar dhe si të tilla konsiderohen mall kontrabandë. Ky kamion i cili transportonte gomat, në ngarkesë kishte pajisje elektro-shtëpiake të përdorura, me qëllimin e transferimit të banimit.
Kamioni me targat AA 320 EL vinte nga Greqia dhe kishte hyrë transit ditën e sotme nga Dega Doganore e Kakavijës, për tu zhdoganuar më pas në Doganën e Fierit. Menjëherë pasi janë zbuluar gomat e përdorura kontrabandë në mjet, Autoritetet Doganore kanë kryer veprimet përkatëse duke sekuestruar mallin kontrabandë dhe duke nisur procedurat për vendosjen e penalitetit përkatës për drejtuesin e kamionit Artur Skender Veliaj.
Dogana Shqiptare deklaron se lufta ndaj kontrabandës së mallrave dhe trafiqeve të paligjshme do të jetë e vazhdueshme dhe pa kompromis.