Selanik e tatëpjetë, siç ka qenë do të jetë ?!…

Nga Kristo Mërtiri/Në mesvitet tetëdhjetë të shekullit që iku, kur ekonomia shqiptare kish marrë rrokullimën, në mjediset e ngushta të gazetarëve po qarkullonte si nën zë e vesh më veshë edhe një episod me përmasa tragjikomike. Por edhe paralajmërues e jo pak kërcënues për të tjerët, sidomos te ata që shquheshin për frymën kritike nëpër shkrime. Ishte fjala për Hyskë Borobojkën e famshëm të revistës së famshme “Hosteni”. Një emër i dashur për lexuesit, sot e kësaj dite. Me një motorrcikletë të telikosur, Hyska (Gaqo Veshi), shkonte në cdo skaj të Atdheut, në dimër e verë, në shi e në përcëllimë. Tregonin se iu kthye gati në “zakon” ajo thënia jo pak e njohur në titull të këtij opinioni. Dhe kjo shpalosej shpesh me humor të hidhur, sa herë nuk reagohej në praktikë nga institucionet shtetërore apo nga individë me spaleta pushteti në qendër e në rrethe. Dhe një ditë ajo ironi me nota proteste, mori dhenë e sterenë. Autorësinë ia veshën Hyskës dhe e nisën në një majë “Olimpi” të kryeqytetit. Se nuk mungojnë kurrë tinzarët e zuzarët me gjuhë nepërke. Dihet, carku i nenit 55 (agjitacion e propagandë) rrinte gjithmonë ngritur. Befas e thirrën atje lart : Paralajmërim i prerë ! Nëse do i shkiste prapë fjala nga dhëmballa, do e degdisnin me punë matanë  Dajtit…Dhe kalvarit dihej si i shkonte filli. Aq më tepër kur luftoje për të tjerët, për hallexhinjtë në qytete e fshatra. Telashet, intrigat, letrat e zeza anonime (që sot mbysin internetin) dhe shkrepëtimat pas kritikave, ishin të pranishme në cdo hap. “Demkat” dhe pëshpëshet helmuese vërshonin pa mbarim. As tani në kushtet e pluralizmit dhe të “lirisë së shtypit”(?!)…

-Bëj durim e na dëgjo pak, miku ynë. A e ke falenderuar gazetën “Koha Jonë” në emrin tonë këtu te Grykat e Këlcyrë-Mezhgoranit ? Se rrallë e për mall gjen faqe gazetash që përcjellin zërin dhe mendimet e hapura të njerëzve të thjeshtë. Na mbytën të njëjtët politikanë e analizgatues në vite dhe gati të tërë nga bulevardi kryeqytetas ! Neve sikur jetojmë në hënë…Përshembull, reformën në Drejtësi dhe votimin e saj, ne e mbështetëm me zemër. Por ama kemi edhe sugjerime, dyshime e kundërshti të vecanta. Nuk jemi aspak zemërakë dhe as si retë në breshër. Një lloj arrogance parlamentare a qeveritare u duk sheshit në raport me elektoratin dhe votën e bekuar popullore. E tha bukur një kolegu yt i hershëm : “Shpresa dhe Drejtësia janë akoma në ajër”! SHBA dhe BE, gjer më tani e bënë punën të qëruar. Madje, ambasadori Lu, shpesh ka folur shqip dhe tamam si shumica e shqiptarëve të zakonshëm. Pa këta miq besnikë, ne mbetemi të pushtuar nga batalionet e pushtetit oligarkik. Vërtet urojmë “rrofshi e qofshi zotërinj Ambasadorë!”, por këtu i thonë Shqipëri e jo Perëndim. Rrodhën 25 vite të ngarkuar gjer në grykë vetëm me luftë politike. Djemtë dhe vajzat tona po marrin arratinë nëpër botë, ndërsa fëmijët e politikanëve e të zyrtarëve të lartë hyjnë e dalin me festen mbi sy përmes luksit të shfrenuar dhe pa u pikuar asnjë pikë djerse. Dhe nuk është thjesht karshillëk e fodullëk përballë popullit hallemadh. Sepse frytet dhe privilegjet e pamerituara i rrëmbyen në shkallët e kalbura të shtetit të së Drejtës. Dje dhe sot. Të majtë e të djathtë. Po nuk u përmbys kjo kupolë politike erërëndë, të tjerat i përlan Vjosa në dimër. Dhe njerëzit e ndershëm, me siguri do mërmërijnë të rraskapitur : Selanik e tatëpjetë, sic ka qenë do të jetë !…Nuk po e bëjmë tërkuzë muhabetin.

Së pari, ky rrëfim i pastër nuk përmban vetëm skepticizëm e aq më pak ekstremizëm të rëndomtë, sic mund ta pagëzojnë fët e fët hajdutët me pushtet shtetëror a partiak. Gjithashtu, nuk është pesimizëm me flamur të bardhë dhe as populizëm përvëlak. Ama, të ligut e hipokritit u vënë emrin që u takon, pa maska e bujashka. Janë në pragmuzgun e jetës. Kanë parë, dëgjuar e paguar mjaft kosto në kurriz. Miqtë e mi të vjetër e mendjehollë, neveriten e cmeriten kur tunden e shkunden në ekrane nga ai soi që e bënë trokë Shqipërinë. Kjo është e vërteta ulëritëse !

Së dyti, ata janë në të drejtën dhe dinjitetin e tyre kur nuk fluturojnë në krahët e euforisë militanteske, sic duan të fluturojnë politikisht ca liderë kalanderë. Aq më tepër banorët e qindra fshatrave që braktisën shtëpi e katandi nga Jugu në Veri, sepse pushtetet e tranzicionit i lanë në mëshirë të fatit dhe “përgjëroheshin” për ta vetëm kur trokiste vjelja e votave ! Larg e të braktisur dhunshëm nga Shëndetësia, Arsimi, Kultura, Rendi dhe…Drejtësia. Një ikje gati biblike e  plagë kombëtare. Prandaj dyshojnë natyrshëm edhe te ai revolucioni i vonuar që do i krrejë “tymin e zi” Pallatit hijerëndë të Drejtësisë Shqiptare. Në thelb, nuk e quajnë dot as revolucion popullor e as revolucion borgjez, as revolucion proletar dhe as revolucion social. Boll besuan shumë e dyshuan fare pak gjatë një cerek shekulli “shkërdhatokraci”. Vetëm praktika e përditëshme bind ose jo edhe skeptikët më të mëdhenj. Dhe aspak vandakët sa një mal me ligje mbi ligje në letra e fjalime pa fund. Pa mbetur përgjithmonë si mosbesues të pandreqshëm apo thjesht idhtarë idealistë. Sepse ja ku arritëm : Shpresën e fundit, jo rastësisht ua varëm në qafë Ndërkombëtarëve !…

Së fundi, opozita e njerëzve të thjeshtë është opozita më e vërtetë e besimplote. Ata pyesin çiltër: Cili ligj ka munguar për të ndëshkuar zyrtarët e lartë me llogari të dyshimta bankare e pasuri përrallore ? Fjala vjen, kemi një Inspektoriat të Lartë Shtetëror për të kontrolluar këta grabitqarë të panginjur. Është një tabor me rrogëtarë që paguhen jo pak. Por sytë ua verbojnë vetëm cironkat në lumin e korrupsionit ! Dhe ngopen me arkivimin e deklaratave personale. Konkretisht, c’u bë me disa njoftime a denoncime për ca ambasadorë e zyrtarë të tjerë pasanikë ? Nuk bëzan askush. Në cilët sirtarë u kycën dhe nuk pipëtin asgjë para publikut ?…Frika nga ata që i kanë emëruar, nuk ka ushqyer vetëm selektivitetin. As rolin e tellallit të fshatit nuk e luajnë dot mirë. Aq më tepër kur ndonjë ish drejtues i Inspektoriatit është larguar andej me një barrë pasuri që ia kanë zili edhe më të korruptuarit (?!). Tjetër. Më thoni, sa gjyqtarë e prokurorë të ndershëm dialoguan ballë për ballë me publikun gjatë 18 muajve të fundit ? Profesionistët e pastër nuk i tremben ballafaqimit, por ata i tulat e shushat politika që ka në dorë edhe gurin edhe arrën. Pse jo, shpesh edhe fatin e secilit në gjykata e prokurori…

-O miku ynë, ti e di që ne nuk kemi mbaruar fakultete drejtësie. Por peshoren e vërtetë të saj e duam me shpirt, të saktë e të mos rëndojë vetëm fukarenjtë me xhepat bosh. Mos u sëkëlldis kot, shiko të paktën qelitë e burgjeve nga cilët popullohen dhe nuk ka nevojë për përrenj me fjalime e betime…Pas një cerek shekulli dështak e shtirak, ne këmbëngulim : Kjo klasë politike duhet shporrur. Vecse me një kusht : Të bllokohen sa më shpejt pasuritë e pista dhe llogaritë e majme bankare, që tallen e u nxjerrin gjuhën rrogave të borderove shtetërore ! Që politika pa moral të mos bëhet kurrë vetë vali e vetë kadi…Gjysmë të vërtetat nuk i strukin dot djajtë në pozitë e opozitë. Po nuk u llagareps piramida parlamentare, politike e qeveritare (me kulm e themel), Shqipëria jonë do të vuajë gjatë…

 “Republika” e hajdutëve me pushtet (të djeshëm e të sotëm) ende nuk ka rënë. Shumica e shqiptarëve brenda e jashtë mëmëdheut, këtë lloj reforme pastrimi po presin. Kësaj Kushtetute të Re i falen. Këlëpërat(KLP), Këlëgjërat(KLGJ), Kedërat(KEM), Sëvërat(SV) dhe varganët me Komisione pa fund, nëse kullandrisen e bitisen edhe nga kartonat e deputetëve zengjinë e manekinë, bubullima përfundon një vërë në ujë. Duke kaluar “ me kallaj e sapun mbi gunë”…Le të shpresojmë. Vjeshta mbase do vijë pa gënjeshtra. Shkurt, që njerëzit të mos e përdorin më si refren zhgënjimi a dëshpërimi, titullin e këtij shkrimi…

SHKARKO APP