“Sëmundja e shekullit”, AIDS përmes shifrave
Nga Safet Ramolli- Ka vite, ndoshta po kap kufijtë e një shekulli, që njerëzimi në të gjithë skajet e rruzullit tokësor është tejet i shqetësuar,dhe, njëherësh po kaqë i preokupuar, sepse është përballur seriozisht kërcënueshëm dhe rrezikshëm me sëmundjen shfarosëse, gati ose më saktësisht si një murtajë, AIDS, e epitetuar më së shumti “Sëmundja e Shekullit”. Ky shqetësim mbetet krejt i natyrëshëm sepse, ritmet në shinat apo autostradat në të cilat galopon, (në asnjë mënyrë nuk rrëshqet, S.R), kjo sëmundje në disa rajone, por edhe në kontinente të tërë të globit, janë shumë të larta, ashtu sikurse pasojat rezultojnë rrënqethëse, më tej nga kufijtë mëshirues.
Të dhënat, (natyrisht jo të plota, sepse shifrat e ofruara duhet të jenë shumë më të larta, S.R), rezultojnë alarmuese. Statistikat hedhin dritë për gati 16. 300. 000 njerëz të vdekur pikërisht nga kjo sëmundje. Disi më “i qetë” ndihet rajoni i Evropës Lindore dhe Azisë Qëndrore, edhe pse ato kanë humbur së bashku 17. 000 njerëz, ndërkohë që Azia Lindore ka humbur plot 40. 000, për të vijuar mandej me 70. 000 të vdekur në Afrikën Veriore dhe atë Qëndrore. Jo pak viktima rezulojnë në territoret e Karaibeve, por personalisht besoj se, shifra prej 160. 000 të humbur nga kjo sëmundje është tejet e lartë në raport me popullsinë e përgjithëshme të këtyre trevave.
Duke vijuar me gjuhën e shifrave, duhet pohuar se Amerika e Veriut, ajo e Jugut dhe Evropa Veriore, rezultojnë respektivisht me 450 mijë, 520 mijë dhe 210 mijë njerëz të humbur nën kthetrat e “Sëmundjes së Shekullit”. Por një shifër tronditëse do të hasim në rajonin e Azisë Juglindore me plot 1 milion jetë të ndërprera, për të përfunduar mandej me shifrën katastrofale, deri në kufijtë e trishtimit, prej 13,7 milion të vdekur në Afrikën Jugore dhe në Sahara.
Këto shifra në tërësi dhe, sidomos kjo e fundit, kanë vënë në gjëndje alarmi disa nga organizmat më të rëndësishme rajonale, ndërrajonale dhe botërore, njëkohësisht edhe organizmin më prestigjioz mbarëbotëror, OKB-në, ish-Numrri Një i së cilës, Kofi Annan, përveç të tjerash, do të nënvizojë, jo vetëm përmes keqardhjes së ndjerë por edhe me shqetësim njerëzor se, SIDA po shfaros Afrikën, se ajo është më e keqe se një luftë e përbotëshme. Mbetet krejtësisht i vërtetë ky pohim, po të sjellim në vëmendjen e lexuesit se, njerëzimi në mbarë rruzullin tokësor në Luftën e I dhe të II Botërore humbi respektivisht 9. 000. 000 dhe 33. 000. 000 banorë. E shprehur kjo në përqindje, viktimat e “Sëmundjes së Shekullit”, krahasuar me ato të dy Luftave Botërore, rezultojnë në shifrat 180% dhe 47%, çka do të thotë afërsisht dy herë më shumë se Lufta e I Botërore dhe gati sa 50% e Luftës së II Botërore. Në vitin 2006 kjo sëmundje na paraqitet mjaft agresive, rrjedhimisht edhe e rrezikëshme. Kështu, në se nga cunami aziatik i vitit 2004 humbën jetën afërsisht 230 000 njerëz, nga SIDA vdesin 250 000 njerëz çdo muaj, çka do të thotë gati 2. 9 milion brenda vitit. E thënë më shkoqur kjo shifër është 70% më e lartë se në vitin 2004. Po këtë vit numërohen 39.5 milion vetë të prekur nga virusi vdekjeprurës, prej të cilëve 4.3 milion janë raste të reja, ndërkohe ne vitin 2009 jane evidentuar mëse 2 milion të tjerë të infektuar, për më tepër ndër rastet e reja, 40 % e tyre i përkasin moshave 15-24 vjeçare, mosha më e gatëshme e ekspozuar për të kryer marrëdhënie seksuale, për rrjedhojë edhe më e prekëshmja nga kjo sëmundje ndërkontinentale. A i shkon kujt ndërmend se, çdo ditë infektohen 11. 000 vetë?!! Gjithësesi një katastrofë e vërtetë, një shqetësim që duhet të prekë edhe shikimin apo vëmëndjen e indiferentëve më të skajshëm ndaj kësaj sëmundjeje.
Të keqen e kësaj murtaje shfaronjëse për njerëzimin duhet ta gjykojmë dhe vlerësojmë në faktin që, “oreksi”, (për ta shprehur më saktësisht “babëzia” si ndaj “Tortës së nivelit Gines që Bashkia e Tiranës, për injorim dhe turp të shqiptarëve, na e serviri në mënyrën më denigruese të mundëshme më 28 nëntor 2012, në ditën kur njerëzit duhet të ndiheshin të ngopur (të nginjur i themi na elbasanllinjtë) është më i larti në gjithë hapësirën toksore të globit.
Rrezikshmëria e kësaj sëmundjeje mund të përfytyrohet disi më qartë po të kujtojmë se, ajo kërcënon jetën e njeriut në çdo moment. Nga statistikat, (jo plotësisht të sakta, sepse numri natyrshëm mund të jetë më i madh, S.R), në vitin 2002 në rruzullin tokësor, në mos më shumë, janë deklaruar 42 milion njerëz të prekur nga kjo murtajë ndjellakeqe. Vetëm kjo shifër, e marrë edhe kështu sikurse serviret, është tejet e dhembëshme, sepse përbën popullsinë e Algjerisë, Sudanit, Marokut dhe Togos të marra së bashku. Globi në tërësi dhe Afrika në veçanti, do të ndiheshin disi bosh, në se kjo popullsi do të eleminohej kaq përdhunëshëm dhe pashpresë për ta ndihmuar dhe shëruar. Pesë milion janë deklaruar të prekur vetëm gjatë vitit 2002. Vetëm në kontinentin afrikan rezulojnë 20,5 milion njerëz të infektuar nga virusi AIDS, ndërkohë që në Kinë janë infektuar 1,5 milion, dhe po të mos merren masa parandaluese ose kuruese, brenda vetëm një viti ky numur arrin në 10 milion.
Këta njerëz fatkeqë kërcënojnë dhe rrezikojnë realisht dhe seriozisht jo vetëm vetveten por edhe të tjerët. Për disa shtete kjo shifër është mjaft e lartë. E shprehur në përqindje ajo rezulton në 13 % të popullsisë së Zimbabves, 12 % të Botsvanës, 9 % të Namibisë, 8,5 % të Zambias, 8 % të Afrikës së Jugut, e të tjera.
Në kontinentin afrikan lëngojnë nën stresin e dhimbjes fizike e morale të metastazave të kësaj sëmundjeje të frikëshme 700. 000 njerëz. Ata natyrisht që kurohen, por po gjithë aqë bashkëjetojnë me stresin e vdekjes së sigurtë, që i pret nga çasti në çast. Dhe kuptohet se çfarë ndodh me një njeri, i cili pret vdekjen nga dita në ditë, nga ora në orë, nga çasti në çast!!! Fatmirësisht, jo të gjithë lexuesit shqiptarë mund ta dinë se kjo sëmundje gjatë një viti gllabëron në qetësi dhe me siguri mëse 3, 1 milion jetë njerëzore!!! Një fatalitet i hidhur, një shifër e kobshme kjo, por krejt një realitet i pamanipulueshëm!!!
Edhe në vendin tonë të vogël, ku para pak më shumë se dy dekada, vetëm disa mund t’i dinin emrin, natyrisht shumë më pak edhe rrezikshmërinë, pak a shumë rezulton kjo ecuri. Në vitin 1993 është evidentuar rasti i parë. Por deri më 2014 numri është disi i frikshëm. Deri në fundvitin 2007 janë evidentuar 251 raste, ndërkohë gjatë viteve 2008-2014, respektivisht janë evidentuar këto raste: 35; 35; 41; 70; 75; 63; 75, duke kapur kështu shifrën 645, por kuptohet që numri i të prekurve mund të jetë edhe më shumë. Nga evidentimi deri në vitin 2010, rezulton se meshkujt e prekur janë rreth 283, femrat 123, por fatkeqësisht 39 janë të moshës 16-24 vjeç. Për të ardhur keq është fakti se 21 janë fëmijë nën 15 vjeç, nga të cilët 15 e kanë marrë infeksionin përmes transmetimit nga nëna, kurse 6 nga transfuzioni i gjakut. Nga kjo shumë, 81% janë virusuar me rrugë seksuale, 11 % me rrugë homo-biseksuale; 65 % janë të moshës 25-45 vjeç; 125 raste të rritur trajtohen me terapi antiretrovirale tek spitali infektiv, ndërkohë këtë shërbim e marrin edhe 14 fëmijë tek pediatria.
Janë më shumë se 10 raste me humbje jete, ndonjëri edhe në kushte më se tragjike në vetmi të plotë dhe në mjedise rrënqethëse. Me këtë infeksion për fat të keq rezultojnë edhe fëmijë talasemikë, ashtu si është prezent në më se 25 raste edhe infeksioni me sifiliz. Shumëkujt mund t’i kujtohet njëfarë debati, që është bërë në pragfillimin e vitit të ri shkollor 2007-2008, në qendër të të cilit kanë qenë 2 binjakë të infektuar, kuptohet jo për fajin e tyre, në se duhet apo jo të pranoheshin në shkollë bashkë me moshatarët e tyre. Natyrisht ky është një problem i dhembshëm i shoqërisë sonë, midis atyre qindra problemeve të tjera. Për fat të keq numri i të infektuarve rritet nga viti në vit. Në se në vitin 2007 kemi vetëm 20 raste të reja, në vitin 2012 do të përballemi me 70 raste të reja, pra është “prurje” e dhembshme, sepse kemi të bëjmë me një raport gati 1:3 në rritje. Më 3 dhjetor 2012, ditë e hënë ishte, mediat shqiptare dhanë lajmin, (ndoshta pak si shumë të etura për të dhënë lajmin e parë, S.R) se 4 fëmijë rezultojnë të infektuar rishtazi. Dy prej tyre mendohet se e kanë transmetuar nga prindërit, ndërsa për dy të tjerët gjykohet se mund ta kenë marrë në institucionet e shtetit shqiptar, sepse rezultojnë që i janë nënështruar një ndërhyrjeje kirurgjikale në institucionet e shtetit. E në se është kështu, shteti shqiptar rezulton se është “vrasës” i mirëfilltë, njëherësh edhe përgjegjës për këtë makabritet. A e ka në vëmëndje shteti, tashmë më i madh se një shekull, këtë shqetësim, apo kënaqet duke na bërë koncerte pompoze, sikur shqiptarët në mjerim të skajshëm, shuajnë urinë dhe etjen me muzikë, qoftë kjo edhe klasike?!!
Kur shprehemi për pasaktësi të shifrave, mbajmë parasysh edhe faktin që, nuk mund të ketë 6 100 mbartës të kësaj sëmundjeje në Mauritani me popullsi prej 2,5 milion banorë; 13. 000 në Gambia me 1,3 milion banorë; 8 600 në Madagaskar me 15 milion banorë; 23. 000 në Gabon me 1,2 milion banorë; 12. 000 në Guine Bisau me 1,2 milion banorë, dhe të tjera, në një kohë që në vendin tonë, sikurse pohohet në media, kemi 2 000 sieropozitivë dhe 10 viktima vetëm në vitin 2004.
Kjo, sepse është krejt i pohuar fakti që, ndërsa territore të tëra të rruzullit tokësor, dhe për më tepër kontinenti afrikan, janë nën kërcënimin real dhe serioz të kësaj sëmundjeje prej dhjetravjeçarësh, vendi ynë është bërë preh e saj vetëm në fundshekullin që kemi vetëm pak vite, që sapo e kapërcyem, dhe thuajse vetëm për atë pjesë të popullsisë që ka emigruar.
Pasojat e “Sëmundjes së Shekullit” duhet të gjykohen edhe nga viktimat e pritëshme të saj. Brenda 25 viteve të ardhëshëm SIDA do t’i bashkohet sëmundjeve të zemrës dhe të infarkteve, si një nga tre shkaqet kryesore të vdekjeve në botë. Pra mund të humbasin jetën për këtë shkak 120 milionë vetë. Sipas një përllogaritjeje të Organizatës Botërore të Shëndetsisë, në harkun kohor 2006-2030, do të humbasin jetën nga ky shkak 117 milion njerëz. Në këtë rrugëferri është i pëfshirë edhe vendi ynë. Një shifër krejtësisht e reduktuar flet për gati 5,7 milion fëmijë të mbetur jetimë vetëm në “Kontinentin e Zi”, për shkak të humbjes së prindërve nga kjo sëmundje, por në shifra të konsiderueshme kjo do të ndodhë edhe në vendin tonë. Këta fëmijë, jo vetëm që përbëjnë një plagë sociale të dhembëshme, por thjesht për efekt të fenomenit të trashëgimisë, ata ndodhen të kërcënuar nga kthetrat e kësaj sëmundjeje të pamëshirëshme. Në vendin tonë ky problem mbetet edhe më tepër shqetësues, sepse jo vetëm shoqëria shqiptare, por as edhe organet e specializuara, nuk janë të përgatitura për t’u përballur me këtë të keqe ndërkombëtare.
Shoqëria demokratike dhe e qytetëruar e mbarë botës është e shqetësuar nga kjo krizë shëndetsore, njëherësh edhe morale mbarëbotërore. Ajo ka ndërmarrë jo vetëm hapa të dukshëm propagandistikë, por edhe masa dhe veprimtari konkrete për të pakësuar dhembjen e “Sëmundjes së Shekullit”.
Megjithatë, mbetet detyrë parësore rritja e kujdesit të çdo banori të globit ndaj vetes dhe ndaj të tjerëve për të krijuar dhe mbajtur një shoqëri sa më të pastër dhe larg kësaj sëmundjeje të sigurtë jetëmarrëse. Për më tepër ky apel mbetet me thekse ndaj shoqërisë shqiptare, e cila jo vetëm që është më e ekspozuar rrezikshëm ndaj këtij fenomeni, por njëherësh është edhe më e pamundura për t’u përballur me këtë sëmundje agresive dhe jetëmarrëse me “babëzi”.