Sëmundja katile

 

Nga Hyskë Borobojka

Banorët e qytetit tonë e mbajnë mend edhe sot e kësaj dite kur ishin mbledhur në mjediset e bashkisë e prisnin të dërguarin e partisë që do të propozonte kryetarin e ri të pushtetit vendor, për të cilin do të jepnin votën. Nuk vonoi shumë dhe u duk një makinë e re që ndali përpara bashkisë. Shoferi hapi dyert dhe prej saj zbritën dy burra, njëri pak më i gjatë se tjetri, por ky i fundit ishte më i trashë. Po t’i vijë në balanca nga pesha duhet të ishin eka-ek. Të dy burrat si u përshëndetën me qytetarët që po i prisnin, zunë vend në një si tribunë, ndërsa qytetarët i shoqëruan me duartrokitje.

-Zotërinj e zonja qytetare! – e mori fjalën ai më i gjati e më i holli, duke i vënë dorën në shpatulla tjetrit dhe vazhdoi: – Kam ardhur t’u njoh me kryetarin e ri të bashkisë tuaj, zotin Telemak Piperi. –Kryetari i parë i vuri ferrën e i mbylli derën bashkisë tuaj. E kishte zënë skleroza, aq sa s’mbante mend me se hëngri bukë në mëngjes, çfarë piu më drekë dhe me kë fjeti në darkë. I harroi të gjitha premtimet që bëri përpara se t’u kërkonte e të merrte votat tuaja. Prandaj që ta lëmë të lirë ish-kryetarin Zaçe Neimin, të mjekohet e të shenrrohet nga sëmundja katile e harresës, u kam sjellë zotin Telemak Piperi. Duhet ta dini dhe, në qofte se nuk e dini, ta mësoni, të nderuar qytetarë e qytetarë, në ka mendje të shquar e të ndritur, që te ky e ktheu prapa. S’i gjendet shoku në shtatë qytete e tetë krahina. Duhet ta dini dhe, po qe se nuk e dini, ta mësoni, (këtë shprehje e përdorte shpesh si leimotiv), zoti Telemak Piperi është nga ata burra, që kudo ku ka punuar i ka qeshur mendja, dora, puna dhe e ka bërë malin fushë.

-Por ne, more zotni, nuk e kemi parë e s’e kemi njohur zotin Tokmaku!- Foli një plak pa dhëmbë në gojë, që kur fliste të spërkaste me pështymë.

-Jo Tokmaku, i nderuari xhaxha, por zoti Telemak!- e korrigjoi ai që kishte ardhur për ta prezantuar dhe vazhdoi ligjëratën: – E keni fatin me bisht e duhet të jeni krenarë që thithni të njëjtin ajër që thith dhe zoti Telemak Piperi. Ky zotni, zotërinj e zonja, nuk është si kryeri në ikje e sipër, që rrahu gjoksin sa e bëri plagë, se do t’u sillte të gjithë të mirat, se do ta bënte qytetin tuaj ta kishin zili të gjithë qytetet e vendit, nga Jugu në Veri. Por ç’e do, si i thonë: “Dambër-dumbër këmborë e madhe, qumështi gjysëm okare”!

-Më mirë thuaj hiçfare! – plotësoi kandidati për kryetar.

-Katran me bojë! – shtoi një grua.

Pas kësaj. kandidati i zgjedhur më porosi të veçantë për kryetar i bashkisë së qytetit, ia zgjidhi gjalmin thesit të premtimeve e i derdhi pa kursim. Ç’të kërkonin qytetarët, nga i vogli te i madhi do ua plotësonte.

Nuk ishin mbushur as dy vjet, kur Telemak Piperi kishte marrë votat e ishte bërë kryetar mbi kryetarët në bashkinë e qytetit tonë, një mesdite i trokiti në derën e zyrës një qytetar për të zgjidhur një hall, që e kishte zënë e po e sillte vërdalë, si kalin në lëmë e s’po ia gjente dot fillin. Kryetari e e pa si kau kalin dhe e priti hundë e buzë.

-Nga të kemi ty zotni? – e pyeti nëpër dhëmbë.

-Nga lumi e përroi të më marrë! – iu përgjigj ai.

-Si, si?! – iu hakërrua kryetari. –Të pyeta nga cili qytet apo fshat vini?

-Sa shpejt na horrove, o zoti kryetar!- Jam kokë e këmbë nga ky qytet! Harrove se isha nga të parët që të dhashë votën, kur u prezantove me thesin e madh të premtimeve.

-Dëgjo zoti qytetar, kërkesën apo hallin që ke bëje me shkrim e ma dërgo me postë!- e porosit kryetari duke i mballaçitur fjalët.

-Pse me shkrim, ti them me gojë!

-Fjalët janë fukarallëk e i merr era, prandat ikë tani e na lerë se kam një drekë pune me ministrin, që po e pres!

Pa ç’pa kusurmadhi qytetar, i ktheu majat nga thembrat e doli jashtë. Në koridor u taku me një mikun e tij. Edhe ai kishte vajtur për të ngjirur një problem te kryetari Telemak Piperi, por si kishte hyrë kishte dalë.

-Dëgjomë mua, – i tha ai mikut të tij, kur e pa të merakosur sikur e kishin rrahur: –Zoti i madh e i plotfuqishëm sipër në qiell, midis të mirave të shumta që dërgoi poshtë në tokë, është edhe harresa apo si i thonë mjekët, “skleroza”. Kjo sëmundje katile nuk prek vetëm moshën e tretë, por edhe të dytën, madje shpesh edhe të parën. Simptomat e saj më shumë zënë “Baballarët e Kombit” e qeveritarët e lartë, që nga kryeministri e me radhë kabinetin e tij. Madje bën që edhe kërkesat që vijnë nga Evropa të mbyllen në kasafortë e të harrohen me muaj. Derisa prej kësaj sëmundje katile vuajnë të mëdhenjtë, nuk bën përjashtim edhe kryetari i bashkisë tonë. Kjo viran sëmundje i detyron pacientët të harrojnë jo vetëm të shkuarën, por edhe të tashmen. Prej kësaj sëmundjeje të “mallkuar” pacientët nuk vuajnë një javë, si nga gripi, një muaj e një vit, por katër vjet me radhë. Edhe pse kurohen vazhdimisht, nuk gjejnë shërim. Vetëm kur lënë mandatin si të zgjedhur, shërohen vetvetiu, pa përdorur asnjë bar. Sëmundja e “sklerozës”, midis të këqijave të shumta, u sjell një të mirë të madhe. Në vend të dobësohen shëndoshen e u bëhet qafa rrathë-rrathë. Mos shko më tej, po shih kryetarin tonë, zotin Telemak Piperi, si ishte përpara se të ulej në karrigen e kryetarit të bashkisë e si është tani?!

Koha Jonë

SHKARKO APP