Separatistët e Katalonjës provojnë të bëjnë grusht shteti

Gjykata Kushtetuese spanjolle thotë vërtet jo, por referendumi për pavarësinë i Katalonjës megjithatë do të zhvillohet. Që Spanja të shpërbëhet, për këtë nuk mund të ketë njeri interes, mendon Leo Wieland.

Separatistët e Spanjës, qofshin baskë apo katalanë, gëzojnë në disa vende të Evropës ende disa simpati, që ka kohë që nuk përputhen me kohën. Këtu bën ende efekt kujtimi i diktaturës së Franco-s, gjatë së cilës, gjuhët dhe kulturat rajonale u shtypën në emër të një nacionalizmi spanjomadh. Por nga kjo kanë kaluar katër dekada. Ndërkohë situata është kthyer në të kundërtën: në Katalonjë ose në Vendin e Baskëve prindërit që ngulin këmbë në të drejtën e tyre për t’u mësuar fëmijëve spanjishten, dështojnë. Në vend të kësaj praktikohet gjithnjë e më intensivisht një ushqim i detyruar njëdimensional linguistik.

Të drejta maksimale të autonomisë

Në asnjë vend të BE rajonet nuk kanë kaq shumë të drejta autonomie sa në Spanjë. Meqenëse me përjashtim të kërkesës për para, ato nuk kanë çfarë të kërkojnë më tepër, u mbetet në fund vetëm kërkesa për një shtet të vetin. Baskët, që u përpoqën për këtë disa vjet më parë, dështuan. Tani është Katalonja që po provon një lloj grushti shteti të fortë.

Në 1 tetor do të mbahet një referendum i improvizuar – pa asnjë garanci të shtetit juridik. Ligjet e miratuara në mes të javës për këtë në parlamentin rajonal janë qartë antikushtetuese, gjë që e konfirmoi menjëherë edhe Gjykata më e lartë në Madrid. Carta Magna spanjolle nuk parashikon votime rajonale për një shkëputje. Uniteti dhe sovraniteti u interesojnë të gjithë spanjollëve.

Shteti juridik spanjoll ka kohë që i intereson tepër pak qeverisë rajonale të Katalonjës nën kryeministrin Carlos Puigdemont. Edhe ligjet e saj për referendumin mund të qenë miratuar në një republikë bananesh, po të kesh parasysh përmbajtjen, procedurën dhe shtypjen e vërejtjeve të opozitës.

Leo WielandLeo Wieland

Shumica e katalanëve nuk do ndarje

Separatistët kanë vërtet një shumicë të brishtë në parlamentin katalan, në sajë të një aleance me një grup anarkist radikal të majtë. Por shumica e katalanëve që deri tani hesht, sipas sondazheve nuk e do shkëputjen. Zhurmën në rrugë e shkaktojnë të ashtuquajturit katalanistë. Madridi nën kryeministrin Rajoy deri tani i është shmangur konfliktit të hapur dhe ka bërë thirrje pa sukses për një dialog me ata që nuk duan dialog.

Por tani qeveria duhet të pozicionohet, edhe po të ketë protesta dhe zhgënjim në Barcelonë. Një ballkanizim i fuqisë së katërt ekonomike për nga madhësia në Eurozonë do të ishte një shaka e çmendur. Ai do t’u sillte të gjithë pjesëmarrësve me dhimbje dhe me dëme të mëdha një kaos iberik si të Brexitit. Për këtë nuk mund të jetë i interesuar asnjë partner i Spanjës.

Madridi ka nevojë për mbështetje nga Brukseli

Megjithë rezervat kundër një përzierje në punët e brendshme, Madridi ka nevojë për forcimin e krahëve nga Brukseli, në sfidën më të madhe të brendshme që prej vdekjes së Francos dhe kalimit në demokraci. Separatistët, që hiqen si evropianë, por që për fat të keq nuk janë në gjendje të merren vesh as me prindërit e tyre, jetojnë nga konflikti. Politikanët e tyre u kanë nxehur mendjet qytetarëve prej shumë kohësh me shumë demagogji dhe shkrim në mënyrë krijuese të historisë. Ata ushqehen nga kjo. Me ta është vështirë të biesh dakord, aq më tepër kur shembulli i tyre mund të ushqejë orekse edhe në vende të tjera, si për shembull në Belgjikë.

SHKARKO APP