Serbi Djokoviç fiton turneun e Majemit…Tenisi në Shqipëri “plot halle”
Mund të jetë serb dhe si i tillë mund të mos iu pëlqejë shumë shqiptarëve, por gjerësisht Novak Djokoviç konsiderohet një kampion i përmasave botërore. Një të tillë Shqipëria as nuk e ka pasur dhe as e ka, për më tepër në një sport si tenisi, i ndaluar të luhej në vendin tonë për shumë vite nga regjimi komunist me pretendimin se është “sport borgjez”. Por e çuditshme sesi në 24 vite demokraci ky sport ende nuk njeh zhvillim në vendin tonë dhe as nuk promovohet tek të rinjtë.
Sakaq serbi Djokoviç numri një i tenisit botëror për meshkuj ka fituar edhe turneun e Majemit. Në Crandon Park, tenisti serb, mundi në finale britanikun Andy Murray në tre sete (7-6, 4-6 dhe 6-0). Kjo është hera e pestë në karrierë që Djokovic fiton Mastersin e Majemit. Gjithashtu, kjo është fitorja e shtatë radhazi që serbi arrin ndaj britanikut dhe titulli i 22-të Masters në karrierë. Pas përfundimit të turneut të Majemit, tenistët do të bëhen gati për fushat me dhe’. Pas Montekarlos, Romës dhe Madridit, radha i vjen Roland Garros-it, Grand Slam-it që Rafa Nadal e ka fituar 9 herë në karrierë, ndërsa Djokovic ende nuk e ka shijuar.