Sërish debate e përplasje mes Plarent Ndrecës dhe Albana Vokshi te Komisioni i Sterilizimit
Ka vijuar me debate dhe përplasje edhe sot mbledhja e Komisionit hetimor të Sterilizimit. Kryetarja e Komisionit, Albana Vokshi, është përplasur me nënkryetarin Plarent Ndreca për mungesën e dëshmitarëve.
Pjesë nga debati:
Vokshi: Unë kam kërkuar në grup që sekretaria të njoftojë Vilma Nushin dhe Gentjana Peposhin, nuk e di pse nuk janë njoftuar sepse edhe vendimi i fundit e ka të cilësuar që çdo anëtar i komisionit mund të thërrasë çdo dëshmitar pa e hedhur në votim për vendim të ndërmjetëm sipas vendimit të fundit të Kushtetueses. Është e domosdoshme që Vilma Nushi të vijë nesër në komision ose të mërkurën sepse ky komision nuk mbyllet pa dëshminë e Nushit dhe Edi Ramës. S’mund të mbyllet pa faktorët kyç në dhënien e koncesioneve.
Ndreca: Po jep argumente krejtësisht politike (Zhupës). Yonja Nushi qenka edhe kontributore e PS, kjo qenka një arsye përse duhet të jetë para nesh. T’u bëjmë gjyqin njerëzve që u përmendim emrin pa kriter që i vënë në gojë kur janë në punë e tyre, i paragjykojmë. Më lër të mbaroj argumentin.
Vokshi: Sa mbaruam me aksionerët italianë, aksionarja Vilma Nushi nuk duhet të vijë ë?!
Ndreca: Ne as nuk jemi denoncuar as nuk jemi denoncues, s’jemi prokurori, se çfarë do të dalë.
Vokshi: Ti ke marrë porosi që vetëm Vilma Nushi të mos prekej, ndryshe ajo do vinte. Vilmën që ke këtu ta mbroj. As më duhet leja juaj fare mua.
Ndreca: Është mendimi im.
Vokshi: Ky është mendimi i Edi Ramës.
Ndreca: Ato (Nushi dhe Peposhi) s’kanë lidhje me kontratën e Check Up-it, s’mund të thërrasim aksionerë të aksionerëve.