Servet Pëllumbi: Majko e quante Nanon Ali Pashë Tepelena

Situatat e brendshme politike në Partinë Socialiste në vitin 1996, pas zgjedhjeve të 26 majit, përshkruhen nga sekretari i Përgjithshëm i asaj kohe, profesor Servet Pëllumbi, si shumë kaotike.

Në ditarin e tij politik, “Përvoja ime në Partinë Socialiste”, profesor Servet Pëllumbi tregon se pas ardhjes së mocionit dhe dorëheqjes së tij dhe të Gramoz Ruçit, mbështetësit e këtij mocioni e shikonin një pjesë të Kryesisë së partisë si krahun konservator që duhet të largohet.

Profesor Pëllumbi sjell përmes shënimeve të tij argumente se mocioni për Kryesinë e PS-së i shërben vetëm Berishës, i cili ishte akuzuar se kishte manipuluar zgjedhjet e 26 majit dhe kishte ushtruar dhunë ndaj opozitës, por nuk harron etiketimet e disa prej protagonistëve në këtë parti, si Pandeli Majko, që e cilëson Nanon si Ali Pashë Tepelena dhe veten si Marko Boçari.

***

E enjte, 11 korrik 1996

Më vjen Anastasi dhe më thotë tepër i preokupuar, por dhe dukshëm i gëzuar, se në Ambasadën greke i kishin thënë se Fatosit mesazhi (ç’mesazh?) i ka vajtur jo si duhet dhe se ai ka vepruar gabim jo me njerëzit që duhet.

Madje paskëshin premtuar se do të thërrisnin Rexhinën që t’ia transmetonin mesazhin që Fatosi “të tërhiqej dhe të ndreqte atë që prishi”. Më bëri shumë përshtypje kjo që më tha Anastasi, madje e vura hapur në dyshim vërtetësinë, duke i shtruar Anastasit pyetjet:

– Ç’punë ka Ambasada me atë që po ndodh në PS? Pse çështje porosish familjare janë këto? Pse ato “broçkulla” që lëshove në TV, një burim të tillë kishin?

Dhe ajo që i vë kapakun: “Thuhet se Berisha do të acarojë marrëdhëniet me Greqinë, mbase do të largojë dhe Janullatosin”! Pse s’e përkrahin PS-në? Ha,ha…! Megjithatë, nga informacioni thellë në vetëdijen time u ndez “llambushka” për një analizë më të thellë e më realiste për mënyrën e “bërjes së gjërave në shoqërinë e hapur”!

Po këtë pasdite u hap fjala se “Fatosin në Bënçë e kanë izoluar plotësisht, me që ka nxjerrë materiale dhe i ka botuar në gazeta. Familja do të lejohet ta vizitojë vetëm më 10 gusht”. Lojë e SHIK-ut me siguri. Qëllimi: të krijohet përshtypja se shkrimet e Fatosit të shkruara nga Kastrioti (mjafton të krahasosh formën e ndarjes së paragrafëve apo të nënndarjeve me i. ii. iii… që është tipike e “demkë-Islamit” dhe jo e Fatosit; pa përjashtuar shtypjen në të vetmin kompjuter që kemi si parti) që reformojnë PS-në – janë kundër Berishës! Pala tjetër na qenka pro Berishës! Logjikë naive.

Bëhet kështu një ndarje absurde, nga e cila gjithsesi del i fituar Berisha që “dirigjon procesin” nëpërmjet SHIK-ut, ku siç marr vesh, nga brenda është krijuar një grup i posaçëm që shkruan e porosit artikujt që botohen, sidomos në “Koha Jonë”, “Albania” dhe “Dita Informacion”. Nuk merret vesh kush e me kë bashkëpunon në të dy krahët. Ndonjë që më vjen e ma quan “skandaloz” mocionin e Fatosit e shohin gjithë ditën në kafene me “mocionistët”.

Një tjetër, gjoja më merr në mbrojtje, duke thënë poshtë e lart:

– Bëri mirë profesori që nuk e hodhi në votë mocionin në KPD, se do të fitonte 80%! Garë e pistë! Artikullin në KJ para disa ditësh, të cilit iu përgjigja unë, marr vesh se e paska shkruar Bashkimi.

Pas kësaj, Leontjevi, Bashkimi dhe ish-ministrat janë thirrur në shtëpinë e Fatosit për t’u organizuar e betuar për besnikëri! Hajde reformim, hajde! Në të vërtetë po ndodh ajo që pritej: “Mocioni Nano” po sjell si “produkt” izolimin e vetë kryetarit.

“Mocionistët” nuk janë sot për sot më shumë se 7 veta që vërtiten kafeve rreth selisë së PS-së. Kjo nuk do të thotë se mund të nënvleftësohet si lëvizje politike që ka edhe “skalione” të panjohura për ne.

E premte, 12 korrik 1996

Nuk po rrinë pa bërë lëvizje të dyshimta as disa nga “maleshovistët” tanë! M. Loci më vjen në zyrë dhe më thotë:

– Para dhe pas mbledhjes së KPD-së, B. Zeneli dhe L. Çuçi janë takuar tri herë me Ali Spahinë, nënkryetar i Partisë- shtet dhe kryetar i Grupit të PD-së. Takimet janë bërë në selinë e Kuvendit (oficeri i shërbimit i ka regjistruar në librin e takimeve). Në kushte normale, kjo mund të mos ketë ndonjë rëndësi, por jo tani që ka nisur edhe lufta brenda nesh e iniciuar nga “Mocioni” i Fatosit, i paraqitur një javë më parë.

Poshtë e lart ka filluar të flitet se më 26 maj, PS veproi gabim, e radikalizoi situatën dhe “përgjegjësia kryesore është e profesorit që “bëri fushatë të fortë”, por që përfaqëson krahun konservator”! Prit kur të tërhiqet edhe Fatosi, që na e dërgoi me shkrim qenien e tij dakord për tërheqjen e kandidatëve dhe të komisionerëve për të bërë me faj “krahun konservator” të PS-së, mbase për të larguar një pjesë të fajit nga Berisha, sepse shpreson që “fitorja” mund ta zbutë Saliun dhe ta lirojë atë! Eh, ç’kanë për të na dëgjuar veshët…

Lukuni, jo parti. Lamtumirë lidhje shpirtërore me të cilat jemi mburrur deri tani! A.B më thotë “nga të dhënat e SHIK-ut”:

  1. F. Nano u ka nisur shumë letra personave të veçantë në Tiranë dhe në rrethe nëpërmjet të cilave u kërkon mbështetje dhe jep premtime.
  2. Berisha nuk e beson Nanon, por pritet ta inkurajojë për të thelluar përçarjen në PS.
  3. Prova e asaj që do të realizohet në Kongres do të bëhet në Konferencën e Tiranës…”
  4. “Mocionistët” bëjnë takime intensive në kafe “Bar West”…! Vazhdon pra rreshtimi i forcave nën vëzhgimin e pushtetit! Po rikujtoj diçka për besueshmërinë e informacionit. Gjatë fushatës zgjedhore po ky A.B (një nga 36 themeluesit e PD-së) më vjen një ditë i alarmuar, sepse kishte marrë pjesë në një takim shumë të rëndësishëm ku kishte dëgjuar: “Po hoqëm qafe S. Pëllumbin, është gjysma e punës”.

Ata donin ta bënin këtë qoftë dhe me atentat (dhe siç dihet tashmë përpjekja konkrete për të më goditur me kaçavidë u bë në Durrës para Pallatit të Sportit. “Çunat” në Durrës kanë incizuar të gjitha komunikimet e policisë dhe urdhrat me radio nga Tirana). Kjo e detyroi “T”, siç e thërrasim, të vijë i tronditur të më lajmërojë si njeri i afërt që është.

Po që këta të “mijtë” të thonë të njëjtën gjë, “po hoqëm Servet Pëllumbin, është gjysma e punës”, deri tani nuk mund ta mendoja. Logjikë e njëjtë! Logjikë e mbrapshtë! E premte, 19 korrik 1996. Në “lëmshin” që na është krijuar po përvijohet përditë e më tepër edhe një “faktor” që deri tani “ka hedhur gurin dhe ka fshehur dorën”.

Fjala është për K. Islamin. Ai kapi “sensibilitetin e Nanos”, frikën e tij për të humbur “kryetarllëkun” sepse e ndien që pozita e tij në PS ka filluar të dobësohet me shpejtësi, u fryn disa pakënaqësive të Kryetarit në raport me Kryesinë, apo një pjesë të saj që rrjedhin nga mosnjohja e realitetit apo nga prirjet e tij për të dhënë urdhra të tipit:

“T’i lihen 20 zona të lira PAD-së dhe 5 PSD-së”(!), apo të vihen në zona të preferuara Xhina dhe Nesho”, “të zbërthehet mesazhi im, profesori tani të shkruajë…”!

Më tej: nuk u zbatua porosia (urdhri) i Kryetarit për të hequr Th. Gëllçin nga kryeredaktor të ZP-së. K. Islami disa raporte të vështira funksionimi midis Kryetarit të burgosur dhe Kryesisë i ka shndërruar në mjet përpunimi të F. Nanos për ta revoltuar kundër Kryesisë e sidomos kundër n/kryetarëve.

Në këtë linjë ka përpunuar edhe disa nga aleatët qejfmbetur që nuk morën zonat që u dha Nano “për fajin e profesorit”. N. Ceka ka filluar të propagandojë se “Mocioni erdhi në kohën e duhur”! PSD mbështet “Mocionin “, madje e quan të vonuar “rinovimin e PS-së”, sepse nuk u vlerësua as mesazhi që paska sjellë Anastasi një vit më parë nga SHBA dhe as ai që sollën në fund të prillit Islami, Pashko etj., po nga SHBA para zgjedhjeve të 26 majit 1996!

Qëllimi i arrivistëve të tipit Islami është që tani për tani të përdoret Nano kundër “nënkryetarëve”, më pas i vjen radha “përdorimit të Nanos kundër vetë Nanos”, sepse do t’i ngarkohet edhe përgjegjësia për luftën e brendshme të shkaktuar nga “mocioni” në kohën më të papërshtatshme!

E tillë është logjika karrieriste e arrivistit “për të arritur një vend më të lartë në shoqëri edhe me mënyra të ulta e të pandershme” (Fjalori i gjuhës së sotme shqipe, Tiranë 1980, f. 59).

E shtunë, 20 korrik 1996.

Përditë e më tepër po kuptohet se është formuar një grup me në krye Nanon (Ali Pashë Tepelenën, siç ka filluar ta quajë Nanon “pishtari i demokracisë” P. Majko, kurse veten e vet e quan “me modesti” Marko Boçari!), që po ndez një luftë të brendshme nën parullën e luftës kundër “mëkatarëve” dhe “delfinëve të Berishës” ku përfshihen katër nënkryetarët apo në mënyrë metaforike “guralecët” që paskan zënë “grykën e qypit me flori, siç ka filluar ta quajë Nano PS-në, pa harruar të vërë në dukje “të drejtën e pronësisë” mbi të! Në thelb, është ky grup në të cilin janë afruar, siç marrim vesh, reformatorë dhe konservatorë duke filluar nga Majko, Islami, Lakrori, Brokaj, Kumbaro, Lleshi, Legisi, Koçi, Bufi… që të nisur nga interesa karrieriste apo interesa të tjera ende të panjohura, me dashje a pa dashje “i lajnë fytyrën e gjakosur” në zgjedhjet e 26 majit Sali Berishës. Vetëm e vetëm se i paskan siguruar (cilët?), se kështu u reformuaka PS, i afrohet pushtetit dhe Nano lirohet nga Berisha!

Fatosi nuk e kupton atje në Bënçë, apo është i detyruar të veprojë kështu si i duhet Berishës me krijimin e këtij “fronti-lëvizje” që gjoja synuaka rinovimin e PS-së dhe daljen nga “qorrsokaku aktual politik”?!

Pa komente po shënoj disa pasazhe nga “xhevahiret” e sotme të Nano-Islami-Majkos (botuar në ZP): “Mocioni fitoi pavarësisht nga mediokriteti, meskiniteti, vaniteti dhe mungesa shqetësuese e aftësisë për debat e dialog demokratik që i trembet votës së lirë, mendimit alternativ dhe konkurrimit me mendje dhe jo me “spaleta” (Të gjitha këto i ka për ne që e kemi bërë hero dhe tani na paska mbuluar paaftësia dhe vaniteti vetëm e vetëm se nuk duam të hyjmë në polemikë personale me të).

Më tej. “Ne të gjithë fituam sepse ndërgjegjësuam përfundimisht veten, opinionin publik (jo vetëm socialistët) që edhe PSSH vuan nga të njëjtat sëmundje si partitë e tjera shqiptare, që mentaliteti i burokratëve të saj (term i përdorur nga K. Islami) nuk lejon emancipimin politik të elektoratit (jo vetëm socialist) dhe është pengesë kryesore për formimin dhe konfirmimin e aftësisë dhe të përgjegjësisë qeverisëse të PSSH-së”.

Po e nënvizoj “kryexhevahirin”: “PSSH-kënetë”, vuan nga të njëjtat sëmundje”! Kujdes, se mos akuzoni vetëm PD-në…! Përfundimi jo dhe aq i vështirë për t’u kuptuar. Nano në rolin e shpëtimtarit zbulon që nga Bënça “armiqtë” në krye të PS-së!

Të etiketuar janë tani për tani Meta dhe Hajdaraga, “dy nënkryetarët e komanduar”, siç kanë filluar të quhen. “Ne fituam, thuhet në “zinxhirin e xhevahireve”, sepse arritëm të vërtetojmë me saktësi që edhe në PS kanë penetruar dhe veprojnë “mëkatarë” që punojnë për të kthyer forcën kryesore të opozitës reale në një “Laço-Parti”!

Konflikti na qenka kështu i karakterit antagonist. Pyes: Si mund të ketë mirëkuptim e bashkëpunim pas kësaj me një “lider” a grup të tillë rreth tij? Do të përpiqem me disa nga kolegët e mbetur “deri tani”, sidomos me Dritëronë, Namikun, Et’hemin, Artën, Ermelindën, Fatrinë, Spartakun… (Gramozi ia mbathi, u largua nga beteja pa na thënë gjë, mbase ka “marrë mandat” nga Kryetari!), të ruajmë PS-në nga përçarja, kurse personalisht me “arrivistët”, me ata që politikën e PS-së e kanë zhvendosur kafeneve, që sot janë me ty e nesër mund të bëhen me çdo tjetër që u premton “qiejtë” nuk dua të kem të bëj më.

Në çdo krah qofshin! Kjo është në përputhje me karakterin tim, por dhe me kodin etik që porosit: “Largohu nga shoqëria e karrieristëve, intrigantëve, shpifësve, nga ata që merren me thashetheme, mos u përfshi në klane servilësh që ndjekin interesa meskine”… (ktheju më mirë te filozofia “jote”). Me sa duket, ky është “fati i idealistëve në politikë…”

SHKARKO APP