Servet Pëllumbi: Ramizi dhe Fatosi, miq apo armiq?

Pasardhësi i Enver Hoxhës, ish-Presidenti Ramiz Alia, pasi kishte dhënë dorëheqjen, mbante kontakte direkte me Fatos Nanon dhe dinte më shumë se unë për zhvillimet e brendshme në PS.

Nga Servet Pëllumbi

“E mërkurë, 26 shkurt 1992.

Me Presidentin R. Alia unë komunikoj rrallë në telefon, sepse lidhjet ai i mban me Fatosin, që po 헹᨜ton emër e mbështetje si Kryetar i PS-së Sidomos në bazë. Një nga telefonatat e Presidentit R. Alia para disa ditëve, ka qenë për të transmetuar ankesat që i kishin bërë eurosocialistët e porsa ardhur në PS (shumica nga rinia e PD-së). Nuk përfundoi mirë, sepse i thashë që ata s’kanë pse vijnë të ankohen tek ju kur tërë ditën rrinë këtu e nuk thonë gjë. Dhe i mbylla telefonin. Rast nga të rrallët që u nevrikosa! Kurse sot, telefonata kishte një natyrë tjetër “më konstruktive”. Mori shkas nga protesta që i kishim adresuar dhe kërkesa që “Presidenti duhet të jetë në rolin e tij si garant i Kushtetutës dhe i zbatimit të ligjit”. Pas kësaj 헹᨜lloi nga vërejtjet: – Pse nuk bisedoni edhe me mua për problemet e fushatës që do parë si luftë e vështirë, si art për të shkuar nga një aktivitet në tjetrin, nga një etapë në tjetrën; vendi duhet të ziejë nga aktivitetet sidomos në Tiranë; kujdes duhet treguar për shtypin, jo artikuj të gjatë (solli si shembull një artikull të Vasillaqit i botuar i ndarë në dy pjesë, dy ditë rresht); s’kini pse merreni me problemin e arit, i ngritur nga një Xhon Megou për zhurmë elektorale dhe për të goditur Presidentin; të ndiqen aktivitetet e opozitës, madje të regjistrohen (p.sh., kini çuar njeri në mitingun që po zhvillon PD në stadium?)! Edhe pse nuk ishin çështje të panjohura për ne apo jashtë vëmendjes sonë, e dëgjova deri në fund, e falënderova. Me sa duket, në këtë mënyrë ai do të na thotë përsëri: – Unë socialist jam, kini bërë gabim që nuk gjetët një teser të PS-së edhe për mua!

E premte, 17 prill 1992.

Bashkë me Namikun, me të cilin merrem vesh mirë, vajtëm për vizitë te Fatosi në shtëpi. Ka tre katër ditë që është kthyer nga Athina ku qëndroi gati një javë. Na lajmëroi në telefon se është sëmurë. Nga biseda që zgjati rreth dy orë për problemet e punës së partisë, më duket se ka ndonjë ezauriment nervor, sepse nga ekstrasistolat në zemër nuk qëndrohet kaq gjatë pa dalë në punë. Megjithatë, nuk dua ta paragjykoj apo ta mat me veten time që fatmirësisht nuk mbaj mend të kem munguar ndonjëherë në punë për arsye shëndetësore! Në këtë takim, i thashë Fatosit se pas humbjes së zgjedhjeve ka disa prirje jo të shëndosha tek njerëzit që na rrethojnë në parti, apo tek disa veteranë që kanë ardhur në takime me mua. Ka që e shohin partinë tonë “si parti shokësh”, apo që në disa nga ne shohin “burokratin”, “njeriun që do të tregojë veten”; të tjerë që sajojnë një “teori rrëshqitjeje”, që paskemi zbatuar në rastin e zgjedhjeve të 22 marsit apo që flasin për kontradikta e madje të thella midis Fatosit dhe Servetit”. Kurse të tretët që thonë të kundërtën: “në se doni të hiqni Fatosin, më parë duhet të hiqni profesorin, pas mbrojtjes që i bëri në KPD” etj., etj. Duhet të gjejmë, u thashë, mënyrat për t’i trajtuar e përballuar me kujdes çështje të tilla pa ja lënë spontanitetit si deri tani, se mund të trashen e të bëhen shqetësuese në prag të Kongresit, të cilin e caktuam për datat 20-21 qershor. Fatosi dhe Namiku ranë dakord, madje sollën disa raste për konkretizim të idesë nga takimet dhe vëzhgimet e tyre. Nuk ngurova ta shtroj çështjen edhe më copë: në se dikush sheh tek unë “burokratin”, si më i vjetri në moshë në Kryesi apo që ngul më tepër këmbë tek rregullat, po ju them se këtë detyrë nuk e kam marrë me tapi dhe se do të kërkoj që Kongresi të më lirojë nga detyra e zëvendëskryetarit të PS-së… Menjëherë ndërhyri Fatosi që në substancë tha: – Presioni ndaj nesh është rritur e mund të rritet më tej tani që jemi në opozitë, ai do të na rrethojë deri dhe me njerëzit tanë nga brenda. Unë mbase kam përplasje presionesh të tilla më tepër nga ju. Edhe nga shokë të afërt në parti. Profesori bëri shumë mirë që e shtroi këtë problem, por nuk jam dakord se zgjidhja është kërkesa për t’u larguar. Populli thotë “pema që ka kokrra goditet më tepër nga gurët”! E mbështeti edhe Namiku duke lëshuar një “lumë” lavdërimesh në adresën time. Gjithsesi, mendoj, se biseda ime nuk ishte pa objekt konkret, ajo në thelbin e vet u kuptua nga bashkëbiseduesit e miqtë e mi dhe mbase ia arriti qëllimit. Të paktën tani për tani.

E martë, 12 maj 1992.

Sot u gdhiva me temperaturë të lartë dhe me kollë të fortë. Mora në telefon dhe nuk dola në punë. I thashë Teutës të më dërgojë disa materiale që kishin një lloj urgjence për t’i lexuar. Rreth orës dymbëdhjetë më telefonoi R. Alia. Tani që nuk është më President dhe ka kohë të lirë, shfrytëzon përvojën e tij të gjatë për të na bërë herë pas here edhe sugjerime të dobishme. Në bisedën e sotme bëri disa vërejtje me vend për shtypin, pastaj si shkarazi më pyeti:

– I lexove ato shënimet apo letrën që i kam dërguar Fatosit dhe a ke ndonjë sugjerim, apo nuk ta ka dhënë?

U befasova, sepse Fatosi as që e kishte zënë me gojë një formë të tillë komunikimi me Ramizin. Megjithatë, i them prerë se nuk e kam lexuar, mbase Fatosi e ka konsideruar si letër personale. Ëhëë, dëgjova nga ana tjetër e telefonit. Me kaq mbeti vend vetëm për përshëndetjen e fundit. Pasi mbylla telefonin bëra këtë arsyetim: duket se ka një kanal komunikimi të rregullt të Fatosit me Ramizin. Ky i fundit është në dijeni (mbase nga Spiroja) për problemet e ngritura kundër Fatosit. Me telefonatën e fundit, si një politikan i hollë, ai testoj marrëdhëniet midis meje dhe Fatosit që ndryshe nga çfarë thuhet, nuk “qenkan dhe aq të ngushta”(!) Këtë formë përdori ai edhe më 4 dhjetor 1991 kur u prish nga Berisha Qeveria e Stabilitetit.

– Po Fatosin ku e kini ? – më pyeti atëherë Presidenti Alia. Dhe kur unë iu përgjigja:

– Në Itali, në një takim me Kraksin (se kështu na kishte thënë Fatosi), Ramizi e përtypi fjalën pastaj tha: – Unë e di që nga Zvicra ka ikur në Amerikë! Lidhja bëhet lehtë.

Me të gjitha këto pyetje përgjigje, R. Alia synon të na thotë njëherësh se duam apo nuk duam ne, ai është i pranishëm dhe i njeh problemet e udhëheqjes së PS-së, prandaj nuk ka arsye për ta mbajtur larg. Këtë e shpreh qartë edhe në intervistën Dialog me R. Alinë, botuar në shtypin italian dhe në gazetën 24 orë. Pretendimin “për mbajtje larg” e ka veçanërisht ndaj meje dhe këtë e shpreh në lloj-lloj mjedisesh. Ia ka thënë edhe Pipi Mitrojorgjit. Po pse nuk do të na shqitet ne ky njeri që nuk është as anëtar i Partisë Socialiste?! Një mendje tjetër më thotë: Pse nuk e merr si dëshirë për të ndihmuar?

SHKARKO APP