Sezoni i pushimeve në Santorini – Parajsë për disa dhe ferr për të tjerë

Greqia po arrin të shënojë një rekord të ri vizitorësh: 30 milionë turistë sivjet. Janë të shumtë ata që përfitojnë në degën e turizmit prej krahut të lirë të punës.

Për disa ditët e verës janë ditët më të bukura të vitit, sepse më në fund mund të gëzojnë pushimet diku në bregdet. Frika prej sulmeve terroriste në Lindjen e Mesme nxit turistët të frekuentojnë më shumë plazhet e Greqisë.

Një destinacion i preferuar është në Greqi ishulli Santorini, ku vijnë turistë nga e gjithë bota.  Por pikërisht kjo parajsë kthehet në ferr për ata që punojnë në këtë ishull të bukur vullkanik. Tani në kulmin e sezonit puna është rraskapitëse për ta. Atyre u duhet të punojnë jashtë orarit. Shtatë muaj ata punojnë pa ndërprerje dhe shpesh pa asnjë ditë pushim.

Tenia punon për të tretin vit radhazi në Santorini, në fakt ajo është nga Athina. Për dy vjet, puna e saj ishte një ëndërr e keqe, po sivjet ajo pati fat. Punon gjashtë ditë të javës dhe merr afërsisht 1000 euro. Kjo bën pjesë në të ardhurat më të larta.

Por më parë ajo ishte një ndër skllevërit modernë në ishull: merrte shumë më pak se 1000 euro, orë shtesë të papaguara, disa prej tyre as ishin të siguruar. Ka kaq shumë prej këtyre, po ata heshtin. Recepsionistja Tenia Belessi na thotë, se „me shumë gjasë, ata heshtin, sepse kanë frikë. Frikë, që të gjitha të këqiat që do të thonë, ose për vendin e tyre të punës, ose për punëdhënësin e tyre, do të dalin në shesh dhe se mund të humbasin punën për këtë shkak.”

Ne investigojmë në Kamari dhe duam të dimë në se situata është vërtet kaq dramatike. Arrijmë të flasim me Petron. Ai është nga Offenbach-u dhe ka një Beach Bar. 18 vetë punojnë çdo ditë në dyqanin e tij. A i paguan ai si duhet njerëzit, duam të dimë. „Mekanizmi punë ecën shkëlqyeshëm. Një gjë e vogël: po të shkosh të punosh në Athinë dhe ke një punë tetë orëshe, merr 25 euro në ditë, kjo është pagë neto. Pastaj ke për të paguar edhe shpenzimet sociale, të gjitha si në Gjermani. Këtu paga ditore nis që me 40 euro – dhe kur një kamerier p.sh. fiton 40 euro, plus 40-50 euro bakshish, kemi 90 euro, këto edhe për Gjermaninë janë pak si shumë para, apo jo?

90 euro në ditë – shumë apo pak?

A janë rreth 90 euro në ditë vërtet shumë para për një punonjës sezonal, të cilit i duhet edhe të marrë me qira një banesë në Santorini? Pyesim sërish Tenian – problemi i banesës, na thotë ajo, është problem i madh: „Pronarët preferojnë t’ua japin dhomat me qira turistëve – për një shumë më të madhe dhe kjo nuk është e përshtatshme për njerëz si ne, që paguajmë qira mujore.”

Një gjë është e qartë: jo të gjithë punëdhënësit në Santorini janë të këqinj dhe i trajtojnë në këtë mënyrë punonjësit e tyre. Vizitojmë Andreas Pationitis. Ai ka 130 vetë të punësuar në hotelet e tij, të cilat hyjnë të gjitha në hotelet luksoze. Ai na shpjegon se i duhen njerëz me kualifikim të mirë, përndryshe klientët ankohen. Ai na siguron se i paguan si duhet punonjësit. „Është e qartë që e gjitha të kushton shumë para. Gjithçka që bën të kushton para, por po t’i investosh si duhet, ia vlen.”

Santorini është shumë i preferuar edhe te punonjësit sezonalë nga Rumania dhe Bullgaria. Te sindikata me emrin “Pjatalarësit” janë mbledhur shumë raste shfrytëzimi nga e gjithë Greqia. Giorgos Betis nga kjo sindikatë interesohet për shumë prej tyre dhe kujton dikë, që e ka prekur veçanërisht. „Rasti më tragjik është ai i një punonjëseje pastrimi në ishullin Zakynthos vitin e kaluar. Ajo vdiq në punë e sipër, ishte e tejlodhur. Besoj se ky shkak i humbjes së jetës është tipik për kushtet në degën tonë.„

Për disa parajsë, për të tjerë ferr. E ke të vështirë të flasësh për një mrekulli në vendet e punës në turizëm në Greqi, kur shumë punonjës i shfrytëzojnë dhe kur ata nuk kanë sigurime sociale. Por shumë grekë aktualisht thjesht nuk kanë alternativë tjetër.

(DW)

SHKARKO APP