Sezoni turistik – Gusht, 750 mijë udhëtarë nga deti dhe ajri

Numri i udhëtarëve në aeroportin ndërkombëtar dhe portet shqiptare u rrit sërish gjatë muajit gusht, duke sinjalizuar një tendencë në rritje të turizmit hyrës edhe për këtë vit. Sipas Institutit të Statistikave, gjatë muajit gusht numri i udhëtarëve me rrugë ajrore dhe detare arriti në afro 750 mijë.

Rritja më e lartë e numrit të pasagjerëve u regjistrua në transportin ajror. Në Aeroportin e Tiranës u regjistruan 328 mijë hyrje dhe dalje të shtetasve, në rritje me 27% ndaj gushtit të vitit të kaluar.

Për tetëmujorin, numri i udhëtarëve në këtë aeroport arriti në 1.74 milionë, në rritje vjetore me 25%. Tregu i fluturimeve po dëshmon potenciale të mëdha rritjeje, çka ka rritur interesin e operatorëve të interesuar. Në gusht të këtij viti, në Shqipëri operonin 20 shoqëri ajrore, nga 14 që ishin vitin e kaluar.

Këtë vit nga aeroporti i Tiranës janë kryer afro 16 mijë fluturime. Megjithë rritjen e turizmit hyrës dhe tregut të fluturimeve, ende asgjë nuk po bëhet për të hapur një aeroport të dytë në vend, me kosto më të ulëta për shoqëritë dhe për udhëtarët.

Burimi: INSTAT

Edhe transporti detar i pasagjerëve ngelet një treg në rritje, por me ritme më të ulëta krahasuar me atë ajror. Për tetë muajt e parë të vitit, transportin ndërkombëtar detar e përdorën 1.1 milionë udhëtarë, 19% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

SHKARKO APP